Një 35-vjeçar është vënë në pranga në Bërzhitë për shitje droge.

Policia i ka sekuestruar Erald Tafanit 833 gramë kokainë dhe 576 gramë kanabis, 930 euro të përfituara nga shitja e drogës dhe automjetin.

Zona ku ai ushtronte veprimtarinë ishte kryesisht Bërzhita dhe Qyteti Studenti.

Njoftimi i policisë:

Sekuestrohen 833 gramë lëndë narkotike Kokainë dhe 576 gramë lëndë narkotike Cannabis Sativa, shumë eurosh e përfituar nga shitja e tyre dhe automjet.

Arrestohet 35-vjeçari që u kap në afërsi të një njësie pushimi, në Bërzhitë, me sasi të këtyre lëndëve, me vete, me qëllim shitjen.

Në vijim të operacioneve të zhvilluara nga Policia e Tiranës, me fokus identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të shtetasve që individualisht ose në grupe, janë përfshirë në sigurimin dhe shitjen e lëndëve narkotike, në zona të ndryshme të kryeqytetit, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve finalizuan operacionin e koduar “Implikimi”.

Gjatë operacionit u ndalua në afërsi të një njësie pushimi, në fshatin Bërzhitë, dhe u vu në pranga shtetasi E. T., 35 vjeç, banues në Tiranë.

Gjatë kontrollit fizik dhe në banesë, atij iu gjetën:

-833 gramë lëndë e dyshuar narkotike Kokainë, 576 gramë lëndë e dyshuar narkotike Cannabis Sativa dhe 930 euro të dyshuara të përfituara nga shitja e lëndëve narkotike. Lëndët dhe paratë u sekuestruan me cilësinë e provës materiale, bashkë me automjetin e të arrestuarit.

Nga hetimet dyshohet se ai i kishte siguruar lëndët narkotike, me qëllim shitjen në sasi të konsiderueshme, kryesisht në zonën ku u kap dhe në Qytet Studenti.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.