Prokuroria ka nisur procedimin penal ndaj gjyqtarit që dha urdhrin e mbrojtjes për Liljana Rukajn, e cila u vra nga burri i saj. Ergys Selmani akuzohet se në shkelje të ligjit ka neglizhuar zbardhjen dhe dërgimin në kohë institucioneve përgjegjëse të vendimit për urdhrin e mbrojtjes së gruas.

Selmani njihet si gjyqtar problematik në Fier, dhe herë pas here ka pasur dhe ankesa kundër tij në Këshillin e Lartë të Drejtësisë.

Gjyqtari,i proceduar penalish, pak kohë më parë ka marrë disa vendime haptazi të paligjshëm, në favor të kompanisë “Albpetrol” që drejtohet nga administratori Endri Puka, njeri i besuar i ish-deputetit të PS Koço Kokëdhima.

Një nga përmbaruesit që ka denocuar në KLD këtë gjyqtar, thotë se ka kërkuar nxjerjen e disa urdhërave ekzekutimi kundër “Albetrolit”, urdhëra këto që janë rëzuar të gjithë nga gjyqtari i proceduar penalisht. Sipas ankesës që përmbaruesi ka bërë në KLD, këto vendime jo vetëm të njëanshëm, por janë marrë pa respektuar as parimet më elementare të gjykimit.

Selmani, ka vendosur marrjen e masës së sigurimit të padisë për të gjithë vendimet e dhëna nga Gjykatat Shqiptare, që janë në proces ekzekutimi me palë debitore “Albpetrol sh.a”.,pa dhënë asnjë shkak ligjor në vendim.

Hetim përmbarueses
Përpos Ergys Selmanit, policia njofton se ka proceduar penalisht për “shpërdorim detyre” edhe kryetaren e zyrës përmbarimore në Fier, Lindita Shalianji. 36-vjeçarja gjatë deklarimit në polici pretendoi se e kishte vendimin, por nga këqyrja e protokollit rezultoi se nuk e kishte regjistruar atë.

Gjithashtu po në lidhje me zbatimin e vendimit nuk ka kryer asnjë veprim përmbarimor për ekzekutimin e vendimit të urdhërit të mbrojtjes, sipas pretendimit, se e posedonte atë. Mirëpo, burime nga Ministria e Drejtësisë dhe prokuroria e Fierit, e ka mohuar nisjen e këtyre veprimeve hetimore, duke hedhur poshtë pretendimin zyrtar të policisë.

2 metra larg
“Shqiptarja.com” ka siguruar Urdhrin e Mbrojtjes së lëshuar nga Gjykata e Fierit për 43-vjeçaren Liljana Rukaj që humbi jetën pak ditë më parë, pasi bashkëshorti e hodhi nga dritarja e katit të katërt të banesës së saj. "Ferdinand Rukaj nuk duhet t’i afrohej më shumë se 2 metër bashkëshortes së tij, Liljana Rukaj".

Gjykatësi i Fierit, Ergys Selmani e ka lëshuar urdhrin e mbrojtjes ndaj 43-vjeçares në datën 25 nëntor 2016, por ka neglizhuar në zbardhjen e tij. Vonesa e dërgimit të vendimit që solli mos zbatimin e tij, solli edhe vrasjen e Liljana Rukajt nga burri, Ferdinand Rukaj para tre ditësh në Fier. Hetimin e gjyqtarit dhe zbardhjen e ngjarjes e kanë kërkuar edhe ministrat Manjani dhe Tahiri, por edhe deputetja e PD, Bregu.

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri u shpreh se pas denoncimit, policia ka bërë strehimin e saj në banesën e të vëllait të saj,ndërsa urdhri i gjykatës nuk është dërguar në polici dhe për këtë përgjegjësit duhet dënohen.

Dhe Manjani deklaroi se duhet një hetim i thellë për të vendosur përgjegjësit para ligjit, ndërsa Majlinda Bregu i kërkoi Presidentit nisjen e inspektimit për gjyqtarin.


dy.b/shqiptarja.com