Motivacioni i kësaj mirënjohjeje ishte: “Protagonist i rendit parësor, me veprimtari të shumanshme, që me rolin e tij në lartësinë e përgjegjësive të epokës, i ka bashkuar emrin e vet një kohe të re historike për Kosovën dhe popullin e saj;
Shënjues i denjë i një breznie me ideale të larta kombëtare, që e çoi vendin në mënyrë të vendosur dhe dinjitoze në rrugën e pavarësimit të pakthyeshëm dhe të ndërtimit të suksesshëm shtetëror;
Njeriu që, në krye të drejtimit të jetës së re shtetërore e qytetare të vendit, me të njëjtën zotësi e urtësi, si faktor themelor në ekuilibrat gjeopolitike të jashtme dhe në ato ndëretnike të brendshme, ndërtoi paqen shoqërore në Kosovë;
Figurë me rëndësi vendimtare në mbrojtje të njësisë së identitetit kombëtar, gjuhës dhe vlerave themelore shqiptare;
Presidentit të Republikës së Kosovës, që ka përuruar me denjësi një shembull të çmuar të sinergjisë kombëtare, në pajtim të plotë me sovranitetet shtetërore.”
Thaçi në fjlaën e tij ka falenderuar akademikët, profesorët dhe studiuesit dhe tha se "nëse për kufijtë shtetërorë nuk mjaftojnë dy palë për të marrë vendime, për kufijtë e hapësirës kulturore e shkencore kombëtare shqiptare gjithçka është në dorën tonë".
“Dua të shpreh respekt dhe admirim për të gjithë ju që ia keni kushtuar jetën kërkimit shkencor e sidomos kur vjen fjala për historinë, kulturën, identitetin dhe gjuhën kombëtare, një punë të çmuar që ju e bëni ashtu pa bujë e me modesti.
Nderimin që më rezervuat unë e konsideroj një çështje që nuk ka të bëjë vetëm me emrin dhe kontributin tim, por edhe me simbolikën gjithëpërfshirëse e përfaqësuese që përmban institucioni i Presidentit të Republikës së Kosovës.Është shumë e rëndësishme për dy akademitë shqiptare, për institucione të tjera shkencore, që të kontribuojnë maksimalisht për të hequr çdo pengesë që të kemi një hapësirë të vetme kulturore, gjuhësore, letrare, shpirtërore.
Nëse për kufijtë shtetërorë nuk mjaftojnë dy palë për të marrë vendime, për kufijtë e hapësirës kulturore e shkencore kombëtare shqiptare gjithçka është në dorën tonë. Prandaj le të shohim përbashkësinë përtej dallimit, njëjtësinë përtej kufijve shtetëror, identitetin kombëtar përtej ndërvarësisë që kemi nga konjuktura ndërkombëtare. Faleminderit dhe një herë", u shpreh Hashim Thaçi.
Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com