Heqja e Gjykatës së Apelit nga Shkodra për të pasur vetëm një të vetme në Tiranë në hartën e re gjyqësore, ka sjellë reagimin e avokatëve dhe gjyqtarëve të Shkodrës. Këta të fundit kanë protestuar në një mënyrë shumë të veçantë, duke kujtuar se çfarë ndodh kur prezenca e shtetit largohet nga njerëzit.

"Largoni Gjykatën, rikthejmë kanunin", shkruajnë ato në një pankartë të varur brenda një salle gjyqi në Gjykatën e Shkodrës.

Harta e re gjyqësore e propozuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor është kundërshtuar nga avokatë, gjyqtarë dhe ekspertë të drejtësisë në Shkodër. Kjo kundërshti ka ardhur gjatë tryezës së konsultimit që KLGJ bëri sot atje, si në vazhdën e diskutimeve në të gjithë vendin. Në nisje të takimit, përfaqësues të dhomës së avokatisë në Shkodër kanë vendosur edhe pankartën e mësipërme. 

Avokati Fuat Vjerdha theksoi se krijimi i një Gjykate Apeli cenon aksesin në drejtësi të qytetarëve, teksa shtoi se kjo do të ndikojë jo pak edhe në cilësinë e jetës së tyre.

"Unë theksoj me forcë që krijimi i një Gjykate Apeli cenon aksesin në drejtësi. Ju thoni se çështjet gjykohen në dhomën e këshillimit, por sa prej këtyre çështjeve gjykohen kështu? Ne i shikojmë gjykatat të mbushura me publik dhe ai publik që vjen në Gjykatën e Apelit Shkodër, është i detyruar të shkojë në Tiranë. Shkodra po kthehet në një provincë pa farë rëndësie duke i heq edhe institucionet. Heqja e këtij institucioni të rëndësishëm ndikon edhe në cilësinë  e jetesës së qytetarëve të Shkodrës", tha ai.

Kundër hartës së re gjyqësore u shpreh edhe avokati Apollon Haxhi, i cili tha se propozimi për hartën e re gjyqësore shpreh vetëm interesat e pushtetit gjyqësorë dhe aspak ato të publikut. Për avokatin Haxhi, heqja e Gjykatës së Apelit nga Shkodra për të pasur vetëm një të vetme në Tiranë, është e papranueshme.

"Në aspektin teknik, ju shprehni vetëm interesta e pushtetit gjyqësor, por ligji ka edhe interesa të tjera, interesat e publikut. Ju mbroni interesat e Gjyqësorit, Ministria e Drejtësisë të qytetarëve. Në material as nuk citohet fare afërsia e individit me gjykatën. Unë si avokat jam në një farë forme përçues të interesit të publikut dhe duke mos e përfshirë pjesën që lidhet me afërsinë e individit me Gjykatën, duke krijuar boshllëqe shumë të mëdha, më duket e papranueshme kalimi në një Gjykatë Apeli të 6 gjykatave. Ju në argumentet tuaja nuk thoni fare se pse ndodh kjo shkrirje, i lidhni të gjitha me delegimin e gjyqësorit", u shpreh ai.

Kjo protestë bëhet edhe më kuptimplotë kur jemi vetëm disa ditë pas ngjarjes së ndodhur në Lezhë ku 17-vjeçari Florian Pervathi vrau për gjakmarrje vëllain e vrasësit të babait të tij, që ishte ekzekutuar 13 vite më parë.

Harta e re gjyqësore parashikon 12 gjykata të shkallës së parë të juridiksionit të përgjithshëm, dhe vetëm 1 gjykatë apeli për juridiksionin e përgjithshëm dhe 1 për atë administrativ. Sa i përket gjykatave të shkallës së parë administrative parashikohet të jenë 2, në Lushnjë dhe në Tiranë nga 6 që ishin gjithsej.  Pra, nga propozimi konkludohet që nga 36 gjykata që janë aktualisht të ngelen 16.