SHBA/ Harris dhe Trump me qasje të ndryshme mbi shitjet e armëve

SHBA/ Harris dhe Trump me qasje të ndryshme mbi shitjet e armëve

Kamala Harris dhe Donald Trump

Sulmi me armë në një shkollë të mesme në shtetin e Xhorxhias të mërkurën solli sërish në qendër të vëmendjes numrin e lartë të vrasjeve me armë në Shtetet e Bashkuara krahasuar me vendet e tjera të zhvilluara në botë, sipas ekspertëve të shëndetësisë. Nënpresidentja Kamala Harris kërkon ashpërsimin e ligjeve të armëmbajtjes. Ndërsa, siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Veronica Balderas Iglesias, rivali i saj republikan Donald Trump, ka premtuar heqjen e kufizimeve për armëmbajtjen.

Sulmi me armë në shkollën e mesme në Winder të Xhorxhias të mërkurën la disa të vrarë dhe të plagosur. Nënpresidentja dhe kandidatja demokrate për presidente Kamala Harris reflektoi mbi incidentin gjatë një tubimi fushate në Nju Hempshër.

"Ne duhet t'i japim fund kësaj epidemie të dhunës me armë në vendin tonë njëherë e përgjithmonë. Këto incidente nuk duhet të ndodhin", tha ajo.

Dhuna me armë në Shtetet e Bashkuara mori një vëmendje të madhe në Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokrate këtë vit.

Nënpresidentja Harris parashtroi përparësitë e saj për këtë çështje që në fillim të fushatës së saj.

"Ne do të miratojmë ligje për kontrollin e së kaluarës të blerësve të armëve dhe do të ndalojmë shitjen e armëve sulmuese", tha ajo.

Nënpresidentja Harris thotë se ajo kërkon marrjen e masave praktike për sigurinë e armëve dhe "jo ndalimin e armëmbajtjes”.

Presidentja e qendrës Brady për parandalimin e dhunës nga armët, Kris Brown, beson se zonja Harris do ta bëjë këtë.

“Kandidatja Harris ka qenë shumë e qartë se dhuna me armë, vrasësi numër një i fëmijëve amerikanë, është një problem që kërkon një qasje në shumë nivele për t’u zgjidhur. Ne kemi nevojë për një politikë më të mirë”, tha ajo.

Ish-presidenti Donald Trump reagoi ndaj sulmit me armë në Xhorxhia me një postim në platformën e tij në rrjetet sociale “Truth”. Ai shprehu mbështetjen e tij për viktimat dhe e quajti sulmuesin një "përbindësh të sëmurë dhe të çmendur".

Konservatorët shpesh mbrojnë të drejtën e armëmbajtjes, por Kuvendi Kombëtar i Partisë Republikane këtë vit nuk i dha përparësi kësaj çështjeje. Kuvendi Kombëtar i Republikanëve u zhvillua në korrik, vetëm dy ditë pas atentatit ndaj kandidatit të tyre presidencial Donald Trump. Kjo nuk e ndryshoi qëndrimin e tij për çështjen e armëmbajtjes.

“Nuk mund t’i heqim armët, sepse njerëzit kanë nevojë për mbrojtje”, tha ai.

Zoti Trump mbështeste të drejtën e armëmbajtjes kur ishte president dhe ka premtuar të heqë kufizimet e miratuara nga administrata e Presidentit Biden.VOA

Xh.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Krijohet dhe 'Djathtas', a do i mbështesni partitë e reja në 2025?



×

Lajmi i fundit

Zyrtari i lartë i Partisë Komuniste të Kinës e viziton Serbinë

Zyrtari i lartë i Partisë Komuniste të Kinës e viziton Serbinë