“Belinda Balluku duhet të kishte dhënë dorëheqjen”, tha të enjten politologu Ermal Hasimja gjatë një interviste me Report TV ku analizoi zhvillimet e fundit në vend.
“Në një vend normal të Europes, kur futesh në shënjestrën e drejtësisë, gjëja më normale është të japësh dorëheqjen vetë. Gjëja e dytë më normale do të ishte që Rama ta shkarkonte atë. Në fund të fundit, dihej ku do të shkonte ky proces. Tashmë Balluku është vënë në shënjestër jo thjesht nga SPAK por edhe nga opinioni publik. Mungesa e dorëheqjes e bën që të humbasë pikë edhe para opinionit publik” tha Hasimja.
Nga ana tjetër, Hasimja argumenton se pavarësisht skandaleve të qeverisë PD nuk po arrin ta shfrytëzojë këtë shans.
“Kemi të bëjmë me një situatë detyrimi për të reaguar. Pjesërisht është edhe efekti i Salianjit. Ka një nevojë të brendshme të PD-së për tu bërë më agresive, për të marrë vëmendje dhe për tu treguar shqiptarëve, se po i prin betejës kundër korrupsionit në Shqipëri. Nuk besoj që mund të ketë rast tjetër në Evropë ku opozita të ketë këtë shans që ka përballë qeverinë më të korruptuar dhe drejtësinë që godet vazhdimisht. PD prapë nuk po arrin ta kapitalizojë këtë situatë” tha Hasimja.
Duke komentuar përplasjet e radhës mes Sali Berishës dhe Ervin Salianjit, Hasimja tha se ky i fundit “i ka bërë një nder shumë të madh PD-së”.
“Kjo e Salianjit ka shërbyer si përshpejtues i situatës sepse DP nisi të lëvizë sapo filloi lëvizja e Salianjit. Unë mendoj që Salianji i ka bërë një nder shumë të madh PD-së. E ka nxitur, ka dhënë një kontribut shumë më të madh seç mund të jepte brenda kryesisë” tha Hasimja.
Hasimja solli në kujtesë që përjashtimet kanë ndodhur shpesh në DP dhe tha se tashmë Berisha dhe Salianji “kanë fatet e tyre politike dhe janë zotër te vetes së tyre.”
“Ne nuk kemi merakun kryesor fatin e Salianjit, Berishës apo Nokës. Shqetësimi ynë kryesor është çfarë duhet të bëjë opozita për të çuar nivelin e përfaqësimit të pakënaqësisë popullore deri tek përmbysja e qeverisë. Berisha dhe Salianji kanë fatet e tyre politike dhe janë zotër të vetes së tyre” tha Hasimja.
I pyetur nëse opozita e ka luksin të bëjë përjashtime nga rradhët e saj, në një moment kur ka përballë një qeveri të korruptuar dhe SPAK qe ngre akuza, Hasimja vlerësoi kontributin e rëndësishëm të Salianjit sepse sipas tij “PD është më aktive se më parë.”
“Salianji ka një kontribut te rëndësishëm. Salianji dhe çdo njeri tjetër, nëse konstaton një problem te madh me apatinë ne DP, është e qartë ose do vazhdosh të bëhesh pjesë e dekorit, ose do reagosh, qoftë për të ndryshuar partinë apo nisur ndonjë nismë politike. Cilido nga ne që do të ishte aty, do të bënte logjikisht te njëjtën gjë. Partia nuk është vetëm e Berishës. Berisha nuk do të kishte rolin dhe pushtetin që ka, nëse nuk do të kishte një grup njerëzish që kanë investuar në figurën dhe pushtetin e Berishës. Ndaj nuk është pushteti i një njeriu të vetëm” tha Hasimja.
Komente












