Në vazhdën e takimeve për konsultimin e hartës së re gjyqësore, Këshilli i Lartë Gjyqësor bashkëbisedoi sot me aktorë të sistemit të drejtësisë në Qarkun e Korçës. E pranishme në këtë takim ishte edhe kryetarja e KLGJ Nauerda Llagami, e cila nënvizoi se të gjitha shqetësimet do të kihen parasysh.
“Këto takime janë pjesë e konsultimit. Ne pa përfunduar këto takime nuk mund ta përfundojmë procesin e miratimit të hartës së re gjyqësore. Është një proces që impakton shumë gjykata. Këshilli është i ndjeshëm ndaj deklaratave të bërë në këto takime nga grupet e interesit. Kundërshtimet që na janë parashtruar. Sot u vura në dijeni që dhoma e avokatisë ka shkuar në një propozim konkret për KLGJ dhe Ministrinë e Drejtësisë. Unë e mirëpres këtë propozim. Ne mund ta shohim produktin në një këndvështrim tjetër. Ne mund të rishohim propozimet”, deklaroi ajo.
Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor u shpreh se harta e re gjyqësore do të rrisë efiçencën nëpër gjykata. Sipas saj grupi i punës që ka nisur mbledhjen prej shkurtit të vitit 2019 ka hartuar një model që rrit eficencën e punës në gjykata.
“Ajo që ne do miratojmë pas këtyre diskutimeve, ne do reflektojmë dhe argumentojnë dhe do i propozojmë qeverisë. Grupi i punës ka zgjedhur një model që në këto momente zbaton ligjon dhe është model që ofron eficencë më të lartë nëpër gjykata, Përmirëson aksesin nëpër gjykata. Rrit eficencën dhe specializimin. Është menduar që ky projekt i realizon objektivat që ne kemi. Grupi i punës e ka nisur punën në shkurt të vitit 2019. Asnjëherë nuk është zhvilluar një proces ku palët ulen së bashku për të diskutuar. Këto janë detyrime që na burojnë nga ligji, në kuadrin e reformës në drejtësi. Sot kemi një realitet ndryshe në Shqipëri. Të dhënat që kemi mbledhur. Shpenzimet nuk rriten. Shpenzimet do jenë po njësoj. Ligji parashikon mënyrë tjetër për rimbursimin e shpenzimeve në gjykatë. Ky është një propozim që përmirëson cilësinë në gjykata. Ky është një nga propozimet”, u shpreh Llagami.
Kujtojmë se dje Këshilli Bashkiak i Korçës ka miratuar një rezolutë ku i ka kërkuar kryeministrit EdI Rama si dhe ministrit të Drejtësisë Ulsi Manja të rishikojnë draftin për hartën e re gjyqësore e propozuar nga KLP, duke lënë në funksion Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Korçë dhe Gjykatën e Apelit Korçë.
Në argumentimin e sa këshillit bashkiak theksohet se mbyllja e disa institucioneve të drejtësisë në qytetin e Korçës do të ulë aksesin e qytetarëve në marrjen e shërbimeve. Sipas tyre aksesi në drejtësi lidhet me distancën qytetar-gjykatë, numrin e popullsisë në marrjen e këtij shërbimi, kostot e qytetarit në përfitim, si dhe me rritjen e cilësisë së këtij shërbimi. Po ashtu draft harta e re gjyqësore nuk merr për bazë që sistemi gjyqësor ka qenë i organizuar edhe më parë me një gjykatë të vetme Apeli me seli në Tiranë, në një kohë me një numër gjyqtarësh shumë më të madh nga çka rezulton sot dhe me një numër më të vogël çështjesh në gjykim, dhe një organizim i tillë rezultoi i dështuar dhe solli rritjen e numrit te gjykatave të apelit nëpër rrethet gjyqësore ku u vendosen.