ELBASAN - Aksidentet nga mbikalimet e paligjshme hekurudhore nuk kanë munguar duke rrezikuar edhe jetën e njerëzve. Vetëm segmenti nga Rrogozhina deri në Pogradec numëron plot 40 mbikalime të paligjshme.

Rasti më i fundit është përfshirja e një automjeti në aksident me trenin e linjës si pasojë e një mbikalimi të paligjshëm, pamje ekskluzive të të cilit janë transmetuar edhe nga A1 Report. 

Edhe pse pati të dëmtuar fatmirësisht nuk u regjistrua humbje jete, megjithëse raste të tilla nuk kanë munguar. Shefi i linjës hekurudhore Elbasan-Rrogozhinë, Agim Shkëmbi jep alarmin për numrin e madh të mbikalimeve duke listuar disa nga mbikalimet problematike në këtë segment.

"Ne sot kemi kalime të paligjshme 40, nga Rrogozhina deri në Pogradec. Kanë ndodhur 3 aksidente po jo me pasoja vdekje. Në Labinot është përplasur një makinë." shprehet Shkëmbi

Ai ka kërkuar nëpërmjet shkresave drejtorisë së hekurudhave dhe pushtetit vendor legalizimin e të paktën tre mbikalimeve, por deri tani nuk ka marrë asnjë përgjigje.

"Kam bërë shkresë zyrtare për t’i legalizuar të paktën 3 kalime të paligjshme që janë shumë të rrezikshme, Labinot-Fushë, Bradashesh që aty ka katër ndërmarrje dhe shumë lëvizje." tha ai

Ndërtimi i mbikalimeve apo legalizimi me sinjalistikën e domosdoshme kërkohet me ngulm si nga drejtues të hekurudhës por edhe nga banorë për të evituar rastet fatale te aksidenteve. 

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)