Kryeministri i Kanadasë, Mark Carney, mbajti sot, më 17 shtator, një fjalim në Parlamentin Europian, pasi presidenti amerikan Donald Trump sugjeroi se dhënia e statusit të anëtarit të asociuar të Bashkimit Europian për Kanadanë mund të përbënte një “akt armiqësor” dhe kërcënoi me vendosjen e tarifave të tjera ndaj Europës.

“Liria duhet mbrojtur çdo ditë”, deklaroi Carney.

Kryeministri kanadez përdori si shembull Lisin e Gëtes për të folur për “vlerat dhe përparimin që kalojnë përtej Atlantikut”.

“Kemi vlera të përbashkëta për të cilat kemi luftuar gjithmonë dhe që duhet të vazhdojmë t'i mbrojmë, duke qëndruar vigjilentë. Besojmë se një ekonomi e fortë nuk është një qëllim në vetvete, por një mjet për të arritur një shoqëri të drejtë”, tha ai.

Për marrëdhëniet mes Europës dhe Kanadasë, Carney u shpreh: “Europa dhe Kanadaja janë të forta, së bashku janë edhe më të forta”.

Duke iu referuar reagimit të Trump, ai deklaroi se “integrimi ekonomik tani po përdoret si armë, tarifat po përdoren për të ushtruar presion. Instrumentet financiare janë përdorur si mjete detyrimi. Zinxhirët e furnizimit përbëjnë pika të dobëta që mund të shfrytëzohen”.

Për politikat energjetike, Carney tha se aleanca mes Kanadasë dhe Bashkimit Europian mund të ndihmojë në plotësimin e nevojave të Europës për furnizim të besueshëm, të nevojave të Kanadasë për kapacitete të avancuara përpunimi dhe objektivit të përbashkët për ndërtimin e zinxhirëve të plotë të vlerës.

“Kanadaja mund të furnizojë Europën me gaz natyror të lëngshëm dhe hidrogjen në shkallë të gjerë, në mbështetje të sigurisë energjetike të saj, edhe përmes zhvillimit të infrastrukturës së re portuale në veriun e largët dhe në bregun tonë lindor”, tha ai.

Sa i përket teknologjisë, Carney u shpreh se ajo “po ndryshon natyrën e luftës, strukturën e ekonomisë dhe aftësinë e qytetarëve për të qeverisur”.

“Platformat teknologjike synojnë sovranitet. Ato duan të vendosin kushtet e aksesit, të diktojnë rregullat për standardet dhe privatësinë, madje edhe t'i anashkalojnë ato. Duan të zëvendësojnë identitetet, të imponojnë këndvështrimin e tyre dhe madje të marrin një pjesë të të drejtave tona. Kjo është një sfidë e madhe dhe nuk mund të përballohet nga një vend i vetëm”, deklaroi ai.

Duke folur për një bashkëpunim më të madh me BE-në, Carney theksoi se nuk po propozon krijimin e një blloku të tretë që synon të bëhet një fuqi rivale.

“Nuk kërkojmë pushtet për të dominuar të tjerët. Përkundrazi, synojmë qëndrueshmëri, në mënyrë që askush të mos kontrollojë tregjet tona të hapura, të cenojë sovranitetin tonë, të kërcënojë integritetin territorial apo të dëmtojë liritë, demokracitë dhe shtetin tonë të së drejtës”, tha ai, duke shtuar se këto parime, së bashku me potencialin e fuqisë së tyre, mund të kontribuojnë në krijimin e “rendit të ardhshëm botëror: të drejtë, të qëndrueshëm dhe të begatë”.

Sa i përket procesit nga ana kanadeze, Carney tha se do të ketë debat dhe votim, por nënvizoi se gjithçka është “në fillim të një rruge”. Ai shtoi se tashmë janë zhvilluar bisedime me të dërguar të posaçëm, me presidentët e Parlamentit Europian dhe Komisionit Europian, si edhe diskutime joformale me disa liderë europianë. Në fund të tetorit do të zhvillohet një samit në Montreal, ku “do të hyhet në detaje”.

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, ka propozuar që Kanadaja të bëhet anëtari i parë i asociuar i bllokut europian, ndërsa tarifat e Trump, kërkesat për lëshime ekonomike dhe deklaratat e përsëritura për ta bërë Kanadanë shtetin e 51-të të SHBA-së e kanë shtyrë Otavën të afrohet më shumë me Europën.

Carney kishte bërë thirrje edhe në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, në janar, që fuqitë e mesme të ulin varësinë nga fuqitë dominuese, duke paralajmëruar se integrimi ekonomik mund të shndërrohet në një mjet detyrimi. Kanadaja dhe Bashkimi Europian po forcojnë gjithashtu bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes, energjisë dhe lëndëve të para kritike.