Fillimisht dolën në rrugë dhe tentuan pengimin e punimeve, por nuk pati efekt. Më pas për të mos lejuar ndërtimin e dy HEC-ve dhe të një fabrike uji në zonën e Fanit në Mirditë, banorët e tre fshatrave, Thirrë, Hebe dhe Snag iu drejtuan gjyqësorit.

Dhe pas  një beteje të gjatë ligjore, Gjykata Administrative në Tiranë, shfuqizoi vendimet e miratuara nga institucionet vendore dhe qendrore, për ndërtimin e dy hidrocentraleve dhe të fabrikës së ujit. Vendimi I gjyqtarit Gentian Hamiti u jep të drejtë banoreve që ndodhen në dy shpatet e rrugës së kombit pranë Tunelit të Kalimashit

Ata kundërshtonin këto projekte duke dalë në mbrojtje të 3 burimeve ujore dhe ekosistemit aty ku jetojnë. Pas shumë seancash gjykata doli në konkluzionin se këto leje janë dhënë në kundërshtim me ligjin, duke i quajtur të pavlefshme.

Lejet për ndërtimin e HEC-eve dhe fabrikës së ujit në zonën e Thirrës ishin dhënë me 20 qershor 2018 dhe projekti po zbatohej nga kompania “Sang 1” shpk. Pavarësisht rezistencës së banoreve përmes protestave dhe përplasjeve, deri tani janë kryer gati 50% punimeve. Ndërkohë Prej vitit 2002 qeveritë në Shqipëri kanë firmosur 183 kontrata koncensionare për ndërtimin e 524 hidrocentraleve, pjesa më e madhe të cilave janë ndërtuar e të tjera janë në proçes.