Para rritjes së pagave, premtimi më i madh i kryeministrit ishte investimi kapital, ku vetëm në disa komuna, shuma totale e premtimeve të tij pati kaluar vlerën mbi 1 miliard euro. Gjatë hapjes së fushatës në Mitrovicë, kryeministrit Thaçi në atë kohë pati premtuar se do të investojë më shumë se 150 milionë euro, nëse kandidati i partisë së tij, Avni Kastrati, i fiton zgjedhjet për kryetar të komunës.
Po ashtu, në komunën e Malishevës Thaçi pati premtuar se do të investojë 75 milionë euro nëse zgjedhjet i fiton kandidati i PDK-së, Isni Kilaj.
Edhe në komunën e Obiliqit gjatë fushatës parazgjedhore Thaçi pati premtuar investime prej 60 milionë euro, po aq edhe në komunën e Fushë Kosovës nëse kandidatët e tij, Vehbi Sadiku, respektivisht Naser Grajqevci, arrijnë t’i marrin votat e elektoratit për të qeverisur me komunat në katër vitet e ardhshme.
Premtime marramendëse gjatë fushatës, Thaçi pati bërë edhe në komunën e Podujevës për kandidatin e tij, Naim Fetahu, e ku kishte premtuar investime prej më shumë se 80 milionë euro. E kulmin e kishte arritur në Gjilan ku kishte premtuar investime prej 120 milionë euro në emër të kandidatit të tij për kryetar të komunës, Qemajl Mustafa.
Mirëpo, këtu edhe në komunat e cekura më lart ai i humbi zgjedhjet lokale kundrejt premtimeve dhe një fushatë intensive. Në këto komuna pas zgjedhjeve Thaçi i harroi premtimet, harroi vizitat ditore në to, dhe u bë kinse asgjë nuk ka ndodhur. Mirëpo, tek e fundit premtimet e tij lidhen direkt me komuna. Por, premtimi i dytë më i madh që nuk ishte në nivel lokal, ishte rritja e pagave për 100 për qind gjatë mandatit katërvjeçar, që do të thotë se për çdo vit do të ketë rritje të pagave prej nga 25 për qind.
Mirëpo, kaloi gati një muaj dhe asgjë nuk ndodhi në këtë drejtim, pavarësisht se paratë për paga, në raport me vitin e kaluar, sivjet janë më të larta për 48 milionë euro. Në vitin 2013 kanë qenë të ndara për këtë qëllim 435 e sivjet janë 483 milionë euro.
Por, pavarësisht ndarjes së mjeteve, zyrtarë të Qeverisë edhe më tutje vazhdojnë të jenë në mëdyshje rreth përmbushjes së këtij premtimi.
Para tre ditësh këshilltari i ministrit të Financave kishte thënë se premtimi i dhënë i kryeministrit, do të realizohet brenda këtij viti. Por, kur do të bëhet rritja dhe sa do të jetë rritja, ai ka thënë se është çështje për të cilën duhet të vendosë Qeveria e Republikës së Kosovës. Po ashtu, sipas tij, me një vendim të tillë do të përcaktohet momenti prej kur do të fillojë rritja e pagave dhe sa do të jetë përqindja.
Andaj në këtë rast, kryeministrit Thaçi duhet ta mbajë fjalën dhe të rritë pagat edhe ashtu të vogla të punëtorëve të arsimit, por edhe shërbyesve civilë në vend, e nëse ndodh e kundërta premtimi i parealizuar i tij do të ishte një goditje e rëndë për të në zgjedhjet nacionale që do të mbahen gjatë këtij viti.
Marrë nga "Zëri"