Kanadaja po shqyrton një hap të paprecedentë në marrëdhëniet me Bashkimin Europian. Kryeministri Mark Carney po promovon idenë që vendi i tij të marrë statusin e "anëtarit të asociuar" të BE-së, një kategori që nuk ekziston aktualisht, por që sipas "Wall Street Journal" po diskutohet mes zyrtarëve europianë dhe kanadezë.

Nisma vjen në një moment kur marrëdhëniet mes Otavës dhe Uashingtonit kanë arritur nivelin më të ulët të viteve të fundit. Lufta tregtare me SHBA-në është përshkallëzuar pas rikthimit të Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë në fillim të vitit 2025, me tarifa që prekin dhjetëra miliarda dollarë mallra që qarkullojnë mes dy vendeve. Pikërisht kjo situatë e ka shtyrë Kanadanë të kërkojë partneritete të reja strategjike me Europën.

Sipas raportit, Bashkimi Europian dhe Kanadaja po diskutojnë krijimin e një hapësire shumë më të integruar për mallrat, shërbimet dhe fuqinë punëtore në sektorë strategjikë si energjia, inteligjenca artificiale, mbrojtja dhe mineralet kritike. Qëllimi është që kompanitë dhe punonjësit e përfshirë në këta sektorë të kenë lëvizje shumë më të lehtë mes dy anëve të Atlantikut. Reuters shkruan se kjo do të sillte praktikisht një zgjerim funksional të kufirit ekonomik të Bashkimit Europian drejt Kanadasë.

Në tryezë janë edhe projekte të mëdha infrastrukturore, si ndërtimi i kabllove nënujore, qendrave të të dhënave, sistemeve cloud dhe rrjeteve të reja satelitore, ndërsa Kanadaja synon gjithashtu të rrisë eksportet e energjisë drejt tregut europian.

Një tjetër element i diskutimeve është edhe lëvizja e lirë e qytetarëve. Sipas "Wall Street Journal", Carney ka zhvilluar bisedime të rregullta me disa liderë europianë, veçanërisht me presidentin francez Emmanuel Macron, për mundësinë që kanadezët të mund të jetojnë dhe punojnë në vendet e Bashkimit Europian pa pasur nevojë për vizë.

Javën e ardhshme Carney pritet t'i drejtohet Parlamentit Europian në Strasburg, ku do të paraqesë vizionin e tij për marrëdhëniet mes Kanadasë dhe BE-së. Më pas ai dhe Macron do të zhvillojnë një vizitë të përbashkët në territorin francez Saint-Pierre dhe Miquelon, pranë brigjeve kanadeze. Sipas Pallatit Elysee, vizita synon të theksojë vlerat e përbashkëta të Francës dhe Kanadasë, si demokracia, sundimi i ligjit dhe respekti për sovranitetin e shteteve.

Megjithatë, realizimi i këtij projekti nuk pritet të jetë i lehtë. Bashkimi Europian ka rregulla të rrepta për anëtarësimin dhe krijimi i një statusi të ri kërkon dakordësi politike. Për më tepër, edhe marrëveshja tregtare ekzistuese mes Kanadasë dhe BE-së ende nuk është ratifikuar nga disa vende anëtare, megjithëse ka vite që zbatohet përkohësisht. Sipas Euronews, kancelari gjerman Friedrich Merz kishte propozuar më herët një model të ngjashëm "anëtarësimi të asociuar", fillimisht për Ukrainën, por që mund të shtrihej edhe për Kanadanë.