Harxhi dhe Ristani mbetën jashtë Këshillit Kombëtar të PD, 'Grupi për PD': Vendimet e marra antistatutore! Do jemi opozitë e fuqishme në vend

Harxhi dhe Ristani mbetën jashtë Këshillit Kombëtar të PD, 'Grupi për PD':  Vendimet e marra  antistatutore! Do jemi opozitë e fuqishme në vend

Grupi për PD

TIRANË- Dy prej anëtarëve të Grupimit për PD, Edith Harxhi dhe Arben Ristani mbetën jashtë Këshillit Kombëtar të PD-së, por ky vendim për ta është në kundërshtim me statutin e partisë. Për këtë grupim, që lindi si një opozitë e fortë ndaj PD-së, lista e përgatitur nga Lulzim Basha dhe drejtuesit e qarqeve ishte klienteliste që nuk përfaqëson anëtarësinë. Në deklaratën zyrtare të tyre, thuhet se ky Kuvend i mbajtur, nuk kishte asnjë lidhje me atë se çfarë është parë në Kuvendet e mbajtura deri para vitit 2018. Deklaratat për vjedhje të zgjedhjeve të 25 prillit, ato i kanë konsideruar absurde, për aq kohë sa sipas tyre Basha ka manipuluar vetë zgjedhjet brenda partisë.

“Kuvendi i fundit i Partisë Demokratike i zhvilluar më 17 korrik 2021, megjithëse i papërcaktuar nëse ishte kuvend i jashtëzakonshëm, statutor, apo zgjedhor, u mbajt në kundërshtim me rregullat statutore të Partisë Demokratike.  Jo vetëm vendimet që u morrën ishin antistatutore, por edhe fryma që u përcoll ishte antidemokratike dhe antieuroatlantike. Mungesa e një analize të thellë nga anëtarësia për shkaqet e humbjes së zgjedhjeve të 25 prillit 2021 por e përgatitur me shpejtësi nga grupe lobiste, si dhe mos marrja e përgjegjësisë, deri në deklarimin e humbjes si fitore, ishin butaforike dhe nuk përafrohej aspak në asnjë formë me Kuvendet e PD-së deri në vitin 2018.

Gjithçka ndodhi gjatë këtij Kuvendi, tregoi dhe dëshmoi edhe një here qartë se ai që manipulon votat dhe zgjedhjet në partinë e tij, nuk ka mundësi të fajësojë tjetrin për të njëjtin krim. Bojkotimi që i bënë mijëra anëtarë të partisë këtij Kuvendi, numrat e fryrë qëllimshëm nga zyrat e kontrolluara në PD, për të treguar përkrahjen për liderin suprem, si dhe votimi e numërimi natën i anëtarëve të Këshillit të ri Kombëtar, treguan edhe një herë mendësinë me të cilën udhëhiqet PD-ja sot. Shumë nga kandidatët për anëtarë të Këshillit Kombëtar u propozuan në mënyrë klienteliste nga drejtues politik të listës së deputetëve në qarqe dhe kryetarë të degëve, duke mos përfaqësuar gjerësisht anëtarësinë. Mbi të gjitha Këshilli Kombëtar nuk mund të jetë kurrësesi organ këshillues”, thuhet në deklaratë.

Megjithatë, në fund të deklaratës së tyre, përjashtimi nga Këshilli i PD-së, sipas tyre, nuk do i ndalë që të jenë një opozitë e fuqishme në vend.

“Përjashtimi masiv nga Këshilli Kombëtar i njerëzve që kundërshtojnë prej vitesh drejtimin arbitrar dhe antidemokratik në PD, si dhe lënia jashtë punimeve të Kuvendit e mijëra demokratëve të përkushtuar, tregojnë përfundimisht se linja drejtuese e Partisë Demokratike dhe udhëheqësi i saj në detyrë, nuk kanë asgjë të përbashkët me gjithçka po ndodh me opozitën dhe me gjithë Shqipërinë. Në këtë mënyrë dhe formë PD-ja nuk mund të bëhet forcë udhëheqëse, por çdo lloj përpjekje për të vazhduar kapjen e saj do të jetë e dështuar.

Në këto kushte dhe përballë një realiteti të tillë mjaft shqetësues dhe me pasoja për Shqipërinë, Grupi për PD-në do të vazhdojë të jetë zëri i demokratëve të vërtetë dhe do të jetë opozitë e fuqishme në vend”, thuhet në deklaratë.

B.K./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë