TIRANE - Gjykata e Tiranës, ka urdhëruar prokurorinë e kryeqytetit të hetojë mjekët e spitalit Onkologjik në qëndrën “Nënë Tereza”, për shkak të një denoncimi që ka bërë një paciente nga Vlora, e cila gjatë kurimit në këtë spital, ka pësuar dëmtime të pariparushme shëndetësore, si rezultat i pakujdesisë së tyre.

Sonila Neço, është diagnostikuar nga një sëmundje e rëndë dhe se gjatë kohës së trajtimit mjekësor, pacientja i është nënshtruar një sërë etapash kurimi, duke filluar nga operacioni, kimioterapia e deri tek procesi i rezatimit.

Si pasojë e këtij mjekimi jo të kujdesshëm, siç pretendon Sonila Neço, ajo ka humbur aftësinë për të lindur, ndërkohë që ka marrë dëmtime të pariparueshme në lëkurën e anës së majtë të gjoksit, çrregullime të thella të ciklit menstrual, si rrjedhojë është shkaktuar rëndimi i gjëndjes shëndetësore të saj.

Pikërisht për të gjitha këto pasoja, 22-vjeçaria nga Vlora ka akuzuar mjekët e spitalit Onkologjik në Tiranë, dhe konkretisht mjekun specialist Xhevdet Harasani. 22-vjeçaria e akuzon këtë të fundit për mjekim të pakujdessshëm, ndërkohë që prokuroria ka mbyllur një herën çështjen, duke mos gjetur asnjë nga fajtorët.

Nisur nga kjo situatë, 22-vjeçarja Sonila Neço, e ka ankimuar vendimin në gjykatën e Tiranës, e cila i ka dhënë të drejtë, duke vendosur rikthimin e dosjes për gjykim.

Nga materialet hetimore rezulton, se Sonila Neço ka kallëzuar në prokurori, se në muajin qershor të vitit 2009, është shtruar në spitalin infektiv të QSUT-së në Tiranë, pasi ka pasur temperaturë të lartë dhe dhimbje nën sqetull.

Pasi ka qëndruar aty rreth 9 ditë, mjekët e kanë trasferuar në spitalin Onkologjik me qëllim që të kryente operacion në pjesen ku ndihej dhimbja. Më 11 qershor 2009 është bërë ndërhyrja kirurgjikale nga mjeku Artan Bodeci dhe pas disa ditësh kallëzuesja ka dalë nga spitali.

Nga ndërhyrja kirurgjikale i është hequr një masë e qelbëzuar dhe pjesë të saj janë çuar për t’u ekzaminuar tek laboratori i vet spitalit. Disa ditë më vonë, nga Spitali Onkologjik ka ardhur përgjigja e analizës ku thuhej, se shetësja Sonila Neço vuante nga sëmundje e pashërueshme, limfoma malinje, jo hodgkiniane.

Analiza e biopsisë është kryer në laboratorin e spitalit onkologjik nga mjeku Xhevdet Harasani. Kallëzuesja, e cila është nga Vlora ka ardhur në Tiranë dhe nga mjekja Dhurata Tarifa, e cila referuar analizave ka vendosur t’i fillojë seancat me kimioterapi në Spitalin Onkologjik.

Janë kryer 4 senca me kimioterapi dhe më pas, rreth 2 muaj rrezatim kobalti. Pas rreth një viti, kallëzuesja ka bërë analizat në Greqi me të njëjtat mostra laboratorike të ruajtura në laboratorin e Spitalit Onkologjik.

Përgjigjet nga Greqi tregonin, se nuk ka tumor, por një infeksion që nuk kishte nevojë për trajtim me rreze dhe kimioterapi. Këto fakte ka shpjeguar në deklarim kallëzuesja Sonila Neço dhe vellai i saj Leonard Neço, më datën 24 mars 2011, duke bërë që të nisin hetimet, tashmë për herë të dytë.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 01.05.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)