Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, të enjten më 18 qershor, i qortoi ashpër kolegët e tij nga 31 vendet e tjera të NATO-s, duke shkaktuar habi dhe irritim.
Hegseth këmbënguli që gazetarët të mund të ndiqnin fjalimin e tij, sepse pikërisht për një performancë bëhej fjalë. Nuk ishte një ndërhyrje e përqendruar te rendi i ditës, por një tiradë e gjatë dhe herë-herë e paqartë, në stilin tipik të Trumpit.
Sekretari amerikan njoftoi një “rishikim” të thellë të pranisë ushtarake amerikane në Europë. Gjatë gjashtë muajve të ardhshëm, Pentagoni do të vendosë se sa ushtarë, sa avionë luftarakë dhe sa anije (ndoshta edhe një aeroplanmbajtëse) do të tërhiqen nga zona që shtrihet nga Baltiku deri në Mesdhe.
Përveç kësaj, ai akuzoi qeveritë europiane se janë “të dobëta” përballë emigracionit dhe u ndal edhe te tema të tjera, si çështjet e identitetit gjinor, të cilat nuk kishin asnjë lidhje me axhendën e takimit.
Hegseth nuk ua kishte bërë të ditur askujt qëllimet e tij. As Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, i cili, dukshëm i zënë në befasi, u përpoq më pas të zbusë ndikimin e deklaratave përpara gazetarëve.
Por, ajo që ishte edhe më e pazakontë, numri një i Pentagonit nuk kishte njoftuar as Komandantin Suprem të Forcave Aleate në Europë, të njohur si “SACEUR”. Ky post, që prej krijimit të Aleancës Atlantike, është mbajtur gjithmonë nga një amerikan. Aktualisht, SACEUR është gjenerali i Forcave Ajrore të SHBA-së, Alex Grynkewich.
Në fund të mbledhjes ministrore, gjenerali dukej i hutuar dhe i pakënaqur, aq sa bëri një tur të shkurtër mes përfaqësuesve politikë të vendeve të tjera, pothuajse sikur po kërkonte ndjesë për ashpërsinë e Hegseth.
Natyrisht, Grynkewich ndan strategjinë bazë të Pentagonit: vendet europiane do të duhet të marrin përsipër forcat konvencionale, nga tanket te dronët, ndërsa amerikanët do të vazhdojnë të garantojnë mburojën bërthamore, si edhe kapacitetet e inteligjencës dhe efikasitetin logjistik.
Megjithatë, ky është një proces që duhet menaxhuar gradualisht dhe duke marrë parasysh vështirësitë, edhe ato politike, me të cilat përballen vende të ndryshme. Mes tyre është edhe Italia.
Grynkewich kishte punuar prej muajsh për këtë çështje, së bashku me drejtuesit ushtarakë të vendeve anëtare. Goditja e papritur e Hegseth është një tjetër konfirmim se vendimet merren brenda një rrethi shumë të ngushtë të administratës amerikane.
Uashingtoni nuk konsultohet me askënd, madje as me oficerin më të lartë ushtarak, i cili ndoshta më mirë se kushdo tjetër njeh dinamikat ushtarake brenda NATO-s./ Corriere della Sera
Komente







Gabim politik.
Përgjigju