Avokati Idajet Beqiri e sheh si sinjal pozitiv orientimin e ri të SPAK kundrejt hetimit pasuror të familjes së Sali Berishës. Megjithatë, ai thekson në “Studio Live” në Report TV se ka shumë afera korruptive që nuk po hetohen. Avokati përmendi disa prej tyre si vjedhja e bankës së Shkodrës e Tropojës apo afera të tjera ku përfitues ka qenë Berisha me familjen e tij.

“Është sinjal i mirë që SPAK nuk po rri në vend numëro për sa i përket përmbajtjes së veprimtarisë së vet në luftën kundër korrupsionit të lartë shtetëror sepse u duk sikur u kapën pas një gjetheje te kompleksi ‘Partizani’ dhe u morën me të, me Sali Berishën e dhëndrin e tij për të mbuluar me dhjetëra afera të rënda korruptive të Berishës e familjes së tij. Këto afera të rënda janë të panumërta. Vetëm në SPAK janë nën hetim çështje të forta, të vjetra, që i ka zënë pluhuri dhe nuk hetohen. Është në hetim dhe nuk po i vihet në fund vjedhjes së bankës së Shkodrës me organizator Sali Berishën dhe paratë e bankës së Shkodrës kanë shkuar te familja Berisha, vjedhja e bankës së Tropojës është nën hetim, përsëri është kapobandë Sali Berisha. Janë gjithë ato afera të tjera korruptive, privatizime të panumërta që janë bërë të komanduara prej tij, të imponuara prej tij dhe përfitues ka qenë ai dhe familja e tij: Armour, Alb Petrol, afera nga më të rëndat. SPAK nuk po merret me to dhe u mor vetëm me kompleksin ‘Partizani’ dhe u duk që do të merret me këtë dhe pastaj t’i gëzosh miliardat që ke marrë”, tha Beqiri.

Më pas, ai shtoi se me urdhër të Berishës u shkatërruan 525 uzina e fabrika që sollën largimin nga vendi të 1 milionë e 300 mijë shqiptarëve.

Sipas tij, ka afera më të mëdha sesa shpenzimet për organizimin e Kuvendit të 11 dhjetorit në stadium. Ai deklaron se edhe protestuesit që ndenjën 9 muaj poshtë shtëpisë së tij, kanë qenë të paguar. Avokati përmend shifra rreth 100 euro, të dhëna nga Flamur Noka e ‘shokë’ të tjerë të Partisë Demokratike. Një tjetër pikë ku ndalet janë 6 milionë dollarët me të cilat u pagua Chris LaCivita.

“Po 6 milionët e LaCivitas nga dolën? Ku i gjetën ato para? Po 9 muaj rresht, ata njerëzit që rrinin poshtë te shtëpia e Berishës dhe hoxha në majë të minaresë u këndonte dhe këta poshtë ia bënin ‘amin’, asnjëri nuk shkonte pa lekë, çdonjëri nga ata paguhet. Ata njerëzit e protestës, të dhunshmit, i ndalon policia dhe i fut në burg. Ne i mbrojmë ata dhe unë kam disa prej tyre që i kam klientët e mi dhe më thonë hapur ‘jam i varfër, mora 100 euro’. Po kush t’i dha? ‘Trastën’, Flamur Noka, Shaban Memia, ish-ministri i Drejtësisë me çantë me para, Këlliçi e të tjerët. Kështu i marrin dhe paguhen. Ku gjenden të gjitha këto?”, tha avokati.

Në fund, duke cituar ekspertë, avokati tha se vlera e privatizimeve nga aferat e familjes Berisha mund të shkojë në mbi 20 miliardë dollarë.

“Vetëm familja e Sali Berishës duke parë privatizimet që janë bërë, hidrocentrale, naftë, firma piramidale, fabrika e uzina që i shkatërroi, i bëri për skrap dhe lekët e skrapit i mori ai me familjen e vet, me Gërdecin, të gjitha pa përjashtim, shuma mund të shkojë mbi 20 miliardë dollarë që i ka të evidentuara. Një familje vetëm 20 miliardë! Ku janë 20 miliardë asete që t’i kthehen popullit?”, tha Beqiri.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:37
Hetimi pasuror për familjen Berisha, Beqiri në “Studio Live”: Sa dyqane ka në Bllok nusja e Shkëlzenit? Po ferma në Priskë e Argitës?

Avokati Idajet Beqiri u ndal gjatë diskutimit në ”Studio Live” në Report Tv  te pasuritë e fëmijëve dhe të afërmve të Berishës. Avokati tha se shqiptarët duan nga SPAK që këto të konfiskohen dhe t’u kthehen atyre.

“Duhet të hetosh edhe rrethin familjar të Berishës. Sa dyqane ka në Bllok nusja e Shkëlzenit, Shkëlzeni vetë e të tjera me radhë? Kush i ka dhënë me qira vilat që kanë qenë atje? Kush i administron ato? Kush paguan atje? Për kë paguajnë të gjitha ato lokale që janë atje? Si ia dha 9-katëshin Sali Berishës ky i Toptanit? Dhe një kat të tërë të kullës te stadiumi? Për çfarë ia fali ky person, biznesmen, disa i thonë edhe oligark, mbi ç’bazë? Do të shkosh te fëmijët e tij, te pasuritë e tyre. Ke një fermë të madhe në Priskë, e di gjithë fshati që është i Argita Berishës, me punëtorë që e ruajnë, e mbjellin, e korrin, e shijnë. Ke mbesën e Sali Berishës, Shpresa Breçanin. Ke Rolling Hills, me çfarë e bëri? Edhe mjaft pasuri të tjera që këta nuk po shkojnë. Shqipëria dhe shqiptarët këto duan prej SPAK-ut. Duan që të konfiskohen pasuritë dhe ktheja popullit”, u shpreh Beqiri.