Kanë kaluar disa ditë që nga shpërthimi i helmimit masiv që gjunjëzoi qytetin e Fushë-Arrëzit. Sot, kur fluksi ne urgjencë ka rënë, Report Tv zbardh raportin zyrtar të Institutit të Shëndetit Publik dhe zbulon skandalin e ujësjellësit që vuri në rrezik serioz jetën e qytetarëve.

Qendra Shëndetësore e Fushë-Arrëzit u përball me një fluks të paprecedentë prej 139 pacientësh që paraqisnin simptoma të rënda gastrointestinale, nga data 24 gusht deri më 2 shtator.

Hetimi epidemiologjik i ISHP-së konfirmon se 128 raste, ose mbi 91 për qind e të helmuarve, ishin banorë të qytetit të Fushë-Arrëzit, të përqendruar në lagjet "Demokracia" dhe "Nushaj". Ky infeksion agresiv nuk kurseu askënd: mosha e pacientëve varionte nga fëmijë të vegjël 2 vjeç, deri në të moshuar në moshën 94-vjeçare. Pasojat shëndetësore ishin të menjëhershme dhe të dhimbshme: të gjithë pacientët vuajtën nga diarreja, të vjella të vazhdueshme dhe temperaturë të lartë.

ISHP konfirmon zyrtarisht atë që banorët e thanë që në krye të herës: helmimi erdhi nga uji i pijshëm që kanë konsumuar në çezma.

Por si u përzie uji i rrjetit me mbetjet fekale?

Raporti i ISHP-se, zbardh një mekanizëm të trefishtë dështimi higjieno-sanitar.

Së pari, uji vinte i ndotur që në burim. Analizat treguan se në Depon Numër 1 (që grumbullon ujë nga burimet e Micajt dhe Krrabit), përpara se të kryhej klorinimi, uji kishte prani të baktereve fekale.

Së dyti, për shkak të thatësirës, ujësjellësi e shpërndante ujin me kufizime, vetëm nga ora 5 e mëngjesit deri në orën 23:00. Ndërprerja gjatë natës solli rënie të presionit në rrjet. Kjo rënie e presionit krijoi një vakum në tubacionet e vjetra dhe të amortizuara të pallateve, duke bërë që ujërat e ndotura të depërtonin lehtësisht ne rrjetin e ujit të pijshëm.

Së treti, kjo ndotje duhej të ishte asgjësuar përmes dezinfektimit. Por analizat laboratorike zbuluan skandalin e radhës: Klori i perdorur ne depo ishte 9.04 për qind, ndërkohë që standardi kërkon një përqendrim prej 13 deri në 15 për qind. Pra, Ujësjellësi dezinfektonte ujin me një klor tejet të dobët, i cili nuk kishte fuqi për të vrarë bakteret. Rezultatet e analizave të ujit të kryera në laboratorin e ISHP-së janë thjesht të tmerrshme.

Në depo u gjetën 236 baktere koliforme dhe 34 Escherichia-coli për 100 mililitra ujë. Ndërsa në pikën fundore të rrjetit, tek Ish-Parku, ndotja arriti kulmin duke shënuar 340 baktere koliforme, 65 Escherichia-coli, 10 Enterokokë dhe 7 baktere të rrezikshme Pseudomonas aeruginosa.

Përgjegjësia direkte për helmimin e banorëve bie mbi Drejtorine e Ujësjellës-Kanalizime, qarku Shkoder, që ka në varësi dhe zonën e Fushë-Arrëzit. Ky institucion ka dështuar të garantojë higjienën minimale dhe sigurinë e ujit të pijshëm. Deri më tani, nga kjo drejtori nuk ka pasur asnjë reagim për të sqaruar këtë skandal që vuri në rrezik jetën e qindra banorëve.

Kliko këtu per të lexuar dokumentin e plotë