Një javë nga helmimi i banorëve në Fushë-Arrëz, Report Tv ka siguruar raportin e Institutit të Shëndetit Publik për rastin e shpërthimit të ‘Gastroenteritit’.
Sipas raportit, gjatë periudhës 24 gusht–3 shtator 2026, në Qendrën Shëndetësore Fushë-Arrëz janë paraqitur 139 persona me shenja gastrointestinale. Prej tyre, 128 raste, ose 91.7%, janë banorë të Fushë-Arrëzit, me përqendrim të rasteve kryesisht në lagjet “Demokracia” dhe “Nushaj”.
Të gjitha rastet kanë pasur diarre, ndërsa 128 persona kanë raportuar të vjella dhe 81 kanë pasur temperaturë. Moshat e personave të prekur variojnë nga 2 deri në 94 vjeç.
“Rezultatet mikrobiologjike të ujit (Laboratori i Mikrobiologjisë së Ujrave, ISHP, 04.09.2026) konfirmojnë ndotjen e ujit të pijshëm përgjatë sistemit të furnizimit. Të gjitha mostrat klinike (17 tamponë rektalë) rezultuan negativë për patogjenët bakterialë dhe viralë të kërkuar. Situata epidemiologjike paraqet një tendencë në përmirësim, me paraqitjen e 5 rasteve të reja më datë 03.09.2026.
Duke marrë në konsideratë të dhënat mjedisore dhe epidemiologjike, përqendrimi i rasteve në një zonë urbane të furnizuar nga i njëjti sistem ujësjellësi, përfshirja e grupmoshave të ndryshme, dinamika dhe kohëzgjatja e kurbës epidemike, si dhe evidentimi i kontaminimit mikrobiologjik të ujit, përbëjnë një tregues të fortë për një burim të përbashkët ekspozimi të lidhur me sistemin e furnizimit me ujë”, thuhet në raportin që disponon Repot Tv.
Hetimi i ISHP-së ka vënë në fokus sistemin e furnizimit me ujë, pasi banorët e prekur kanë deklaruar se konsumojnë ujë nga rrjeti publik dhe furnizohen nga i njëjti sistem. Në të njëjtën kohë, gjatë periudhës së hetimit është konstatuar se furnizimi me ujë nuk është i vazhdueshëm dhe realizohet me orar.
Analizat laboratorike kanë konfirmuar ndotje mikrobiologjike në disa pika të sistemit të furnizimit. Në Depon nr. 1 u gjetën koliforme, E. coli dhe enterokokë, ndërsa në një pikë fundore pranë ish-Parkut u evidentuan koliforme, E. coli, enterokokë dhe Pseudomonas aeruginosa.
Një tjetër gjetje e rëndësishme lidhet me lëndën e përdorur për dezinfektimin e ujit. Analiza e hipokloritit të natriumit tregoi se klori aktiv ishte 9.04%, ndërsa kufiri i përcaktuar në raport është 13–15%, duke mos përmbushur kërkesat për përdorim në procesin e klorinimit dhe dezinfektimit të ujit të pijshëm.
Lajm në përditësim…

Kliko këtu per të lexuar dokumentin e plotë










Komente
Komento