Sot, Nënkomisioni Parlamentar për Qeverisjen Vendore zhvillon në ora 10.00 një seancë dëgjimore me përfaqësues të grupeve të interesit për shqyrtimin e projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.8652, datë 31.7.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore”, të ndryshuar”.
Përcakton në mënyrë të qartë funksionimin e njësive të reja vendore të përcaktuara me reformën territoriale. Gjithashtu ajo që është e rëndësishme në këtë projektligj ruhen të gjitha shërbimet për qytetarët, të cilat do të vazhdojnë te merren në ato qendra si më parë, të cilat do të jenë zyrat e bashkive të reja.
Në relacionin e projektligjit theksohet se
Objektivi i parë, “ruajtja e të njëjtit akses në shërbimet vendore” sipas strukturës së ndarjes së vjetër administrativo-territoriale.
Kjo do të thotë që zgjidhja e propozuar duhet të sigurojë që shërbimet lokale ekzistuese të mund të ofrohen njësoj për të gjithë banorët e njësive të reja territoriale, pavarësisht nëse disa prej tyre do të banojnë më larg qendrës së njësisë në raport me qendrat aktuale.
Objektivi i dytë, “sigurimi i ruajtjes së vendimmarrjes së vogël administrative” në nivelin e njësive aktuale bazë të qeverisjes vendore.
Modeli që plotëson më së miri objektivat e mësipërm është ruajtja e njësive aktuale të qeverisjes vendore si njësi administrative përbërëse e bashkive të reja.
Pra të gjitha komunat aktuale do të funksionojnë si minibashki të 61 njësive të mëdha. Administrata e tyre do të zgjidhet nga bashkia qendrore.
Ndarja e bashkive të reja në disa njësi administrative përbërëse (ish-komuna) respekton lidhjet tradicionale, historike, ekonomike dhe sociale të zonës.
Të gjitha njësitë administrative në territorin e një bashkie, nënndarjet e tyre, shtrirja në territor, qytetet dhe fshatrat që e përbëjnë, janë përcaktuar në ligjin nr.115/2014, “Për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë”.
Gjithashtu, është parashikuar që qytetet e mëdha mund të ndahen në njësi më të vogla administrative që quhen lagje. Një lagje mund të krijohet vetëm në territore me mbi 20 mijë banorë. Ndarja e qyteteve në lagje dhe shtrirja e tyre territoriale miratohet me vendim të këshillit bashkiak.
Projektligji synon që për një periudhë dyvjeçare pas zgjedhjeve vendore të vitit 2015, aparati administrativ të funksionojë detyrimisht në çdo njësi administrative (ish-komunë).
Më tej parashikohet që këshilli bashkiak, bazuar në nevojat e komuniteteve dhe eficencën administrative, të mund të riorganizojë
ndryshe aparatin administrativ që të mbulojë një ose disa njësi administrative njëherazi. Në këtë mënyrë do të rritej edhe më tej eficenca administrative si një nga qëllimet kryesore të reformës.
Nga ana tjetër do jetë vetë këshilli që do të marrë vendimin në mënyrë autonome se në cilat njësi administrative do të funksionojnë aparati administrativ.
Siç e tregon edhe emri i tyre, administrata e njësive administrative dhe njësive bashkiake në qytetin e Tiranës do të kenë vetëm funksione/detyra administrative, me qëllim ofrimin e shërbimeve ndaj publikut sa më pranë zonës së tyre të banimit.
Për njësitë administrative projektligji parashikon një listë me detyra përkatëse që do kryhen brenda juridiksionit të tyre territorial si nëndarje e bashkisë, si p.sh., funksionimi si pikë e shërbimit me një ndalesë për procedurat administrative, mbikëqyrja e territorit të njësisë administrative për zbatimin e ligjit brenda fushës së kompetencave të bashkive dhe bazuar në vendimin e këshillave bashkiake, si dhe detyra të tjera, si administrimi i parqeve e lulishteve apo tregjeve, propozimi i nismave në dobi të komunitetit etj. Kjo listë detyrash mund të shtohet edhe më tej me detyra që mund t’i delegohen administratës me vendim të këshillit bashkiak ose kryetarit të bashkisë./atsh/
Redaksia online
(f.m/shqiptarja.com)