Ish-kryeministri Sali Berisha, muajin e kaluar, dhe ish-presidenti Bamir Topi ditën e sotme, kanë kaluar tashmë të 2 derën e SPAK, ku janë marrë në pyetje lidhur me krimin shtetëror të 21 janarit.

Por, deklaratat e tyre pas daljes nga SPAK ishin të ndryshme, ku Berisha tha se nuk është ballafaquar me dëshmi të tjera dhe se i është kërkuar shpjegim vetëm për një pretendim të Topit, sipas të cilit Lulzim Basha e ka takuar presidentin më 22 janar për të ndikuar tek Ina Rama.

Berisha e ka mohuar që ta ketë çuar Bashën tek Bamir Topi për të negociuar që mos të zbatoheshin urdhërarrestet. Ndërkohë, Topi i thirrur si person që ka dijeni, refuzoi të japë detaje për thirrjen në SPAK duke thënë se çështja është në hetim.

Emisioni ‘Repolitix’ me gazetarin Denis Minga në Report Tv, zbardhi sot disa pjesë nga libri i ish-presidentit Bamir Topi Nocturn. Pjesë të librit të ish-presidentit zbulojnë detaje të reja mbi ngjarjet e 21 janarit, ku sipas rrëfimit të Topit, më 23 janar 2011, Lulzim Basha atëherë ministër i Brendshëm e ka vizituar në banesë herët në mëngjes, i shqetësuar nga ngjarja.

Topi shkruan se Basha i ka kërkuar ndërhyrje te Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama, për të "tërhequr" urdhërndalimet ndaj zinxhirit komandues të Gardës.

LIBRI NOCTURN: BASHA NË SHTËPINË E BAMIR TOPIT NE 23 JANAR 2011, Bamir Topi: "Të nesërmen, më datë 23 janar, ditë e diel, herët në mëngjes mora një telefonatë nga Lulzim Basha, ministër i Brendshëm dhe pas përshëndetjes së rastit kërkoi të më takojë. Rreth orës nëntë të atij mëngjesi e prita Lulin në zyrë të improvizuar në banesën time. Ishte i shqetësuar, nuk e fshinte dot gjendjen e tij dhe ndërrimin e kursit të ngjarjeve.

-Mirëmëngjesi, mirë se erdhe! -hapa bisedën.

-Mirëmëngjesi! Ndoshta herët se është dhe e diel! -më tha.

-Jo, i thash. Jam pothuajse pa gjumë gjithë natën duke ndjekur ç'po ndodh. Meqenëse jemi këtu, ç'po ndodh në këndvështrimin tënd në marrëdhëniet me prokurorinë? - vazhdova bisedën. Pas një hezitimi të shkurtër më thotë: "Në fakt për këtë çështje erdha të bisedoj! Ne jemi të shqetësuar për urdhërndalimet e zinxhirit komandues të Gardës"! -Erdha të them edhe në emër të kryeminis- trit të ndërhyni të Prokurorja e Përgjithshme për t'u tërhequr nga kjo iniciativë! - tha Luli duke mbyllur kërkesën e tij".

LIBRI NOCTURN: BASHA NË SHTËPINË E BAMIR TOPIT NE 23 JANAR 2011

Bamir Topi: Dëgjo, Luli! Besoj se biem dakord që ka ndodhur një ngjarje e përmasave tragjike, me implikime të rënda të politikës dhe shtetit. Unë jam kryetar shteti dhe interesi është që me qetësi të vendosemi të zbulojmë shkaktarët, duke filluar me politikanët, demostruesit, policët, gardistët e kushdo qofte pas tyre. Unë nuk mund të marr përgjegjësi historike për të devijuar të vërtetën. I kam dhënë besimin kryeprokurores në një takim të zhvilluar dje, nga ku rezulton se qeveria dhe garda apo policia nuk po bashkëpunojnë për mbledhjen e provave dhe hetimin. Në fund, para se të ndaheshim, duke dashur të ruaj një komunikim me njerëzor, ndoshta i dhashë një këshillë të panevojshme. Shiko letrat e tua nëse i ke në rregull se kjo punë parashikoj se do të shkojë jo mirë”, shkruan Topi.

Në libër, Topi sjell edhe takimin e tij me Ina Ramën, të zhvilluar një ditë pas protestës. Prokurorja, sipas tij, e ka informuar se policia dhe Garda nuk po bashkëpunonin me hetimin, duke mos dhënë as përgjigje për kërkesat për marrjen në pyetje të efektivëve. Topi thotë se i ka dhënë mbështetjen e plotë për të vijuar procedurat ligjore dhe për të çuar çështjen deri në fund, pavarësisht presioneve politike.

LIBRI NOCTURN: TAKIMI I PRESIDENTIT TOPI ME KRYEPROKUROREN INA RAMA

Bamir Topi: Në këto kushte kërkova që Ina Rama të vinte dhe të më informonte për situatën, e cila po shkonte në një drejtim tjetër, atë të përplasjes së hapur të institucioneve, ku politika po pengonte dhe po sabotonte një hetim objektiv të ngjarjes së rëndë. Ina Rama erdhi me një frymë në zyrën time në Presidencë, me një pamje të qetë, gjë që i jepte epërsi në gjykimin e situatës. -Çfarë po ndodh konkretisht? - e pyeta. 'Kemi kërkuar t'i marrim në pyetje. Shkresën ia kemi dërguar drejtorit të Policisë, Hysni Burgaj, por ende nuk ka përgjigje. Qëllimi është t'i marrim në pyetje".

Bamir Topi: Vazhdo me kurajo dhe pa ju ndarë ligjit dhe procedurave. Do kesh mbështetjen time për zbardhjen e kësaj çështjeje. Beteja do të jetë e fortë, por ne do të shkojmë tek e vërteta, cilado të jetë kostoja e saj; -i thashë Inës, duke kërkuar të më informojë hap pas hapi.

Të ftuar në emisonin, avokati Rezart Kthupi, tha se dëshmia e Bamir Topit mund të zbardhë 21 janarin. Sipas tij presidenti ka qenë i informuar nga të gjitha shërbimet sekrete për çdo gjë që ndodhte.

‘SPAK e ka pyetur Bamir Topin pasi ka pyetur Berishën dhe e ka pyetur Berishën pasi pyeti Bashën. Në këtë rast fakti që ca deklaron Berisha duhet krahasuar me deklaratat e Bashës dhe Topit. Unë them se Topi ka folur për periudhën 19 -22 janar, sepse presidenti merr çdo ditë informacion nga shërbimi sekret. Ka pasur dijeni për të gjitha zhvillimet e pritshme. Është një nga personat me njohuritë më të thella si me përgatitjen e protestës si me ato pas protestës.

Analist Endri Tafani tha se për të zbardhur 21 janarin, sipas tij çelësi është Lulzim Basha.  Sipas tij, Basha ka pasur përgjegjësinë direkte pasi ishte ministër i Brendshëm.

‘Garda ka qenë në direktivën e ministrit të Brendshëm dhe ka qenë më i fortë komandimi i gardë nga ministri sesa sot. Nga ana e asaj që ka qenë kuadër ligjor në atë kohë përgjegjësia bie mbi ministrin e Brendshëm të kohës, sepse nëse garda ka qëlluar në tejkalim të ligjit dhe ti duhet të ishte aty dhe të veproje. Duket sikur çelësi është Basha duke qenë se ka përgjegjësinë direkte, pra për të zbardhur çështjen Prokuroria duhet të zbërthejë Bashën’, tha ai.

Për gazetarin Flogert Muça pengimi i hetimit të 21 janarit, është vrasje e dytë për 4 protestuesit.  Sipas tij, për 21 janarin po bëhen manovra që ngjarja të mbetet e pazbardhur.

‘Nëse mendojmë se do bëjnë drejtësi duke çuar para përgjegjësisë Berishën, Bashën dhe Ramën me akuzën tentativë për të penguar hetimin kjo është për ti vrarë sërisht ata protestues. Akuza është pengimi i drejtësisë për të zbuluar të vërtetën. Unë po kthehesha nga universiteti atë ditë dhe me një shok në pamë snajpera dhe të nesërmen kemi parë tek ajo tabela atje kishte vrima plumbash dhe sot mund të mos ishim. Mua më duket se me 21 janarin është duke u bërë një manovër për ta lënë të pazbardhur atë ngjarje’, tha ai.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:57
'Sekretet e 21 janarit janë në librin e Bamir Topit', avokati Beqiri: I ka thënë të gjitha në SPAK

Sekretet e 21 janarit janë në librin e ish-presidentit Bamir Topit Nocturn. Kështu shprehet avokati Idajet Beqiri në emisionin ‘Repolitix’ në Report Tv, ndërsa komentoi marrjen në pyetje nga SPAK sot të ish-presidentit Bamir Topi. Sipas tij, Bamir Topi i ka thënë të gjitha ato që di lidhur me këtë ngjarje në SPAK.

‘Sekretet e 21 janarit janë në librin e ish-presidentit Bamir Topit. Ne kërkuam që libri të merret si provë dhe ai të pyetet edhe Topi edhe Rama dhe Ina Rama. Në kuadrin e morisë së provave që janë që janë të shumta, është një ngjarje që ka ndodhur në mes të gjithë mediave, nuk është puna ca do fshehim se nuk fshihet gjë. Bamir Topi ishte kryetar i shtetit dhe e dinte se çfarë do të ndodhte. Sikurse ka pasur informacion edhe për datën 21 dhe për 22 dhe 23. Berisha e akuzonte kreun e shtetit dhe duke thënë që presidenti do bënte puç dhe unë mbrojta Kryeministrinë , pra ti i bie që e ke bërë krim për të mbrojtur Kryeministrinë’, tha ai.