Kuvendi i më shumë se 5 viteve më parë, që Berisha e mbajti me ithtarët e tij të ‘Foltores’ për t’i marrë PD-në Lulzim Bashës, tashmë po hetohet nga SPAK. Belind Këlliçi, aktualisht deputet i Berishës, atëherë ishte kryetar i Komisionit Drejtues, dhe për këtë është pyetur për më shumë se një orë në Prokurorinë e Posaçme, ndërsa në dalje nuk pranoi t’u jepte informacion gazetarëve.

“U thirra për një çështje periferike nga prokurori Arben Kraja”, tha ai.

Report Tv ka mësuar se shpenzimet e kryera për Kuvendin e famshëm të Berishës 11 dhjetorin e vitit 2021, po hetohen nga prokurori i posaçëm Arben Kraja, si pjesë e hetimit pasuror për kreun e PD dhe familjen e tij, fraksion i hapur në kuadër të aferës së privatizimit të ish kompleksit sportiv Partizani. Për këtë dosje Sali Berisha dhe Jamarbër Malltezi janë në gjyq të pandehur për korrupsion e pastrim parash.

Gjatë qëndrimit për më shumë se 60 minuta, hetuesit e kanë pyetur Këlliçin se kush e financoi këtë aktivitet, kush ka paguar për organizimin e tij, nese shpenzimet janë mbajtur apo jo sipas kërkesave ligjore dhe nëse janë deklaruar sipas ligjit.

Në Kuvendin e 11 dhjetorit 2021, Sali Berisha zhvilloi aktin final të një aksioni të nisur për luftën brenda PD kundër kryetarit të atëhershëm Basha. Ky i fundit e kishte përjashtuar nga grupi parlamentar i PD, pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës e shpallën ‘non grata’ si politikan i korruptuar që minon demokracinë. 

Berisha asnjëherë nuk bëri një transparencë të shpenzimeve të Kuvendit të mbajtur në “Air Albania”, as sa ishin dhe as se kush e financoi.

Nuk bëhet fjalë për shifra të vogla, por qindra milionë lekë, shpenzime që përfshinin qira të hapësirës ku është zhvilluar aktiviteti, skenografia e përdorur, reklamat në televizione të ndryshme, aksesorët për militantët me logon e partisë, materialet zgjedhore, qira sallash, kohë televizive satelitore etj.

Report Tv pati raportuar se vetëm shoqëria që administron stadiumin, ‘Qendra Sportive Kuqezi’ dhe që është në varësi të FSHF, i mori rreth 1 milionë lekë ose mbi 10 mijë euro Berishës, që t’i vinte në dispozicion të ‘Foltores’ arenën e madhe të shqiptarëve.

Në tapetin e gjelbër të fushës u vendos një skelë e madhe, e cila ishte porositur në Itali. Gjithashtu u vendosën ekrane të mëdhenj moderne.

Ky Kuvend vinte pas gati 4 muajsh me dhjetëra ‘Foltore’ që Berisha bëri në të gjithë vendin. Pra dhjetëra ambiente me qira, salla, udhëtime me eskorta e shoqërues. Dhe për këtë grupi i Berishës nuk raportoi asnjë shpenzim.

Pas pyetjes së Këlliçit, ende nuk ka informacion nëse edhe organizatorë të tjerë të atij aktiviteti do të thirren, si Flamur Noka apo Albana Vokshi. Po në SPAK për çështjen e Kuvendit të 11 dhjetorit, PD e drejtuar asaj kohe nga Lulzim Basha, pati kallëzuar 5 mbështetës së Berishës, mes tyre edhe Këlliçin, për falsifikim të vulave.

Ndërkohë, që teksa Këlliçi jepte sqarime para hetuesve të Prokurorisë së Posaçme, në GJKKO u zhvillua këtë të hënë seanca e radhës e gjyqit ndaj Berishës e Malltezit, ku avokatët e ish Kryeministrit kërkuan që mes dëshmitarëve të thirrej edhe Kryeministri Rama.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Erioni!: 12/01/2026 15:32

    Arben Kraja i eshte qep sales dhe se leshon, bravo! Prokuror i respektuar

    Përgjigju
    • Bravo: 12/01/2026 19:19

      Po Olsi Dado si është? Lot e lot...

  • Sondazhi i ditës: 28 Janar, 09:18

    Burg deri në një vit për parkim dysh, si e vlerësoni?