/ATSH/.-Shqiptarët në rajon janë faktorë të paqes e stabilitetit, shprehet kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj duke u uruar festën e Pavarësisë qytetarëve të vendit dhe bashkëkombasëve kudo që janë.
"Kam kënaqësinë të ndajë me të gjithë ju ndjenjën dhe reflektimin tonë të përbashkët, që përherë na shfaqen në atmosferën e festës sonë të shumëfishtë kombëtare, 28 Nëntorit", shprehet ai.
Në këtë moment, vijon Haradinaj, ne kujtojmë sakrificën e shumë gjeneratave para nesh dhe të gjeneratave më të vonshme, për lirinë, pavarësinë dhe dinjitetin tonë nacional.
"Nderojmë veprën e të rënëve dhe reflektojmë, gjithsesi, në punën dhe angazhimet tona, në përgjegjësinë që kemi për të sendërtuar më tutje ëndrrën dhe idealet për të cilat ata ranë. Duke kujtuar të kaluarën dhe duke parë të sotmen, të arriturat e deritashme dhe sfidat që kemi para nesh, ne, për asnjë moment nuk duhet të ndihemi mjaftueshëm, por të marrim më shumë motiv në punën dhe angazhimet tona", thekson lideri i AAK-së.
Ai shprehet më tej se, lavdia u takon të rënëve, e përgjegjësia është e të gjithë neve, për t'i ndërtuar e fuqizuar dy shtetet tona, duke çuar më tej përpara idealin për të cilin ranë bijë dhe bija, prej më të mirëve të kombit tone, në kohë, hapësira e përpjekje të ndryshme.
"Sot shqiptarët në rajon janë faktorë të paqes e stabilitetit, pra nuk janë problem i rajonit. Puna jonë e mëtejme është angazhimi i përgjegjshëm për fuqizimin e mëtejmë të këtij roli. E, këtë mund ta bëjmë vetëm duke punuar bashkërisht dhe me sinqeritet për vendin, kombin tonë dhe proceset që kemi përpara", thekson Haradinaj.
"Urime 28 Nëntori - Dita e Flamurit dhe Pavarësisë sonë Kombëtare, shqiptarëve kudo që janë! Lavdi dhe respekt i përjetshëm të gjithë atyre që ranë për kombin dhe lirinë tonë!", përfundon ai mesazhin.












