Helidon Haliti: Saranda do
100 vjet lifting të rregullohet

Helidon Haliti: Saranda do<br />100 vjet lifting të rregullohet
TIRANE - “Thuhet shpesh se në kohë lufte ka edhe njerëz që martohen. Ndërsa, ne artistët duhet të themi që në kohë zgjedhjesh ka edhe piktorë që hapin ekspozita”, thotë me humor piktori i njohur Helidon Haliti. Pasi është kthyer nga ekspozita e tij e suksesshme në Montekarlo, piktori Helidon Haliti është nisur dje me pikturat e tij më të reja drejt qytetit më të skajshëm të vendit, në Sarandë.

Një ekspozitë me 45 piktura të Helidon Halitit dhe 20 skulptura të artistit sarandjot Odise Papa do të qëndrojë e çelur për tre muaj rresht në qytetin turistik të Sarandës. Ekspozita çelet më 12 maj në galerinë e re dhe luksoze të këtij qyteti që quhet “ART Saranda”. Ekspozita është e shoqëruar edhe me katalogun përkatës të sponsorizuar nga Bashkia e Sarandës.

Ndërkohë në katalog janë përfshirë 12 vepra të secilit autor të kësaj ekspozite. Në galerinë “ART Saranda”, ekspozita e piktorit të njohur Helidon Haliti, shoqëruar me skulpturat e Odise Papës hapet të shtunën më 12 maj dhe do të qëndrojë e hapur gjatë gjithë verës, plot tre muaj. “Sigurisht që kjo ekspozitë do të bashkëngjitet edhe me aktivitet të hapjes së sezonit turistik”, thotë piktori Haliti për “Shqiptarja.com”.

Helidon, pse ju shkoni me një ekspozitë të re në Sarandë, kaq larg?
-Ideja erdhi nga propozimi i një mikut tim në Sarandë për galerinë e re dhe luksoze “Art Saranda”. Angazhimi im ka qenë në aspektin e një shqetësimi sesi mund të rrinë punët e një piktori bashkë me punët e një skulptori. Një arsye tjetër është se në Sarandë, kjo galeri po investohet nga shteti, nga bashkia dhe kjo galeri ka nevojë të ketë jetëgjatësi të madhe si institucion i shtetit.

Më pëlqen ideja që ka një galeri në një qytet të skajshëm të vendit, për arsye se mundësia e turizmit aty është më e madhe dhe ka mundësi që turistët e huaj të kenë një kontakt të vërtetë me artin figurativ shqiptar. Por ajo që më intrigoi më shumë ta paranoja ftesën për këtë ekspozitë është se unë sapo vija nga një ekspozitë nga Montekarlo dhe këtu ka një binjakëzim ironie të të dyja vendeve.

Montekarlo ka pothuajse të njëjtën infrastrukturë gjeografike me Sarandën dhe aty kanë pretendime që të bëjnë një Montekarlo të dytë. Ne kemi një Montekarlo në përfundimin e saj. Investimet janë nëntoka ose vetë deti i shtuar. Po të kemi parasysh Montekarlon e viteve të mëparshme sesa keq ka qenë ajo, se vetë urbanizimi ka sjellë shkatërrimin e natyrës, ne vetë në Sarandë gjejmë një të përbashkët që influencon dhe tematika e ekspozitës është për shkak të një krahasimi të tillë interesante.

Në këto vepra unë kam pasqyruar edhe shkatërrimin e gjeografisë nga njeriu, por sigurisht kam pikturuar edhe detin. Ekspozita është konceptuar si një lëvizje, si nxitje e relaksimit të njeriut, e atij ankthit, frikës së pushimeve dhe ka këtë gërshetim, me detin, me skafet, të cilat shpesh në bregdetet tona janë keqpërdorur.

Pra, tematika e kësaj ekspozite vishet edhe me një kritikë ndaj urbanistikës aktuale?
-Në një farë mënyre kjo kuptohet nga mesazhet. Aty kam bërë një gërshetim të urbanistikës me detin dhe një gërshetim të avionëve me lodrat e bregdetit dhe me inoçencën e fëmijës. Kjo temë më takon mua, se unë kam një marrëdhënie të shkëlqyer me detin, me lëvizjet dhe nuk mund të mjaftohem vetëm me mesazhe nga Saranda. Saranda ka ndryshuar aq shpejt nga brenda, sa duhen shumë vjet lifting të rregullohet.

Jam i bindur se Sarandës do t’i duhen qindra vjet të ndryshojë brenda. Thjesht tani do të ketë disa miniatura që ne nuk do ta vëmë re dhe kjo katastrofë urbane nuk mund të ndodh më. Vetë skulptori Odise Papa vjen më i stilizuar me objekte brenda vetes që kanë lidhje me detin, me mënyrën vjetër të të dëfryerit në breg të detit dhe punët tona rrinë goxha mirë me njëra-tjetrën.

Meqë e krahasove Sarandën me Montekarlon para se të rregullohej anarshia urbane, jemi kurioz të dimë, ç’ndodhi me ekspozitën tuaj në Montekarlo?
-Vajtja ime me veprat në Montekarlo ishte një akt shumë i madh, sepse lumturia e një artisti të vendit të tij, është që të shkojë të ekspozojë në një qytet si i Montekarlos, në një principatë të tillë, ku dihet sesi mund të jetohet atje. Për vetë faktin se MHK është një qytet i pasioneve dhe vrullit, një qytet që ecëm me shpejtësi të madhe dhe zakonisht është një qytet haitek, banorët e kanë të vështirë të përqafojnë lehtë artet pamore, për arsye se kanë një lloj tjetër mënyre të menduari.

Ankthi im ka qenë: a do të përballesha me dinjitet me snobizmin e Montekarlos që është i njohur. Por ja që salla ishte plot, dhe me njerëz shumë të ngritur, në një farë mënyre, ishte dhe ajka e Montekarlos dhe goxha personalitete, me të cilët unë prezantohesha për herë të parë. Më bëri përshtypje që në ekspozitë artistët u afruan, erdhën të njiheshin me Shqipërinë dhe artin tim. Kjo më bëri të ndihesha shumë ngrohtë.

Nuk ka trishtim më të madh se heshtja për një artist, kur të shohin, dhe të mos komunikojnë. Mua më dha kënaqësi edhe për faktin se Shqipëria ka imazhin e një vendi të prapambetur dhe kur shkojmë ne si artistë, ne japim më shumë me artin nëse është dinjitoz, sepse atje kanë informacion të kufizuar për Shqipërinë. Të them të drejtën më kanë thënë me insistim se ekspozita u prit mrekullisht. Dhe kur ata shohin se Shqipëria ka përparësi artin, është një prezantim i mirë.

Kjo mund të ndodh edhe kur të ekspozojë veprat në qytetin e Sarandës, sepse është koha e trazuar e zgjedhjeve, dhe nuk duket e përshtatshme. Është njësoj sikur të thuash se në kohë lufte ka edhe njerëz që martohen. Kjo duhet thënë ndoshta edhe për ekspozitën time; në kohë zgjedhjesh ka njerëz që hapin ekspozita. Kjo duket pak si humor, por kjo është magjia e artistit që do të ekspozojë edhe në momente të vështira.

Ju kishit një ekspozitë edhe në Lushnjë, si ndjehesh kur ekspozon në qytetin tënd?
-Atje pret shumë që daullet të bien edhe më fort. Kjo natyrisht që ndodhi në qytetin tim, por fatkeqësia është që nuk gjen njerëzit që ke lënë, siç ndodh në të gjitha qytete e lindjes, ose gjen njerëz që kanë ndryshuar. Unë vura re këtë gjë, që Lushnja nuk është më ajo e para, është zmadhuar. Megjithatë ishte një ekspozitë pozitive, që më dha mesazhin se duhet bërë më shpesh.

Kur hape ekspozitën në Tiranë, u pëlqye “Delja e zezë”. Në Montekarlo, cila vepër u pëlqye më shumë?
-Një pikturë që kishte të bënte me një dash. Piktura mbart një ngjarje të fëmijërisë, që një dashi, kur duan ta çojnë kurban, i hipin një fëmijë në kurriz dhe e lënë të vrapojë. Por nuk përdorin atë mënyrën e tërheqjes vulgare, por vjen një fëmijë, që e hipnin sipër dhe atë e çonin më lehtë drejt therjes. Unë e quaj një mënyrë ironike “Gara”. Kjo nuk ka të bëjë me faktin në pikturë.

Kjo pikturë ra në sy për një gërshetim të tradicionales dhe stilizimin që i kisha bërë, që ngjante me një karusel, ku u pëlqyen ngjyrat, Nuk di ta them pse. Mbase, ngaqë Montekarlo kanë pasion cirkun. U ndjeva mirë për këtë, sepse çova një copëz Shqipërie atje. Dhe kur pëlqehet një pikturë që ka detaje nga tradita e vendit tënd, kjo të gëzon më shumë. Këto janë përshtypje anësore, por mendoj se artistikisht ajo pikturë të lë vërtetë mbresa.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 09.05.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

 Shëngjin/ Zjarri përparon drejt Ranës së Hedhun, flakët i janë afruar zonës së banuar, rrezikohen bizneset

Shëngjin/ Zjarri përparon drejt Ranës së Hedhun, flakët i janë afruar zonës së banuar, rrezikohen bizneset