Aktivistët pro Palestinës hoqën flamurin gjerman dhe vendosën atë palestinez përpara Parlamentit në Berlin, këtë të diel, në shenjë proteste kundër mbështetjes së qeverisë gjermane për Izraelin dhe heshtjes së saj ndaj krimeve të luftës në Gaza.

Grupi “Peacefully Against Genocide”, që mori përsipër veprimin, akuzoi politikanët gjermanë se nuk po veprojnë për të ndalur shkeljet e të drejtave të palestinezëve.

“Çfarë kuptimi ka e drejta ndërkombëtare nëse qeveritë nuk e respektojnë? Çfarë vlere kanë të drejtat e njeriut nëse nuk zbatohen për të gjithë?”, deklaroi një prej aktivistëve.

Policia e Berlinit arrestoi tre persona dhe nisi hetimet për fyerje të shtetit dhe simboleve shtetërore.  Grupi paralajmëroi protesta të tjera kundër furnizimit të Izraelit me armë, duke kërkuar që kompania gjermane “Rheinmetall” të ndërpresë dërgesat drejt Izraelit.