Haradinaj: Vetëqeverisja lokale
për veriun, brenda Planit Ahtisaari

Haradinaj: Vetëqeverisja lokale <br />për veriun, brenda Planit Ahtisaari
Integrimi i serbëve të komunave veriore duhet të kalojë përmes ofrimit të vetëqeverisjes lokale sipas Planit të presidentit Ahtisaari, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj. Në këtë intervistë Haradinaj flet edhe në lidhje me dështimin e arritjes së koalicionit me PDK-në, si dhe reformat zgjedhore në Kosovë.

Zoti Haradinaj, tashmë ka përfunduar edhe raundi i fundit në kuadër të takimeve ndërmjet kryeministrave Thaçi e Daçiç. Cili është vlerësimi i juaj për rezultatet e këtij takimi?
Ne jemi në dijeni për ndjeshmërinë e dialogut dhe temave. Kuptohet me rëndësi është që të gjitha temat janë hapur dhe ka një progres. Ne nuk kemi kohë dhe askush në Ballkan nuk ka kohë, nuk ka kohë Kosova dhe as Serbia. Prandaj, është me interes që temat të përshpejtohen dhe të zgjidhen. Është në interesin e të gjithëve. Pra, edhe ne shpresojmë që nuk do të humbet kohë që të zgjidhen temat që janë shtruar.

Para takimit ishte thënë se do të kërkohet një zgjidhje për shuarjen e strukturave të sigurisë që Serbia ka ngritur në pjesën veriore. Si mund të shuhen këto struktura nëse kihet parasysh pozicioni i Beogradit zyrtar, por edhe qëndrimit të serbëve lokal në veri?
Qëndrimi i Beogradit zyrtar nuk ka bazë ligjore në asnjë nga dokumentet ndërkombëtare apo edhe në dokumentet themelore të Kosovës. Do të thotë, vetë veprimtaria e të ashtuquajturave struktura të sigurisë në veri është joligjore dhe nuk ka bazë ligjore. Serbia obligohet në bazë të parimeve dhe obligimeve të veta për avancim në procesin integrues të BE-së që të respektojë ligjet edhe parimet ligjore.

Atë që po bën Kosova është se duke pasur parasysh ndjeshmërinë e zhvillimeve dhe temave, për të cilat po flasim, po reflekton një kujdes të madh që të vijmë deri te zgjidhjet e duhura në mënyrë që qytetarët e veriut të integrohen në juridiksionin, rendin dhe ligjin dhe në të gjitha ato që i parasheh Kushtetuta dhe Pakoja e Ahtisarit e integruar në Kushtetutën e Kosovës, e që është një vetëqeverisje komunale, pra lokale për serbët në veri.

A mund të shkojë kjo vetëqeverisje lokale përtej Planit të presidentit Ahtisaari në atë që cilësohet si status i veçantë për veriun?

Nuk është një veprim apo drejtim i duhur, meqenëse Plani i Ahtisaarit në kohën kur është hartuar dhe aprovuar nga ana e jonë, i ka paraparë zgjidhjet e duhura për serbët në tërë Kosovën, pra edhe në veri. Mendojmë se zbatimi i zgjidhjeve që janë paraparë në Pakon e Ahtisaarit është zgjidhja e duhur.

Cili konsideroni që do të jetë roli i bashkësisë ndërkombëtare, marrë parasysh faktin që autoritetet e shtetit të Kosovës nuk kanë shtrirje në veri. Si do të shpërbëhen këto struktura?

Kosova ka treguar një pjekuri të madhe dhe kujdes që të mos ndërmarrë veprime të njëanshme për zgjidhjen e çështjeve që na preokupojnë në veri. Për këtë mendoj se Kosova meriton një përkujdesje të madhe të bashkësisë ndërkombëtare që këto tema të zgjidhen në interes të qytetarëve të veriut edhe të Kosovës dhe proceseve integruese.

Pra, Prishtina zyrtare nuk ka bërë asnjë veprim, përmes të cilit ka mundur të vështirësojë gjendjen e zgjidhjeve. Por, Prishtina zyrtare është edhe e aftë dhe e gatshme që t’i përmbushë përgjegjësitë e veta në gjithë territorin e vet.

Përfundimisht, te tema e dialogut. Sa jeni ju optimist se përmes këtij procesi Kosova dhe Serbia do të arrijnë deri te normalizimi i marrëdhënieve, si qëllim i dialogut që është prezantuar nga baronesha Ashton?

Mendoj se është në interes të të dyja vendeve dhe i jemi mirënjohës baroneshës Ashton, qeverisë amerikane, BE-së dhe të gjitha qeverive nacionale që po japin ndihmesën e tyre. Mendoj se ky është një kontribut për rajonin dhe nuk ka rrugë tjetër, pos arritja te normalizimi.

Disa herë e kam thënë se BE-ja duhet ta mbajë standardin shumë lart për ne, në mënyrë që ne të mos kemi dilema në rajon. Pra, nëse do të bëheshin lëshime ndaj Serbisë në hapat drejt integrimit ato lëshime do të dërgonin mesazhe jo të qarta për rajonin. Pra, jemi shumë të interesuar që të ketë qëndrime të qarta dhe standarde të larta dhe të mos ndryshojnë për të gjithë ne në rajon.

Zoti Haradinaj, nëse mund të kalojmë edhe në një temë tjetër. Që nga kthimi i juaj nga Tribunali i Hagës është vërejtur një disponim dhe vullnet që të përfshiheni edhe në marrjen, siç keni thënë ju, të përgjegjësive qeverisëse. Pse nuk ndodhi koalicioni PDK - AAK?
Unë kam qenë 100 ditë në qeverisje dhe unë e kam vërtetuar se me një qeverisje efektive, Kosova mund të zhvillohet dhe të marrë drejtimin e duhur dhe të arrijë sukseset që i pret, por të cilat i presin edhe miqtë e Kosovës. Andaj, punoj çdo ditë që të marr besimin, të vij deri te mundësia që t’i japim Kosovës një qeverisje efektive. Këtë mundësi ia kam ofruar edhe kryeministrit aktual, Thaçi, dhe PDK-së, si mundësi që ata t’ia japin dikujt përgjegjësitë, në mënyrë që të nxirret vendi nga gjendja e tashme.

Në fillim ka pasur një entuziazëm në këtë mënyrë të punës, por më vonë ndryshuan qëndrimet. Më vjen keq pse ka ndodhur kështu, sepse do të ishte një mundësi e mirë që t’i jepnim një dinamikë të re qeverisëse dhe politikë të re vendit në zhvillimet e brendshme, e cila nuk do të ndikonte në obligimet ndërkombëtare të Kosovës, as në dialogun me Serbinë, e as në obligimet tjera që i ka Kosova, si agjenda për BE-në, pastaj në reformat e brendshme e të tjera. Por, përkundrazi do të ishte një përpjekje në këto procese.

Tani, cilët i konsideroni hapat e ardhshëm që do t’i ndërmerrni ju dhe AAK-ja?
Tani kemi mbetur në opsionin që sovrani të vendosë dhe ne po ua ofrojmë platformën tonë qytetarëve. Do të thotë që kemi marrë një rol të qendrës për ndryshimet që do të vijnë në zgjedhjet e rregullta. Marrim pjesë dhe përgjegjësi direkte në temat e interesit nacional, siç është rasti te dialogu, jemi i vetmi subjekt opozitar që marrim pjesë direkt në dialog. Pastaj në agjendën evropiane, reformën zgjedhore dhe temat që janë të interesit nacional.

Por, bëjmë një opozitë të përgjegjshme duke e kritikuar qeverinë në politikat që kanë të bëjnë me rendin e ligjin, në politikat ekonomike, në burokracinë korruptive që ekziston dhe shumë tema që ne na shqetësojnë në vend. Ne tash presim që të marrim mbështetjen nga sovrani, votuesi, që të formojmë qeverinë, por kuptohet nëse ky besim nuk do të ishte i mjaftueshëm, ne do të kërkonim edhe partner.

Jeni duke zhvilluar bisedime, ju dhe partitë tjera politike, në lidhje me reformat zgjedhore. Kur konsideroni se do të përfundojnë këto reforma dhe kur e shihni afatin optimal për organizimin e zgjedhjeve parlamentare?
E para që është me rëndësi në Kosovë, duhet të qëndrojmë në përputhje me obligimet e marra, mandatet. Duhet t’i mbajmë zgjedhjet komunale në kohën e paraparë dhe të mos e ndryshojmë agjendën zgjedhore. Po ashtu, spektri politik duhet të arrijë një dakordim për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare.

Ne nuk po kërkojmë zgjedhje për Aleancën, por për Kosovën, për gjithë spektrin politik. Mendoj se Qeveria Thaçi duhet të bëjë vetë një analizë se a është në rregull të vazhdohet me qeverisje në trendët e tashëm dhe me besimin çfarë ka në Parlamentin e Kosovës dhe me peshën e temave.

Por, mendoj se vendimi ose iniciativa i takon PDK-së, pasi që mbajnë përgjegjësitë e para që të vlerësojnë dhe të ftojnë në një analizë të përbashkët spektrin politik. Sa na përket neve, si Aleancë, ne mendojmë se sa më shpejt që mbahen zgjedhjet parlamentare, të rregullta dhe dakorduara politikisht, do të jetë më mirë për Kosovën.

*Intervista marrë nga radio Evropa e Lirë

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Bllokimi i aksit Thumanë-Kashar/ Morën pjesë në protestë, policia fillon shoqërimin e disa prej banorëve

Bllokimi i aksit Thumanë-Kashar/ Morën pjesë në protestë, policia fillon shoqërimin e disa prej banorëve