Has - Babë e bir Rrustem Ukaj, 70 vjeç dhe Besmir Ukaj,34 vjeç kanë rënë në prangat e policisë për kultivim kanabisi, ndërkohë djali tjetër është shpalllur në kërkim. Në lidhje me këtë rast në gjendje të lirë do të hetohet kryeplaku i fshatit Vlahën, për shpërdorim detyre.
Parcela me kanabis (1874 bimë) u zbulua nga blutë në njësinë administrative Golaj, në territorin e fshatit Vlahen - ku një pjesë e tyre u asgjësuan me djegie.
Gjatë kontrolleve në banesën e tyre policia gjeti dhe sekuestroi municion luftarak dhe 5 m fitil zjarrpërcjellës.
"Shërbimet e Komisariatit të Policisë Has, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Kufitare Qaf Prush, kanë vijuar me intensitet kontrollet në të gjithë territorin e bashkisë Has, me qëllim parandalimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike.
Si rezultat i kontrolleve, në njësinë administrative Golaj, në territorin e fshatit Vlahen, u konstatuan të kultivuara një numër i konsiderueshëm bimësh të dyshuara narkotike Cannabis Sativa, të cilat u asgjësuan me djegie.
Në vijim të veprimeve hetimore u arrestuan si autorë të dyshuar, shtetasit Rr. U ., 70 vjeç dhe B. U., 34 vjeç (babë dhe bir), banues në fshatin Vlahën, si dhe u shpall në kërkim djali tjetër i 70-vjeçarit, shtetasi A. U., 44 vjeç.
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin Rr. S., 58 vjeç, me detyrë kryetar i fshatit Vlahën, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Kontrollet vijojnë në të gjithë territorin e qarkut Kukës, me qëllim parandalimin dhe goditjen e veprimtrisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike", njoftoi sot policia.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Komente







