Partia e Lirisë u ka bërë thirrje qytetarëve t’i bashkohen protestës së sotme të Sali Berishës para Kryeministrisë, duke akuzuar qeverinë për varfërim të shqiptarëve, korrupsion dhe braktisje të interesit publik.
Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja e Presidentit të Partisë së Lirisë, Jasmira Memelli, tha se Shqipëria po kalon “ditët më të errëta”, ndërsa sipas saj vendi është kthyer në një sistem që favorizon oligarkët dhe klientët e qeverisë.
Deklarata e plotë e Jasmira Memellit
"Shqipëria sot po jeton ditët më të errëta të saj, për shkak të një narkoregjimi, i cili e ka shndërruar vendin tonë në pronë të një grushti njerëzish që pasurohen çdo ditë në kurriz të qytetarëve të thjeshtë. Sot Shqipëria nuk është më vendi i mundësive për qytetarët e saj. Është kthyer në vendin e betonit pa kriter, ku kullat ngrihen më shpejt se spitalet, shkollat apo hapësirat për fëmijët tanë. Është kthyer në vendin e privilegjeve për klientët e qeverisë, për oligarkët dhe për ata që pasurohen përmes lidhjeve politike, ndërsa qytetarët e zakonshëm luftojnë çdo ditë për mbijetesë. Në çdo cep të vendit ndjen revoltë, pasiguri dhe zhgënjim.
Të rinjtë largohen masivisht sepse nuk shohin të ardhme në vendin e tyre. Studentët diplomohen dhe përballen me papunësi, paga qesharake dhe mungesë totale perspektive. Ndërkohë, qeveria propagandon sukses imagjinar, ndërsa realiteti i shqiptarëve është krejt ndryshe. Çmimet janë rritur në mënyrë të papërballueshme. Sot një familje shqiptare paguan më shumë për ushqimet bazë, për energjinë, për karburantin dhe për jetesën, ndërsa të ardhurat mbeten të ulëta. Shqipëria po bëhet çdo ditë e më e pajetueshme për qytetarët e saj.
Bujqësia, një nga sektorët më jetikë të ekonomisë sonë, është lënë në mëshirë të fatit. Fermerët shqiptarë nuk subvencionohen, nuk mbështeten dhe nuk mbrohen nga konkurrenca e pandershme e importeve. Ata detyrohen të hedhin prodhimet në kanal, ndërsa tregjet mbushen me mallra të huaja. Kjo është një tradhti ndaj punës dhe djersës së njerëzve që mbajnë gjallë tokën shqiptare. Edhe sistemi shëndetësor ndodhet në gjendje alarmante. Spitalet vuajnë mungesën e investimeve reale, qytetarët paguajnë çdo shërbim nga xhepi i tyre dhe shumë familje përballen me pamundësinë për të marrë trajtim dinjitoz.
Ndërsa propaganda flet për suksese, qytetarët përballen çdo ditë me mungesë ilaçesh, mungesë personeli dhe kushte të papranueshme. Arsimi po shkatërrohet dita-ditës. Shkolla në shumë zona po mbyllen për shkak të largimit masiv të popullsisë. Mësuesit janë të nënvlerësuar dhe sistemi arsimor po prodhon pasiguri, jo zhvillim. Një shtet që nuk investon tek arsimi dhe rinia e tij është një shtet që ka hequr dorë nga e ardhmja. Ndërkohë, qytetet tona po mbyten nga betoni dhe mungesa e planifikimit. Në vend të parqeve, hapësirave publike dhe investimeve për komunitetin, shohim çdo ditë leje ndërtimi për kulla dhe projekte që pasurojnë një grusht njerëzish. Tirana dhe qytetet e tjera po humbasin identitetin e tyre, ndërsa qytetarëve u merret fryma nga mungesa e hapësirave dhe cilësisë së jetës. Kjo qeveri ka dështuar të mbrojë interesin publik. Ka dështuar të mbrojë pensionistët, të rinjtë, fermerët, biznesin e ndershëm dhe familjet shqiptare. Ka zgjedhur të mbrojë vetëm klientelën e saj politike dhe ekonomike. Përballë kësaj situate, heshtja nuk është më opsion.
Sot është momenti që çdo qytetar të ngrihet në mbrojtje të dinjitetit, të së drejtës dhe të së ardhmes së këtij vendi. Protesta nuk është vetëm e opozitës. Protesta është zëri i çdo prindi që nuk siguron dot jetesën për fëmijët e tij. Është zëri i çdo pensionisti që jeton në varfëri. Është zëri i çdo të riu që detyrohet të largohet. Është zëri i çdo shqiptari që ndjen se vendi i tij po i grabitet dita-ditës. Ne nuk mund ta pranojmë më normalizimin e korrupsionit, varfërisë dhe padrejtësisë. Nuk mund të pranojmë më një shtet që u shërben vetëm të pushtetshmëve dhe braktis qytetarët e vet. Ndaj Partia e Lirisë i bën thirrje çdo qytetari të ndershëm, çdo të riu, çdo prindi, çdo pensionisti, çdo fermeri dhe çdo shqiptari që e do këtë vend, të bashkohet në protestën e sotme, ne orën 19:00 perpara Kryeministrise, sepse Shqipëria nuk është pronë e askujt, Shqipëria u përket qytetarëve të saj"
Komente









