Ministrja Harito nënvizoi se vendet vakante do të plotësohen përmes konkurseve ku do të fitojë më i miri, meritokracia.
Në një prononcim për shtyp mesditën e sotme Harito nënvizoi se nga situata e shqyrtuar në administratën tatimore rezulton se në plot 150 vende, në të gjithë Shqipërinë, nuk është respektuar asnjë procedurë ligjore për shërbimin civil në këtë administratë."
Ajo shtoi se përzgjedhja e administratës do të mbështetet në vijën logjike të ligjit të ri “Për Nëpunësin Civil”, deri në shtrirjen e plotë të efekteve të tij, në prill të vitit 2014.
“Sot dua t’ju lajmëroj edhe për diçka tjetër. Nga situata e shqyrtuar në administratën tatimore rezulton se në plot 150 vende, në të gjithë Shqipërinë, nuk është respektuar asnjë procedurë ligjore për shërbimin civil në këtë administratë. Kështu që, në javën e ardhshme do të fillojmë gradualisht konkurset për këto vende pune, për të cilat sërish do të bëhen njoftimet e drejtpërdrejta edhe nëpërmjet bazës së CV online. Është shumë e rëndësishme të kuptohet që institucionet e administratës fiskale janë jetike për financat e vendit. Qëllimi ynë është t’i japim fund historisë 20-vjeçare, ku profesioni i inspektorit tatimor në imagjinatën popullore e kishte humbur krejtësisht kuptimin fillestar, për t’u shndërruar në një gjobëvënës të paligjshëm të bizneseve për përfitime personale, që shkonin në të gjithë zinxhirin administrativ. Do t’i japim gjithashtu fund epokës kur vendet e punës në këto institucione paguheshin me shuma të majme. Sipas fushave dhe profesioneve, do të vazhdojmë të lajmërojmë të gjithë aplikuesit e bazës së CV online për hapjen graduale të këtyre konkurseve, pra në të gjithë Shqipërinë. Shpresojmë që të vijnë sa më shumë kandidatë."- tha Harito.
Ndërsa këtë javë kanë filluar konkurset e para në pozicione që nuk janë pjesë e Shërbimit Civil sipas ligjit aktual, por që do të jenë pjesë e Shërbimit Civil sipas ligjit të ri.
"Kjo do të thotë që ne kemi nisur të funksionojmë tashmë, sipas frymës së ligjit të ri dhe konsensusit të përbashkët, mbi faktin se merita duhet të përcaktojë vendin e gjithkujt në administratë.
Këto konkurse janë hapur fillimisht në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) dhe në disa institucione në varësi të Ministrisë së Kulturës. Vullneti ynë është pikërisht që të mbështetemi në vijën logjike të ligjit të ri “Për Nëpunësin Civil”, sa herë që kjo është e mundshme, deri në shtrirjen e plotë të efekteve të tij, në prill të vitit 2014. Kandidatët kanë nisur të lajmërohen nëpërmjet faqeve zyrtare të institucioneve, por edhe nëpërmjet bazës së të dhënave online, e cila po shndërrohet në një bazë shtetërore të dhënash nëpërmjet Shërbimit Kombëtar të Punësimit. Mbi 100 kandidatura janë përgjigjur vetëm për 4 vende pune."- shtoi më tej Harito.
Ajo e mbylli fjalën duke nënvizuar se do të zhvillohet një proces me rregulla shumë të forta, me konkurrencë të lirë dhe me rezultate të bazuara vetëm dhe vetëm mbi meritën. "Më të mirët do të përzgjidhen, për të bërë një hap përpara në krijimin e gjeneratës tjetër të administratës në vend."
Një ditë më parë Kuvendi miratoi me 84 votat e mazhorancës aktin që shfuqizon me 6 muaj ligjin e nëpunësit civl. Nga opozita vetëm 4 deputetët e PDIU morën pjesë në seancë e votuan kundër, ndërkohë që deputetët e tjerë bojkotuan seancën.
(sg/shqiptarja.com)