Partia e Lirisë akuzon qeverinë se po lejon pastrimin e parave përmes ndërtimit dhe se nuk u lë akses qytetarëve në strehim.
Deputetja Erisa Xhixho, përmes një deklarate për mediat u shpreh se sipërfaqja e dhënë për lejet e ndërtimit është 4 herë më e madhe sesa deklarohet, dhe sipas saj, nuk ka asnjë transparencë për këtë sektor. Në vijim të deklaratës ajo ka kërkuar transparencë mbi lejet e ndërtimit, sipërfaqet e ndërtuara dhe përfituesit e këtij bumi.
Më tej Xhixho thekson se Shqipëria ka peshën më të lartë të ndërtimit në ekonomi në Europë, me 12.6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Xhixho theksoi se mijëra apartamente në Tiranë rezultojnë bosh, ndërsa çmimet e banesave janë bërë të papërballueshme për familjet shqiptare. Sipas saj, rreth 300 familje të prekura nga tërmeti i vitit 2019 ende nuk kanë marrë zgjidhje.
Ajo ngriti pikëpyetje mbi burimin e parave që ushqejnë tregun e ndërtimit, duke përmendur rreth 12 miliardë euro që qarkullojnë jashtë bankave dhe flukse të dyshuara të parave nga aktiviteti kriminal.
Në përfundim, deputetja kërkoi hetimin e lejeve të ndërtimit, pronarëve, financuesve dhe burimit të parave në sektor, duke e cilësuar llogaridhënien si emergjente.
Deklarata e deputetes Erisa Xhixho:
Çdo shqiptar sot, duke parë mijëra apartamente bosh ndërkohë që ndërtimi vazhdon në mënyrë të çmendur, pyet:
Sa po ndërtohet realisht? Ku po ndërtohet?
Kush po ndërton dhe Kush po blen?
Ndërtimi është kthyer në lavatriçen e parave të pista të drogës dhe korrupsionit të grupeve kriminale, me mbështetjen e qeverisë, ndaj le të flasim me fakte dhe jo me propagandë.
Të dhënat tregojnë se sipërfaqja e dhënë për ndërtim është gati 4 herë më e lartë se ajo që deklarohet zyrtarisht. Mungesa e transparencës për lejet e ndërtimit dhe sipërfaqet e dhëna për betonizim janë alarmante.
Pse fshihet kjo shifër?
Sa leje janë dhënë realisht?
Sa territor po i dorëzohet betonit?
Dhe mbi të gjitha, kush po përfiton nga ky bum i jashtëzakonshëm ndërtimi?
Shqipëria ka peshën më të lartë të ndërtimit në ekonomi në Europë. Sipas Eurostat, ndërtimi përbën 12.6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto të Shqipërisë, ndërsa mesatarja e Bashkimit Europian nuk i kalon 5%. Asnjë vend tjetër nuk i afrohet nivelit të Shqipërisë.
Por ky bum nuk po përkthehet në strehim të përballueshëm për shqiptarët. Tirana dhe bregdeti janë kthyer në kantiere të pafundme, ndërsa çmimet e banesave janë bërë të papërballueshme. Një familjeje me të ardhura mesatare i duhen rreth 60 vite për të blerë një shtëpi.
Çmimet e banesave janë rritur me të paktën 30% në gjashtë muajt e fundit, ndërsa politikat e qeverisë për strehimin nuk kanë dhënë kurrë akses real për qytetarët në tregun e banesave.
Pra, ndërtohet gjithnjë e më shumë, por shqiptarët blejnë gjithnjë e më pak. Oferta rritet, por çmimet nuk ulen. Kullat shtohen, por blejra e një shtëpie bëhet gjithnjë e më e paarritshme për familjen shqiptare.
Dhe ndërsa makineria e ndërtimit nuk ndalet, 300 familje të prekura nga tërmeti i nëntorit 2019 nuk kanë marrë ende zgjidhje nga qeveria. Çfarë mund të thuhet për një qeveri që fsheh përmasën reale të ndërtimit, lejon një treg të pakontrolluar çmimesh dhe në të njëjtën kohë, lë të pastrehë për 7 vjet familjet e prekura nga një fatkeqësi natyrore?
Por paradoksi bëhet edhe më i madh. Të paktën 50 mijë apartamente në Tiranë rezultojnë bosh. Atëherë, kush po blen? Nga vijnë paratë që mbajnë gjallë këtë industri? Kush po e ushqen këtë treg?
Rreth 12 miliardë euro qarkullojnë jashtë bankave, ndërsa korrupsioni i kushton ekonomisë shqiptare rreth 1 miliard euro çdo vit.
Zhvlerësimi drastik i euros është treguesi më i qartë i flukseve të jashtëzakonshme të parasë që buron nga aktiviteti kriminal. Rreth 2 miliardë euro në vit depërtojnë në ekonominë shqiptare, duke deformuar tregun, kursin e këmbimit dhe goditur konkurrencën, por mbi të gjitha duke varfëruar shumicën e qytetarëve.
Rasti më flagrant i mungesës së transparencës është libri “Albanian Files”. Më shumë se çdo projekt tjetër, ai hedh dritë mbi mënyrën se si operon qeveria.
523 projektet e publikuara në “Albanian Files” kanë kushtuar miliona euro vetëm për t’u hedhur në letër. Nga dolën këto para? Kush i porositi? Dhe, mbi të gjitha, kush u garantoi projektuesve se këto projekte do të realizoheshin?
Qeveria nuk mund të fshihet më pas kullave, shifrave të manipuluara dhe propagandës.
Hetimi i lejeve, pronarëve, financuesve dhe parave që qarkullojnë në këtë sektor është emergjente dhe detyrim ndaj qytetarëve
Koha për llogaridhenie për këtë kriminalizim të ekonomisë që i ka bërë Rilindja Shqipërisë.
-
Te vazhdojm hetimet per " lavatricet" e familjareve dhe farefisit tend nga Skrapari- Vlore - Tirane o hajdute grabitqare Xhixho per intrigat e karakterit tend per te tradhetuar Shqiperin ne rrugen Evropiane!!Duhet te dalesh ne banken e drejtesis bashk me te dashurin tend Like kriminelin!
Përgjigju









Komente
Komento