Administratori i Akademisë së Sigurisë, Milton Nushi, ka folur për mediat pas helmimit të 56 studentëve nga konsumimi i vaktit të drekës të ofruar nga institucioni dhe i shërbyer nga kompania private e kontraktuar Sori-Al.
Ai thotë se ky mund të jetë problemi i parë i këtij lloji në historinë e institucionit, dhe shtoi se mostrat e ushqimit që iu servir studentëve po analizohen nga AKU dhe Shëndeti Publik.
"Kanë pasur shqetësime studentët pas konsumimit të vaktit të drekës. Janë çuar në infermierinë që kemi këtu dhe më pas në QSUT, dhe janë kthyer, të gjithë janë shëndoshë e mirë, janë këtu. Dyshimi është se ka ndodhur pas konsumimit të ushqimit. Ushqimi është i standardeve shumë të mira, mund të ketë pasur ankesa për punën e llojshmërisë, por që ushqimi është jashtëzakonisht i mirë. Ne nuk kemi pasur asnjë moment helmimi deri sot që flasim. Kemi njoftuar menjëherë institucionet, AKU-në dhe Shëndetin Publik, i cili ka marrë mostrat, sepse ushqimi këtu vjen në formë kateringu dhe këtu mbajmë edhe mostrat, kemi komision që e pret bashkë me mjekun dhe i mbajmë të ruajtura 24 orë për raste kur ndodhin këto lloj incidentesh",- tha Nushi
"Kjo është një kontratë e re që e kemi, por ka pasur dhe kontrata të mëparshme. Por janë marrë të gjitha masat, po presim që të dalin aktet e analizës",- shtoi ai.
Nushi theksoi se "puna vazhdon normalisht, shkolla vazhdon normalisht, edhe furnizimi vazhdon normalisht".
Gjithashtu, administratori sqaroi se ushqimi që i serviret studentëve të Akademisë së Sigurisë nuk përgatitet në institucion, por vjen i përgatitur.
"Ushqimi përgatitet në një vend tjetër, jo më Akademinë e Sigurisë, atje ku ka licencim kompania, dhe, me sa di unë, përgatisin ushqime edhe për institucione të tjera",- tha Nushi.
Lajmi kryesor:
Tiranë/ Helmohen 56 studentë të Akademisë së Sigurisë! Dyshohet nga ushqimi i shërbyer nga kompania private, 2 të arrestuar, 1 në hetim dhe në kërkim administratorja











