Një helikopter ushtarak rus ka hyrë në hapësirën ajrore të Polonisë për 42 sekonda, duke bërë që Varshava të ngrejë menjëherë avionët luftarakë. Në të njëjtën kohë, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, u ka bërë thirrje vendeve evropiane të ruajnë qetësinë dhe të vazhdojnë mbështetjen për Ukrainën.

Sipas ushtrisë polake, helikopteri rus Mi-8 depërtoi rreth 300 metra brenda hapësirës ajrore të vendit. Fluturimi i tij u gjurmua nga radarët e forcave të armatosura polake, ndërsa forcat tokësore dhe mjetet e tyre u vunë në gatishmëri.

“Natyra e incidentit sugjeron se Rusia po vë sërish në provë gatishmërinë e mbrojtjes sonë ajrore”, deklaroi Varshava.

Duke folur në një aktivitet të Chicago Council on Global Affairs në Shtetet e Bashkuara, Rutte u kërkoi aleatëve evropianë të mos lejojnë që veprime të tilla t’i largojnë nga mbështetja për Ukrainën.

“Ruani qetësinë, vazhdoni punën dhe mbështesni Ukrainën”, tha ai. Sipas Rutte-s, Rusia po përpiqet të trembë dhe të përçajë vendet evropiane, me shpresën se ato do të ndërpresin ndihmën për Kievin.

Kreu i NATO-s tha se aleanca duhet të vijojë investimet në mbrojtje dhe të jetë e gatshme të mbrojë “çdo centimetër të territorit aleat”. Ai e cilësoi kërcënimin rus ndaj territorit të NATO-s si “real dhe afatgjatë”, duke përmendur edhe sulmet hibride dhe shfaqjen e dronëve gjatë javëve të fundit.