Përpara prokurores Elisabeta Imeraj Gjiknuri ka dhënë detaje lidhur me shkeljet e konstatuara te Autoriteti i Rrugëve, ku ndërkohë kanë përfunduar në pranga ish-drejtorët Andi Toma dhe Dashamir Xhika, përkatësisht zyrtarë të PD dhe LSI. Pas daljes nga Prokuroria e Krimeve të Rënda Gjiknuri tha se kishte dhënë shjpegime për ato që kishte konstatuar auditi i Ministrisë në ARRSH. "Meqenëse kam qenë ministër dhe kam kallëzuar, dhashë dëshminë. Unë nuk kam gjë për të shtuar ato që kisha janë thënë në audit. Çfarë kam për të thënë i kam shprehur në Prokurori. Në cilësinë e personit kallëzues duhet të jepja dëshminë. Pres që Prokuroria të vazhdojë hetimet”, u shpreh ministri i Transporteve, Damian Gjiknuri.
Nga një audit i kryer nga Ministria e Transporteve është zbuluar një dëm prej rreth 54 milionë euro në buxhetin e shtetit për autostradën Tiranë-Elbasan, e cila ka nisur të ndërtohet në vitin 2011, por ende s'ka përfunduar.
(Auditi i Ministrisë së Infrastrukturës për shkeljet në Tiranë-Elbasan)
Damian Gjiknuri është zyrtari i tretë i lartë i cili thirret për të dëshmuar. Më herët kanë dëshmuar edhe ish-ministrat e Transporteve të LSI, Edmond Haxhinasto dhe Sokol Dervishaj. Ndërsa fundjavën e kaluar u pyet nga prokurorja Imeraj edhe kreu aktual i ARRSH, Afrim Qendro.
Kallëzimi në 2016 për Dashamir Xhikën
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka paditur në prokurori Drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Dashamir Xhika dhe i ka kërkuar qeverisë shkarkimin e tij për shkak të shkeljeve të dispozitave ligjore e nënligjore në fuqi, sidomos në fushën e prokurimeve dhe zbatimin e kontratave të infrastrukturës rrugore. Xhika akuzohet se i ka shkaktuar shtetit një dëm rreth 634 milionë lekë ose 4.5 milionë euro. Sipas KLSH-së dëmi ka ardhur kryesisht nga mungesa e supervizimit gjatë zbatimit të projekteve në infrastrukturën rrugore. KLSH ka kërkuar që të hetohen dhe 5 punonjës të tjerë të ARRSH-së. Shkeljet kanë të bëjnë edhe me projektin e zgjerimit të superstradës Tiranë- Durrës, por dhe për ndërtimin e rrugës By Pass Plepa-Kavajë-Rrogozhinë (lotet 4 deri 11).
Nga auditimi rezultoi që fondi limit i prokurimit “Studim, projektim zgjerimi i Superstradës Tiranë-Durrës” është rritur artificialisht në vlerën 100,001,686 lekë, përfituar padrejtësisht nga operatori ekonomik fitues i prokurimit. Gjithashtu, KLSH vëren se, përgjatë periudhës së përgatitjes së dokumenteve të tenderit dhe zhvillimit të procedurës së prokurimit “Studim, projektim zgjerimi i Superstradës Tiranë-Durrës”, janë bërë disa investime nga institucione të tjera me fonde të buxhetit të shtetit, investime të cilat me zbatimin e projektit të zgjerimit të superstradës “Tiranë-Durrës”, do të mbivendosen, ribëhen apo prishen plotësisht. KLSH i ka përcjellë Prokurorisë, kallëzim penal për Xhikën dhe pesë nëpunës të tjerë të këtij institucioni Th.Xh, N.M, A.A, D.Sh dhe D.G për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

VIDEO










