Havari: Vrasja e Ndokës, për
arsye të forta. Heshtja, dyshuese

Havari: Vrasja e Ndokës, për<br />arsye të forta. Heshtja, dyshuese<br /><br>
Për ish-oficerin e lartë të Policisë së Shtetit, Mit’hat Havari, vrasja e djeshme e Aleksandër Ndokës ka patur në sfond arsye të forta.
“Ka pasur arsye të forta që e kanë ekzekutuar. Atje është bërë nami me tokat, si në Kavajë. Pastaj ka patur konflikte e trafiqe, të cilat policia e Lezhës i njeh mirë”, ka thënë Havari, i ftuar në studion e lajmeve të “Report Tv”.

Ish-zyrtari i policisë e ka krahasuar ekzekutimin në fjalë me ekzekutimet mafioze në Siçili dhe ato të vitit ‘97, kur ishte ende në detyrë. “Kjo është vrasje siçiliane, ose si ato të Altin Dardhës në kohën e ‘97, kur kam qenë në detyrë. Mendoj se diferenca e kohës dhe heshtja e familjarëve është komprometuese”, ka thënë Havari.

Ai ka shprehur dyshimet e tij sa i takon denoncimit me 6 orë vonesë të familjes së të ndjerit, që sipas tij nuk është aspak normale. “Jam çuditur nga kjo. Edhe nëse ka 2 apo 1 orë vonesë do të thotë se këtu ka diçka. Ata ndoshta kanë informacion, e dinë, mendojnë për hakmarrje. Rrugë tjetër s’ka”, ka thënë Havari. 

VIDEO/Intervista e plotë e ish-oficerit të lartë të Policisë, Mit’hat Havari

Intervista e plotë:

Zoti Havari, cilat janë të fshehtat e kësaj ngjarjeje?

Mit’hat Havari: Nuk ka gjë të fshehtë. Vrasësit e kryen atë dhe kaq.

Kemi të bëjmë me një sulm mafioz?

Mit’hat Havari: Po, si vrasje siçiliane është. Vrasje e ashpër, e rëndë.

Vrasja është kryer në mbrëmje, ndërsa familja ka njoftuar policinë në mëngjes. Sa dyshime ngre kjo?

Mit’hat Havari: Jam çuditur nga kjo. Edhe nëse ka 2 apo 1 orë vonesë do të thotë se këtu ka diçka. Ata ndoshta kanë informacion, e dinë, mendojnë për hakmarrje. Rrugë tjetër s’ka. Ose ndonjë gjë që mund të ketë pasur ai në makinë e kanë marrë. Nuk ka mundësi që të mos kenë dëgjuar zhurmën e automatikut.

Kanë menduar se janë fishekzjarre...

Mit’hat Havari: Zhurma e fishekzjarrëve nga ajo e plumbave ndryshon si nata me ditën. Ata mbase s’janë ekspertë t’i dallojnë, por është ora 10, mungon kryefamiljari, ka diçka që nuk shkon. Aq më shumë kur këta si fis nuk është se kanë qenë të paekspozuar, paqësorë, etj. Kanë pasur probleme. Nuk kanë dalë sot këto probleme në Lezhë, kanë vite dhe policia s’i ka kontrolluar dot.

Po përplasjen e të birit në zgjedhjet e 25 qershorit?

Mit’hat Havari: E përjashtoj djalin e tij. Ka pasur arsye të forta që e kanë ekzekutuar. Atje është bërë nami me tokat, si në Kavajë. Pastaj ka patur konflikte e trafiqe, të cilat policia e Lezhës i njeh mirë.

Në formularin e deklarimit Ndoka del i papërfshirë...

Mit’hat Havari: E pash, por sot ka mënyra për t’u vetëpastruar. Unë them vetëm kaq, që autorët që kanë arritur tek vrasja kanë pasur arsye të forta. Nuk është një problem i thjeshtë. Vrasjet e çastit i bëjnë të vegjlit, por ky ishte 50 vjeç.

Mendoni se marrja e aparateve të telefonit nga policia do të zbardhë ngjarjen?

Mit’hat Havari: Mundet, por ata që kanë bërë vrasjen i janë shmangur këtyre gjërave, pasi kapja në telefon i nxjerr bllof para prokurorisë. Grupi hetimor do ta ketë vështirë nëse ata janë vrasës me pagesë.

Nga ora e vrasjes deri tek njoftimi i policisë, vrasësit kanë patur gjithë kohën për t’u larguar. Sa e vështirë është për policinë të bllokojë rrugët dhe të bjerë në gjurmët e tyre?

Mit’hat Havari: Nuk ka patur postbllok dje në Lezhë, rruga ka qenë e lirë dhe ata e kanë patur të lehtë të largohen. Edhe këto krehjet që bëhen unë i shoh si të kota, nuk është arritur kurrë asgjë. Gjithçka varet nga profesionalizmi me të cilin do të bëhet hetimi. Kjo është vrasje siçiliane, si ajo e Altin Dardhës në kohën e ‘97, kur kam qenë në detyrë. Mendoj se diferenca e kohës dhe heshtja e familjarëve është komprometuese.

A ka një mesazh vrasja përpara derës së shtëpisë?

Mit’hat Havari: Po, ata kanë ligjet kanunore dhe unë di se në të tilla raste kthehet restoja. Heshtja e familjarëve vërteton që ata vetë e kanë lënë situatën ashtu derisa të vinte policia. Por këtë e dinë ata.

Përse këto ngjarje të rënda nuk zbardhen?

Mit’hat Havari: Ka edhe që janë zbardhur, por policia nuk ka forcë. Këto janë problemet me politikën shqiptare. Një polic nuk duhet të trembet nga deputeti i zonës, gjë që e kam provuar në kurriz e që vazhdon edhe sot. Ata nuk kanë kurajë. Asnjë polic nuk merr kurajën të shkojë të kryejë një arrestim pa qenë shefi aty.

A do të ndryshojë ky realitet?

Mit’hat Havari: Unë shpresoj shumë. Do të bëhet vettingu në polici dhe mendoj se do të bëjë pastrime. Vazhdoj të shpresoj se policia shqiptare do të pastrohet nga ata oficerë që janë pasuruar në mënyrë të paligjshme. Ata nuk sakrifikojnë, këtu sakrifikojnë oficerët e ndershëm. 

d.c. & g.f. / shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Kur kthimi në Shqipëri për të investuar, përfundon në zhgënjim

Kur kthimi në Shqipëri për të investuar, përfundon në zhgënjim