Plumbat e kallashnikovit kanë lënë të vdekur dje një vajzë 17 vjeçare dhe gjyshin e saj 70 vjeçar në fshatin Kasnec të komunës Pult në Shkodër. Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 16:15 të pasdites së djeshme ndërsa Marie Çukaj dhe Kolë Çukaj ishin duke punuar tokën e tyre. kanë marrë jetën dje një vajze të re 17-vjeçare dhe gjyshit të saj. Motivi i ngjarjes së rëndë, që ndodhi në lagjen Kasnet të fshatit Kir të Dukagjinit, mendohet të jetë gjakmarrja. Policia bëri të ditur se Marie Çukaj vdiq menjëherë ndërsa Kol Çukaj, 70 vjeç, ndërroi jetë gjatë rrugës për në spital. Dyshimi paraprak për gjakmarrje vjen nga një ngjarje e vitit 2010, kur Gjokë Çukaj ka vrarë me armë zjarri shtetasin Ndoc Prroi. Policia e Shkodrës konfirmoi dje se ka identifikuar autorin e dyshuar. “Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Kasnec i cili është një fshat në një terren shumë të thellë dhe viktimat janë transportuar me shumë vështirësi drejt spitalit. Distanca e fshatit nga qendrat e tjera të banuara ka bërë që edhe policia të mbërrijë me vonesë në vendngjarje por mund të konfirmojmë se është shpallur në kërkim një person si autor i dyshuar i ngjarjes së rëndë”, thanë dje për Shqiptarja.com burime nga policia e Shkodrës.
HASMËRIA
Autori i dyshuar i ngjarjes së djeshme mendohet se fshihet në rrethinat e fshatit Kasnec. Për këtë arsye Drejtoria e Policisë së Shkodrës ka shtuar forcat policore në zonë dhe ka nisur kontrollet për zbulimin e autorit i cili paraprakisht dyshohet si një antar i fisit Prroi. Dy fiset kanë hyrë në hasmëri në korrikun e vitit 2010 kur sherri për një vijë uji degradoi në vrasje. Vrasja e vitit 2010 ka ndodhur në lagjen “Kasnec” në fshatin malor të Kirit dhe viktima Ndoc Prroi ishte baba i katër fëmijëve. Shkak i vrasjes ishte një konflikt i hershëm i viktimës me fqinjin e tij për shkak të ujit që përdoret për vaditje. Sipas banorëve të këtij fshati, viktima, lindur e banues në këtë fshat, ka pasur konflikt me familjen Çukaj prej kohësh. Madje është mësuar se edhe ditën e ngjarjes kryefamiljari Çukaj dhe viktima janë zënë me njëri-tjetrin. Madje Ndoc Prroi është kanosur nga fqinji i tij çka ka bërë që ai të njoftojë policinë, duke u shprehur se rrezikonin ta vrisnin. Një gjë e tillë ka bërë që uniformat blu të mbërrinin në vendngjarje dhe të shoqëronin për në komisariat kryefamiljarin Çukaj. Por ky veprim nuk duket se i ka qetësuar gjakrat, pasi ndërsa ka parë se të atin ia kishin dërguar në qeli, 23-vjeçari Gjokë Çukaj, ka marrë një armë dhe ka qëlluar kundër fqinjit të tij Ndoc Prroi, duke e lënë të vdekur. Më pas ai është larguar nga vendngjarja, teksa një javë më vonë ai u vetëdorëzua dhe tani gjendet në burg.
KONFLIKTET
Fshati Kir në komunën e Pultit në Dukagjin është një fshat malor ku ka pak tokë, vetëm ajo rreth banesave dhe banorët e përdorin ujin për vaditje sipas radhës, pasi kanalet përkatëse mungojnë. Banorët e këtij fshati kanë hapur vetë kanale për ta marrë ujin nga lumi dhe përdorur për të ujitur tokat dhe shpesh kjo është bërë burim konfliktesh që kanë shkaktuar dhe vrasje. Një vit më parë, grindja për ujin solli vrasjen e 33-vjeçarit Zek Tonaj dhe plagosjen e babait të tij Ndue Tonaj, ngjarje kjo e ndodhur në qendrën e komunës Shalë në zonën e thellë malore të Dukagjinit në Shkodër, në fshatin Breg Lumi. Vrasja e djeshme është e shtata që ndodh në këtë zonë në 10 vitet e fundit si pasojë e konfliktit të banorëve për sigurimin e burimeve ujore për tokat.
(sg/shqiptarja.com)