Një kilogram heroinë i fshehur brenda gomës së pasme të një furgoni është zbuluar nga policia në aksin Bulqizë-Librazhd, duke çuar në arrestimin e dy personave që dyshohet se po e transportonin për ta shitur në Shqipëri.

Sipas hetimeve, droga ishte siguruar në Maqedoninë e Veriut dhe më pas ishte futur ilegalisht në territorin shqiptar përmes kufirit të gjelbër. Më pas ajo do të dorëzohej te bashkëpunëtori në Shqipëri, me qëllim shpërndarjen në treg.

Zbulimi u bë pas disa javësh hetime të kryera nga strukturat e antidrogës në Elbasan, të cilat kishin siguruar informacione për lëvizjen e një sasie heroine nga vendi fqinj drejt Shqipërisë.

Në momentin që furgoni u ndal për kontroll, efektivët kryen një kontroll të imtësishëm të automjetit. Heroina u gjet e fshehur në një çantë shpine të vendosur në gomën e pasme të mjetit, një mënyrë e përdorur shpesh për të shmangur kontrollet rutinë

Në pranga ranë 32-vjeçar Liridon Gega nga Struga, i dyshuar si personi që kishte siguruar dhe futur drogën në Shqipëri, si dhe 45-vjeçarI Alban Biçaku nga Durrësi, i cili dyshohet se e kishte pritur ngarkesën për ta hedhur në treg.

Gjatë operacionit u sekuestruan 1 kilogram heroinë, furgoni që përdorej për transportin e saj, dy telefona celularë dhe një shumë parash në lekë, euro dhe denarë.

Dy të arrestuarit do të hetohen për veprën penale të trafikimit të lëndëve narkotike në bashkëpunim, ndërsa hetimet vijojnë për të zbuluar nëse pas tyre fshihet një rrjet më i gjerë i trafikut të drogës mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.

Njoftimi i plotë i policisë 

"Strukturat hetimore të DVP Elbasan finalizuan operacionin e koduar "Trajektorja", si rezultat i veprimeve hetimore të ndjekura me metoda speciale dhe të mbikëqyrura nga Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan. Goditet një rast i trafikimit të lëndës narkotike Heroinë, nga RMV-ja, në Shqipëri. Sekuestrohen 1 kg të kësaj lënde, shuma parash (në lekë, euro dhe dinarë), 2 celularë dhe furgoni, në gomën e pasme të të cilit, ishte fshehur çanta me lëndën narkotike.

Arrestohen në flagrancë 2 shtetas. Të arrestuar, shtetasi nga RMV-ja që kishte siguruar Heroinën dhe futur në Shqipëri, nëpërmjet kufirit të gjelbër, si dhe shtetasi që priti lëndën, në Shqipëri, me qëllim shitjen.

Si rezultat i një hetimi me metoda speciale, të mbikëqyrur nga Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për dokumentimin e veprimtarisë kriminale të dy shtetasve që dyshohet se do të transportonin me automjet, lëndë narkotike Heroinë, të trafikuar nga RMV-ja, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Mbështetjen Operacionale të Hetimit, finalizuan operacionin e koduar “Trajektorja”.

Automjeti i dyshuar, me të cilin lëviznin shtetasi nga RMV-ja, L. G., dhe shtetasi A. B., u ndalua për kontrolle, në aksin rrugor "Bulqizë–Librazhd". Nga kontrollet e imtësishme, u gjet në një çantë shpine, të fshehur në gomën e pasme të automjetit (furgon), 1 kg lëndë narkotike Heroinë, e cila dyshohet se ishte siguruar nga shtetasi L. G., në Maqedoni të Veriut.

Nga hetimi dyshohet se lënda narkotike ishte trafikuar nga ky shtetas, nëpërmjet kufirit të gjelbër, në Shqipëri, ku e priste me qëllim shitjen, shtetasi A. B.. Në përfundim të veprimeve procedurale u arrestuan në flagrancë shtetasit L. G., 32 vjeç, banues në Strugë dhe A. B., 45 vjeç, banues në Durrës, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.
Gjithashtu, u sekuestruan me cilësinë e provës materiale, lënda e dyshuar narkotike, automjeti (furgon) tip “Fiat”, 2 celularë, si dhe 40 000 lekë, 50 euro dhe 290 denarë. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Elbasanit, për veprime të mëtejshme."