TIRANËHelmimi i studentëve të Akademisë së Sigurisë në Tiranë, dy herë brenda dy muajve, do të hetohet në një dosje nga Prokuroria e Tiranës.

Në fillim të muajit maj, kur 52 studentë përfunduan në spital me shenja helmimi, dyshimet u ngritën ndaj kompanisë, Sori-Al, që çonte ushqimin me katering.  Në makaronat që konsumuan, rezultuan bakteret escherichia coli dhe stafilokok.

Edhe këtë 24 dhe 25 qershor, kur 64 studentë u paraqitën në spital, mendohet që sërish shkaku i helmimit të ketë qenë ushqimi, sërish nga e njëjta kompani, në pronësi të Alma Tafanit. Megjithatë, do të jetë përgjigjja e analizave ajo që do të përcaktojë shkakun përfundimtar.

Për rastin, reagoi edhe ministri i Bujqësisë Andis Salla.

“Kemi marrë masat për të bllokuar ambientet në Akademi. Po ndiqet nga autoritetet për të vënë para drejtësisë përgjegjësit. Në helmimin e parë nuk ka qenë prej ushqimeve, por prej higjienës. Do të presim edhe analizat që do të dalin sot për të përcaktuar nga vjen shkaku”, tha Salla.

Burime për Report Tv thonë se verifikimet nuk janë përqendruar vetëm te kompania SORI-AL, por janë shtrirë edhe te Autoriteti Kombëtar i Ushqimit. Ky autoritet mori masa pas helmimit në maj të studentëve, por hetuesit kërkojnë të sqarojnë nëse pas rikthimit të aktivitetit të kompanisë në Akademinë e Sigurisë gjatë dy muajve të fundit, janë bërë apo jo kontrollet e nevojshme.

Vetë AKU bëri një reagim publik këtë të premte, duke njoftuar se akvititeti i Sori-Al është pezulluar deri në daljen e analizave. Nga kontrollet në Garnizonin "Skënderbej” ku përgatitej ushqimi, sipas AKU nuk u konstatuan shkelje, por megjithatë u morën 14 mostra ushqimi për analizë mikrobiologjike.

Administratorja e kompanisë Sori-al, Alma tafani, e cila po hetohet në gjendje të lirë, u tha hetuesve se gjithçka është realizuar në përputhje me procedurat dhe kushtet higjieno-sanitare duke mohuar që shkaku i helmimit të ketë ardhur nga ushqimi.  Në një reagim kompania citon “informacionet e mbledhura nga burime të ndryshme”, se në ambientet e Akademisë së Sigurisë është evidentuar edhe prania e virozave sezonale, që mund të kenë sjellë dhe problemet shëndetësore të studentëve.

Në pyetje u morën edhe kuzhinieri i kompanisë, punonjësit që bënë ndarjen e ushqimit në porcione, stafi i shpërndarjes, si edhe studentët e prekur. Por deri në këtë fazë të hetimeve nuk ka persona në akuzë.

Në vaktin e darkës të mërkurën studentët konsumuan pilaf, makarona, fasule, sallam, salsiçe, kos, qumësht dhe bukë. Fillimisht në mbrëmje patën të vjella, dhimbje barku 31 studentë, 29 mëngjesin e së enjtes, dhe 4 të tjerë në orët e pasdites.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:05
Helmimi i 64 studentëve tek Akademia e Sigurisë, reagon sërish Sor-Al: Mund të jetë edhe virozë sezonale

1782468779_akademiaesigurise.jpg

SORI-AL ka reaguar sërish pas helmimit të 64 studentëve te Akademia e Sigurisë. Në një deklaratë zyrtare ata pretendojnë se helmimi nuk rezulton që të jetë ushqimi i shërbyer nga Shoqëria “SORI-AL.

Sipas tyre kjo mund të jetë edhe një gjendje e shkaktuar nga virozat sezonale. Ndërkohë burime për Report Tv shprehen se është e pamundur që 64 persona të preken në të njëjtën kohë nga virozat e stinës.

Deklarata e plotë

Në vijim të deklaratës sonë të djeshme dhe duke vijuar të trajtojmë me seriozitet maksimal situatën e krijuar pranë Akademisë së Sigurisë, Shoqëria “SORI-AL” sh.p.k. ka angazhuar ekspertë të fushës për të kryer një analizë të thelluar të të gjitha rrethanave të ngjarjes, duke administruar informacion dhe prova nga burime të ndryshme.

Nga të dhënat e administruara deri në këtë moment, nuk rezulton që shkaku i kësaj situate të jetë ushqimi i shërbyer nga Shoqëria “SORI-AL. Përkundrazi, informacionet e mbledhura nga burime të ndryshme, tregojnë se në ambientet e Akademisë së Sigurisë është evidentuar edhe prania e virozave sezonale, të cilat shoqërohen me temperaturë të lartë, këputje fizike dhe simptoma të tjera klinike.

Këto rrethana përbëjnë elemente të rëndësishme që duhet të jenë pjesë e hetimit epidemiologjik dhe nuk mund të anashkalohen në analizën e kësaj situate. Përveç elementëve faktikë të evidentuar në deklaratën tonë të djeshme, lidhur me kushtet në të cilat konsumohet ushqimi dhe faktorët e tjerë që ndikojnë në garantimin e sigurisë ushqimore, vlerësojmë se edhe situata epidemiologjike në ambientet e Akademisë duhet të analizohet me të njëjtin seriozitet dhe profesionalizëm nga institucionet kompetente.

Për këtë arsye, i bëjmë thirrje të gjitha organeve ligjzbatuese dhe institucioneve përgjegjëse të zhvillojnë një hetim të plotë, të paanshëm dhe të mbështetur mbi prova shkencore, epidemiologjike dhe laboratorike, pasi Shoqëria “SORI-AL” nuk mund të vazhdojë të jetë objekt i një presioni të vazhdueshëm institucional dhe i një gjykimi publik të parakohshëm, që e bën praktikisht të pamundur ushtrimin normal të aktivitetit të saj.

Autoritetet Drejtuese të Akademisë së Sigurisë kanë detyrimin të sigurojnë një hetim të plotë dhe objektiv, duke analizuar të gjithë faktorët që mund të kenë ndikuar në krijimin e kësaj situate, përfshirë edhe gjendjen epidemiologjike dhe menaxhimin e virozave sezonale. Përqendrimi i vëmendjes ekskluzivisht tek shërbimi i ushqimit, pa përfunduar ende verifikimet zyrtare, nuk i shërben zbardhjes së plotë të së vërtetës.

Shoqëria “SORI-AL” dëshiron të theksojë se, nëse do të kishte një bashkëpunim të plotë, në kohë dhe transparent të informacionit ndërmjet Autoriteteve Drejtuese të Akademisë së Sigurisë dhe kompanisë, “SORI-AL” do të ishte një nga bashkëpunëtorët më të afërt në menaxhimin e çdo situate që lidhet me shëndetin e studentëve.

Konkretisht, në rastet kur autoritetet shëndetësore evidentojnë prani të virozave sezonale apo situata të veçanta epidemiologjike, edhe regjimi ushqimor duhet të përshtatet me gjendjen shëndetësore të konsumatorëve, në përputhje me rekomandimet mjekësore, duke kontribuar në lehtësimin e simptomave dhe rikuperimin e tyre. Shoqëria “SORI-AL” do të vijojë të bashkëpunojë me institucionet dhe të mbështesë çdo masë që shërben për mbrojtjen e shëndetit të studentëve, duke mbrojtur njëkohësisht me të gjitha mjetet ligjore reputacionin dhe integritetin e saj profesional. Shoqëria “SORI-AL” sh.p.k.

Ora 12:56
Helmimi i 64 studentëve tek Akademia e Sigurisë, anëtari i kryesisë së PD: Siguria ushqimore nuk është luks, por detyrim!

 

Foto: Grigels Muçollari

Anëtari i kryesisë së PD, Grigels Muçollari ka reaguar pas helmimit të 64 studentëve te Akademia e Sigurisë. Në një deklaratë për mediat Muçollari shprehet se edhe pse pas helmimit të parë u tha se do të mereshin masa, duket se ky premtim nuk është mbajtur. Ai shprehet se nëse në Akademinë e Sigurisë nuk garantohet dot një vakt i sigurt për studentët, çfarë sigurie mund të presin qytetarët në shkolla apo spitale.

 “Kjo pas meje është Akademia e Sigurisë. Një institucion që, që në emër, premton siguri. Një institucion që duhet të përgatisë ata që do të garantojnë sigurinë e qytetarëve. Por pikërisht këtu mungon siguria më elementare: siguria ushqimore. Brenda vetëm dy muajsh kemi pasur dy helmime masive të studentëve, të cilët kanë përfunduar në spital për të marrë ndihmë mjekësore. Pas rastit të parë u premtuan hetime dhe masa. Por fakti që e njëjta ngjarje u përsërit tregon se ose nuk u morën masa, ose ato ishin tërësisht të paefektshme.

Nëse në Akademinë e Sigurisë nuk garantohet dot një vakt i sigurt për studentët, çfarë sigurie mund të presin qytetarët në shkolla, spitale, konvikte apo në çdo institucion tjetër publik? Çfarë besimi mund të kenë ata te një shtet që dështon edhe në detyrimet më bazë?”, thotë ai.

Sipas Muçollarit gjë ka ardhur si pasojë e një modeli qeverisjeje që ka humbur prioritetet dhe qytetarët përballen çdo ditë me shërbime publike që degradojnë.

“Ky nuk është një incident i izoluar. Është pasojë e një modeli qeverisjeje që ka humbur prioritetet. Një qeverisjeje që nuk është më e përqendruar te zgjidhja e problemeve të qytetarëve, por te ruajtja e pushtetit. Ndërsa studentët helmohen dhe qytetarët përballen çdo ditë me shërbime publike që degradojnë, energjia e qeverisë shpenzohet për të sulmuar protestuesit, për të delegjitimuar zërat kritikë dhe për të mbrojtur veten nga përgjegjësia.

Prandaj protestat nuk lindin nga propaganda e askujt. Ato lindin nga grumbullimi i dështimeve të përditshme. Nga qytetarë që shohin se shteti nuk arrin të garantojë as standardet më elementare, por gjen gjithmonë kohë dhe energji për t’u marrë me ata që protestojnë”, thotë Muçollari.

Në fund Muçollari thotë se siguria ushqimore nuk është luks, por është detyrim.

“Sot kjo qeveri është e përqendruar te ruajtja e karriges së pushtetit, ndërsa po lë bosh karriget e institucioneve. Institucionet nuk funksionojnë më si garanci për qytetarët, por si fasadë. Dhe koston e kësaj e paguajnë çdo ditë qytetarët.

Siguria ushqimore nuk është luks. Është detyrim. Ashtu si siguria, shëndeti dhe dinjiteti i çdo qytetari.Shqipëria ka nevojë për një qeveri që qeveris dhe mban përgjegjësi. Ndryshimi është i domosdoshëm, këtë e fakton dhe reagimi qytetar.

Prandaj protesta qytetare duhet të vazhdojë dhe çdo qytetar që beson në institucione funksionale dhe një shtet që mbron njerëzit, duhet t’i bashkohet. Ndryshimi do te vije te dashur qytetarë sepse gjithsecili prej jush po refuzon dështimin dhe po kerkon një Shqipëri më të mirë”, përfundon ai.

Ora 12:35
Helmimi i 64 kursantëve në Akademinë e Sigurisë, Salla: Kemi marrë masat për izolimin e ambienteve, analizat do të vërtetojnë shkakun

 

Ministri i Bujqësisë, Andis Salla, tha se institucionet kanë marrë të gjitha masat e nevojshme për të izoluar dhe bllokuar ambientet në Akademinë e Sigurisë që lidhen me helmimin e 64 kursantëve. Salla shtoi se janë në pritje të analizave për të përcaktuar shkakun e helmimit.

“Kemi marrë të gjitha masat për të izoluar dhe bllokuar ambientet në Akademi, por po ndiqet nga Policia e Shtetit dhe organet e tjera ligjzbatuese për të vënë para drejtësisë përgjegjësit. Në helmimin e parë s’kemi pasur helmim prej ushqimeve, por prej higjienës dhe këtë e kanë treguar analizat. Do të presim analizat sot për të vërtetuar nga vjen shkaku dhe ku është problematika dhe pasoja që na duhet t’i parandalojmë nëpërmjet AKU, por kemi marrë masat e nevojshme”, tha ministri.

Ora 12:10
Helmimi i 64 studentëve tek Akademia e Sigurisë, merret në pyetje administratorja e Sori-Al: Kemi shpërndarë ushqimin në kushte higjienike

Foto: Alma Tafani

Komisariati nr. 1 në Tiranë ka marrë në pyetje administratoren e Sori-Al, e cila ka deklaruar se ka bërë çdo ditë furnizimin me ushqim për studentët e Akademisë së Sigurisë, siç e parashikon kontrata. Ajo ka thënë se çdo vakt ushqimor është gatuar dhe më pas shpërndarë sipas procedurave normale duke respektuar kushtet e higjenës.

Në pyetje gjithashtu është marrë kuzhinieri, stafi tjetër që bën ndarjen e ushqimin në porcione për studentët, stafi i shpërndarjes etj.

Në pyetje gjithashtu janë marrë dhe studentët e helmuar. Deri në këtë fazë të hetimit, asnjë person nuk është marrë në hetim sa i takon skandalit të dytë.

Hetuesit po mbledhin provat dhe do të jetë Prokuroria më pas që do të vendosë se cilët persona do të vendosen nën hetim në lidhje me helimin e 64 studentëve të Akademisë së Sigurisë.

Ora 10:44
Helmimi i 64 studentëve të Akademisë së Sigurisë, ndërpritet aktiviteti i Sori-Al! AKU: Kishte kushte higjiene të përshtatshme, morëm 14 mostra ushqimesh

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka reaguar pas helmimit të 64 studentëve te Akdemia Sigurisë një ditë më parë. AKU bën me dije se ka ushtruar kontrolle si në Akademinë e Sigurisë, ashtu edhe në Garnizonin “Skënderbej”, ku përgatitej ushqimi nga subjekti SORI-AL, ku sipas së cilës u konstatuan kushte të përshtatshme higjieno-sanitare dhe dokumentacion i rregullt.

Në reagim theksohet se janë marrë 14 mostra nga vaktet e drekës dhe darkës së datës 24 qershor, dhe deri në daljen e analizave aktiviteti i SORI-AL do të ndërpritet.

Deklarata e plotë:

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, në funksion të informimit publik dhe transparencës bën me dije se, nëpërmjet komunikimit ndërinstitucional me Akademinë e Sigurisë në Sauk ka marrë informacion për dyshim helmimi të disa kursantëve pranë kësaj akademie.

Menjëherë, nga AKU janë kryer verifikimet përkatëse në subjektin SORI-AL, subjekt i cili ushtron veprimtarinë e catering-ut pranë Akademisë së Sigurisë,Sauk si dhe në Garnizoni “Skënderbej” pranë Akademisë së Forcave të Armatosura.

Nga verifikimet në Akademinë e Sigurisë,Sauk u konstatua se subjekti ushtronte aktivitetin në kushte higjieno-sanitare të përshtatshme dhe me dokumentacion shoqërues të përshtatshëm. U krye kampionimi i 14 mostrave (7 kampione nga vakti i drekës dhe 7 nga vakti i darkës nga kampionet në ruajtje të produkteve të gatshme të përpunuara pranë Garnizonit Skenderbej, Tiranë, dhe të konsumuara me datë 24.06.2026, pranë Akademisë së Sigurisë Sauk) për analizim për treguesit mikrobiologjikë pranë laboratorit të ISUV.

Në vijim të ndjekjes së gjurmuueshmërisë u krye inspektimi në subjektin “Garnizoni Skenderbej, Tiranë”, ku është kryer përpunimi i produkteve.

Në këto ambiente u konstatuan kushte higjieno-sanitare të përshtatshme dhe dokumentacion i plotë shoqërues. Gjatë procedurës u krye marrja e 14 mostrave në ruajtje të ushqimeve të gatuara nga vakti i drekës dhe darkës të datës 24.06.2026, si dhe 5 mostra tampon për higjienën ambientale dhe të pajisjeve, të cilat u dërguan për analizim pranë ISUV.

Në adresën Garnizoni Skënderbej, Tiranë, u mor masë me ndërprerje aktiviteti deri në daljen e përgjigjes së analizave. Gjatë këtyre procedurave inspektimi ishin prezentë edhe institucione të tjera si NJVKSH Tiranë (të cilët morën tampone ambientale në ambiente, pajisje dhe punonjës) ISHSH dhe Drejtoria e Policisë së Shtetit, Tiranë.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit do të vijojë me ndjekjen hap pas hapi të gjithë rastit dhe marrjen e masave në vijim me qëllim garantimin e sigurisë ushqimore.