Bojkoti kundër hartës së re gjyqësore ka përçarë avokatët. Teksa një ditë më parë Dhoma Kombëtare e Avokatisë, e cila drejtohet nga Maksim Haxhia, nuk kishte një qëndrim për vijimin e bojkotit të seancave gjyqësore, Dhoma e Avokatëve në Vlorë dhe në Shkodër ka vendosur unanimisht të vijojë bojkotin deri më datë 24 qershor. Madje ndryshe nga deklarimi i avokatit Maksim Haxhia, kreu i Dhomës Vendore të Avokatëve në Vlorë Durim Barjamaj, thotë se ato do të bojkotojnë në datat 21 dhe 22 edhe masat e sigurisë.  Barjamaj theksoi sërish keqardhjen se autoritetet vendore, por edhe politike në Vlorë kanë injoruar këtë vendim që i heq institucionet Vlorës.

‘Dhoma Vendore e Avokatisë Vlorë doli me vendimin në mënyrë unanime që të vijojë bojkotin deri më datë 24 qershor. Dhoma vendore vendosi që në datën 21 dhe 22 veç seancave gjyqësore, dhoma vendosi që të bojkotojë edhe masat e sigurimit personal. Ne kemi një veprim të përbashkët dhe na mbështet Dhoma Vendore e Avokatisë së Shkodrës. Kemi mbështetjen e tyre dhe presim që dhe ato të dalin me një vendim të tyre.’- tha Barjamaj.

Të njëjtin qëndrim ka mbajtur edhe Dhoma Vendore e Shkodrës, të cilët po ashtu kanë deklaruar se do të vijojnë bojkotin edhe javën e ardhshme.

Kujtojmë se harta e re gjyqësore ka sjellë diskutime dhe reagime mes avokatëve. Dhoma e Avokatisë  vendosi bojkot të të gjithë seancave të gjyqësorit për 4 ditë, ndërsa kundër kanë dalë avokatët penalistë që shkojnë në seanca sepse mendojnë që çështja duhet të shkojë në Gjykatën e Kushtetuese për të kundërshtuar KLGJ.

13 gjykata të shkallës së parë, 2 gjykatë administrative dhe 1 gjykata apeli për të gjithë vendin. Ky është përfundimisht propozimi i Këshillit të Lartë Gjyqësor për hartën e re gjyqësore në vend pas muajsh konsultimesh me grupet e interesit. I vetmi ndryshim nga propozimi i kaluar është se është shtuar një gjykatë e shkallës së parë në Sarandë që me propozimin e kaluar ishte hequr. KLGJ ka miratuar draftin i cili tashmë pritet të kalojë për mendim në Këshillin e Ministrave, Këshillin e Lartë i Prokurorisë, Prokurorisë së Përgjithshme dhe Ministrisë së Financave. Me vendimin e ri shkrihen gjykatat në Tropojë, Krujë, Lushnje, Pogradec, Krujë, Mat, Përmet, Kurbin, Kavajë, Pukë. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:07
Pas Vlorës edhe Dhoma Avokatisë në Shkodër vendos bojkot pa afat për seancat gjyqësore

 

Dhoma e Avokatëve në Shkodër me rreth 100 anëtar ka vendosur bojkot të plotë pa afat të të gjitha seancave gjyqësore si protestës ndaj hartës së re gjyqësore, e cila parashikon mbylljen e gjykatës se Apelit në Shkodër.

Ndërsa është vendosur që me datën 21 dhe 22 qershor të bojkotohet dhe masat e arrestit dhe gjykimet me karakter të ngutshëm.

Avokati Anton Kosteri nënvizoi se nëse nuk reagohet ndaj kësaj mase nuk përjashtohet edhe mundësia e protestës përmes grevës së urisë.

Shqetësimin për mbylljen e disa gjykatave ne veri te vendit si ajo e Apelit Shkodër, gjykata administrative si dhe gjykatat e faktit në Tropojë, Pukë, i shprehen dhe avokatë të tjerë.