PRISHTINË, 14 Nëntor /ATSH/- Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj theksoi sot se "në orët e mbrëmjes blloku VLAN do të zhvillojë një takim, ku do të diskutojnë për kërkesat e LDK-së, meqë ata tani po kërkojnë diçka tjetër, kur dihet se posti i kryeparlamentarit do i takojë PDK-së".
KosovaPress bën të ditur se Haradinaj pranon se ky vendim i Gjykatës Kushtetutës e ka ndryshuar Bllokun nga brenda. Këto deklarata Haradinaj i bëri gjatë një vizite në Deçan.
Haradinaj thotë për veten se është në pozicionin më të mirë, madje pranon se ka mospajtime me ndërkombëtarët sa i përket përbërjes së Qeverisë.
"Unë jam më së miri i pozicionuar, jam më në qendër dhe nuk kam hequr dorë nga kandidatura për kryeministër dhe ata që duan të pengojnë këtë kandidaturë do të dalin humbës, unë kam disa mospajtime me ndërkombëtarët. Mospajtimet me ta janë vetëm se si të përbëhet qeveria", tha Haradinaj.
Qytetarëve të kësaj komune Haradinaj tha se nuk po bëjnë asgjë dhe se janë në status - quo. Madje, ai shtoi se nëse vazhdon kjo krizë institucionale, nuk do të ketë paga për mësuesit./k.s/











