Agjentë të Guardia Civil hynë mëngjesin e kësaj të mërkure, 27 maj, në selinë e Partisë Socialiste Spanjolle (PSOE) në rrugën Ferraz në Madrid, për të kërkuar dokumente dhe informacione. Ndërhyrja e njësisë së specializuar për krime ekonomike (UCO) lidhet me një hetim të koordinuar nga gjyqtari i Audiencia Nacional, Ismael Moreno, mbi një financim të dyshuar të paligjshëm të PSOE-së, partisë së kryeministrit Pedro Sánchez.
Sipas burimeve pranë hetimit, të cituara nga agjencia Efe, operacionet — që pritet të vijojnë gjatë gjithë ditës — synojnë mbledhjen e dokumenteve, dosjeve dhe materialeve që lidhen me pagesa cash të kryera në PSOE mes viteve 2017 dhe 2024 për mbulimin e shpenzimeve të drejtuesve dhe punonjësve të partisë. Pagesa të ngjashme me ato që dyshohet se kanë marrë ish-ministri i Transporteve José Luis Ábalos dhe këshilltari i tij Koldo García, aktualisht në paraburgim në kuadër të hetimeve për të ashtuquajturën “çështja Koldo”, që lidhet me ryshfete për furnizime sanitare gjatë pandemisë Covid-19 dhe dyshime për pastrim parash.
Kontrollet vijnë vetëm pak ditë pas dërgimit për gjykim të ish-kryeministrit José Luis Rodríguez Zapatero në çështjen “Plus Ultra”. Zhvillimet e fundit po e bëjnë gjithnjë e më të brishtë pozitën e kryeministrit Pedro Sánchez, i cili ndodhet në Romë ku është takuar me Papa Leone XIV dhe ka mbajtur një konferencë për shtyp në ambasadën spanjolle në Itali.
“Bashkëpunim i plotë me drejtësinë, presim të shohim çfarë do të dalë nga hetimet. Partia Socialiste Spanjolle nuk ka asgjë për të fshehur”, deklaroi Sánchez në lidhje me kontrollet e Guardia Civil në selinë e partisë së tij. Kryeministri mbrojti gjithashtu Ana Fuentes, përgjegjësen e PSOE-së që është aktualisht nën hetim: “Ajo i ka menaxhuar me përpikëri financat e partisë”, tha ai. “Ka pasur shumë spekulime dhe zëra për parregullsi të mundshme financiare. Nuk e nënvlerësoj rëndësinë apo seriozitetin e hetimit, por dua të sqaroj se në momentin që do të dalin informacione të reja për aktivitete apo sjellje të parregullta, Partia Socialiste do të veprojë me vendosmëri, siç ka bërë gjithmonë”.
Lidhur me Zapateron, të cilin e kishte mbrojtur edhe ditët e fundit, Sánchez përsëriti qëndrimin e tij: “Kam lexuar aktakuzën dhe jam informuar përmes mediave dhe përmbledhjeve të gjera të çështjes. Sinqerisht, siç i kam thënë edhe Parlamentit spanjoll, do të bashkëpunoj plotësisht me drejtësinë, do të respektoj prezumimin e pafajësisë së presidentit Zapatero dhe do ta mbështes plotësisht. Pas asaj që kam lexuar dhe diskutimeve me persona që e njohin ligjin më mirë se unë, nuk shoh arsye të mjaftueshme për të ndryshuar këtë pozicion”.
Në fund, kryeministri iu përgjigj në mënyrë indirekte liderit të Partisë Popullore, Alberto Núñez Feijóo, i cili kishte kërkuar zgjedhje të parakohshme. “Jemi në një situatë agonike, nuk mbetet zgjidhje tjetër veçse t’u japim menjëherë fjalën spanjollëve”, kishte deklaruar lideri i opozitës. Sánchez u përgjigj: “Disa kolegë më kërkojnë të çoj zgjedhjet përpara sepse e dinë që do të kisha shumicën parlamentare dhe do ta kisha më të lehtë të qeverisja. E kuptoj këtë, por nuk mund të thërras zgjedhje për interesa partiake; zgjedhjet duhet të mbahen në interes të qytetarëve”.
Skandali që përfshin Zapateron u thellua pas zbulimit në kasafortën e zyrës së tij në Madrid të rreth 100 bizhuterive luksoze me vlerë 2–3 milionë euro: varëse dhe byzylykë me smeralde e safirë, vathë të punuar me kujdes, një gjerdan me 14 rubinë cilësie shumë të lartë, si dhe ora koleksioni Omega dhe Longines. Hetuesit dyshojnë se ato mund të jenë pjesë e pasurisë së paligjshme të ish-kryeministrit spanjoll (2004–2011), në qendër të një skandali që rrezikon të trondisë qeverinë socialiste.
Pedro Sánchez ndodhet në Romë, por nuk do të takohet me kryeministren italiane Giorgia Meloni. “Jam i qetë”, deklaroi ai një ditë më parë për gazetarët që e pyetën për hetimin ndaj paraardhësit të tij, i akuzuar për organizatë kriminale, falsifikim dokumentesh dhe trafik influence në çështjen “Plus Ultra”, kompania ajrore low-cost e akuzuar për përdorim të paligjshëm të fondeve të marra gjatë pandemisë.
Njësia për krimet ekonomike të policisë ka dorëzuar një dosje prej 4 mijë faqesh te gjyqtari hetues José Luis Calama. Zapatero dyshohet se ka qenë në krye të një rrjeti që shtrihej nga Spanja në Venezuelë dhe deri në Kinë, duke përfituar në mënyrë të paligjshme 2.6 milionë euro nga kompani të ndryshme gjatë pesë viteve. Në kasafortën e zyrës së tij u gjetën 41 palë vathë, 15 varëse, 11 byzylykë, 8 ora dhe rreth 20 aksesorë të tjerë, për të cilët duhet të sqarojë origjinën. Sekretarja e tij ka deklaruar se disa prej bizhuterive ishin trashëgimi e bashkëshortes ose dhurata udhëtimesh.
Për “socialistin me buzëqeshjen e mirë”, që ndër vite krijoi imazhin e mbrojtësit të të drejtave civile dhe reformatorit modern, kjo është mënyra më e keqe për të rënë nga piedestali. Ligjet e miratuara gjatë qeverisjes së tij kundër dhunës në familje, për martesat homoseksuale dhe barazinë gjinore u morën si shembull në Europë. Më pas, Zapatero u përfshi si ndërmjetës në çështje ndërkombëtare, sidomos në përpjekjet për të bindur Nicolás Maduro të niste një tranzicion demokratik në Venezuelë — gjë që nuk ndodhi kurrë.
Sipas faqes El Confidencial, ish-lideri socialist ishte gati të largohej drejt Karakasit sapo emri i tij nisi të qarkullonte në ambientet gjyqësore. Ai kishte blerë një biletë për në Santo Domingo, prej nga do të vazhdonte me avion privat drejt kryeqytetit venezuelian.
“Çështja Zapatero” ka ndezur arenën politike spanjolle. Lideri i Partisë Popullore, Alberto Núñez Feijóo, akuzoi aleatët e socialistëve se “po mbështesin qeverinë më të korruptuar në histori”, edhe pse në vitin 2018 vetë qeveria e PP-së ra për shkak të një skandali të madh ryshfetesh.
Ndërkohë, po rritet shqetësimi edhe mes partive që mbështesin nga jashtë qeverinë e brishtë të Sánchez, si Partia Nacionaliste Baske. Kryeministri, i dobësuar prej muajsh nga hetimet ndaj bashkëpunëtorëve të tij më të afërt dhe bashkëshortes Begoña Gómez, mori edhe një goditje nga guvernatori socialist i Castilla-La Mancha, Emiliano García Page, i cili i kërkoi të shpallë zgjedhje të parakohshme ose ta çojë qeverinë në votëbesim në Parlament.
Hetimi ndaj José Luis Rodríguez Zapatero nisi nga një kallëzim i Prokurorisë Antikorrupsion në tetor 2024 kundër shtatë personave të dyshuar për përfshirje në një skemë pastrimi parash me origjinë nga Venezuela, pas sinjalizimeve të autoriteteve zvicerane dhe franceze.
Hetimi u lidh më pas me çështjen “Plus Ultra”, pra shpëtimin financiar prej 53 milionë eurosh të kompanisë ajrore low-cost gjatë pandemisë Covid-19. Një financim që u konsiderua joproporcional me madhësinë reale të kompanisë, e cila kishte më pak se 0.1% të tregut kombëtar.
Hetimet e gjyqtarit José Luis Calama nxorën në pah lidhjet e dyshuara mes kompanisë së themeluar nga biznesmeni Julio Martínez dhe regjimit të Nicolás Maduro. Zapatero përfundoi në qendër të hetimeve si person i dyshuar për drejtimin e një rrjeti të paligjshëm me degëzime nga Venezuela deri në Kinë, për të përfituar ryshfete dhe avantazhe ekonomike deri në 2.6 milionë euro.
Sipas hetuesve, Julio Martínez — i arrestuar më 11 dhjetor 2025 — përfitoi mbi 300 mijë euro përmes kompanisë së tij “Analisis Relevante” nga fondet e “Plus Ultra” dhe më pas transferoi 490.780 euro te Zapatero dhe 239.755 euro te “Whathefav”, kompania e marketingut e dy vajzave të tij, Laura dhe Alba Rodríguez Espinosa.
“Nga dokumentet e sekuestruara, email-et e analizuara dhe lëvizjet financiare të evidentuara, mund të thuhet se kjo kompani nuk ushtronte aktivitet normal tregtar, por përdorej si mjet për krijimin e faturave fiktive, shpërndarjen e fondeve dhe mbulimin formal të operacioneve financiare të lidhura me rrjetin”, thuhet në vendimin e gjykatës të datës 18 maj.
Gjithashtu, sipas njësisë policore Udef, “Analisis Relevante” kishte transferuar mbi 447 mijë euro në llogaritë personale të vajzave të Zapateros. Avokatët e ish-kryeministrit mohojnë çdo akuzë dhe pretendojnë se bëhej fjalë për pagesa konsulence.
Një tjetër kompani, “Inteligencia Prospectiva”, e krijuar në vitin 2020 nga dy vëllezër venezuelianë, dyshohet se ka transferuar një milion euro drejt kompanisë së vajzave të Zapateros, kompanisë “Analisis Relevante” dhe think tank-ut “Gate Center”, i drejtuar nga vetë ish-kryeministri.
Sipas Udef, “Inteligencia Prospectiva” ishte e lidhur me Partinë Komuniste Kineze dhe synonte që Zapatero, zyrtarisht i përfshirë në negociatat mes Maduro-s dhe opozitës, të shërbente në fakt si ndërmjetës mes Karakasit dhe Pekinit për shitjen e naftës venezueliane në Kinë. Dyshimet u shtuan edhe më shumë pasi u zbulua se “Whathefav” kishte dy kontrata me multinacionalen Huawei./Corriere della Sera
Komente






