TIRANË-  Për 5 orë Kryebashkiaku i Tiranës dëshmoi sot, 26 dhjetor, para agjentëve të BKH-së si person që ka dijeni për hetimin e nisur nga Prokuroria e Posaçme, në lidhje me një vepër penale të korrupsionit pasiv, ndërkohë që ka nisur dhe hetim pasuror. Ai u mor në pyetje nga prokurori Olsi Dado. Kryebashkiaku Veliaj u paraqit në SPAK në orën 09:00 deri në 14:30 i vetëm pa praninë e avokatit.

Pas dëshmisë së tij disa orëshe, Veliaj nuk dha asnjë prononcim për mediat, por paralajmëroi se do të flasë në mbledhjen e këshillit bashkiak të Tiranës, që do të mbahej vetëm disa orë më pas.

Veliaj sqaroi sot në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, se hetimi i SPAK-ut ndaj tij ka ardhur nga një denoncim i bërë nga një person i quajtur Nesti Angoni, por i cili është i sajuar dhe nuk ekziston në regjistrat e gjendjes civile. Veliaj e quajti këtë një kurth me letra anonime, alla “Jovan Bregu” apo “Andon Ledhi”.

"Jam denoncuar në mënyrë anonime nga një Nesti Angoni. Ky person nuk ekziston, e dimë çfarë emri dhe kulture linçuese përfaqëson ky stil. Është një kurth i sajuar. Jam sulmuar nga Nesti Angoni për të na kthyer pas te praktika e letrave anonim", tha Veliaj. 

Por, ndërkaq, burime të brendshme të SPAK-ut shprehen se sot kryebashkiaku u ka kërkuar pikërisht këtë edhe prokurorëve të çështjes: që të thërrasin për deklarim në Prokurori edhe personin denoncues, Nesti Angoni, në emër të të cilit është bërë denoncimi në SPAK.

Më 6 dhjetor 2024 SPAK sekuestroi telefonin e bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa. Me vendim të GJKKO kontrolle u kryen dhe në studion ‘Harabel’ tek ish-Blloku ku u sekuestruan dhe dokumente që kanë të bëjnë me hetimet e nisura nga prokurori Ols Dado, në lidhje me pasurinë e Erion Veliajt dhe familjarëve të tij.

Pas sekuestrimit të telefonit të bashkëshortes së Veliajt, SPAK u shpreh se janë ndërmarrë veprimet hetimore, ndërsa hetimi i nisur nga prokurori Dado është ende në faza paraprake. Kjo është hera e dytë që Veliaj paraqitet në SPAK, pasi herën e parë u paraqit më 30 prill të këtij viti. Në atë kohë kryebashkiaku qëndroi për 8 orë në SPAK lidhur me hetimet e Prokurorisë së Posaçme për inceneratorin e Tiranës.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:15
Pas 5 orësh, Veliaj del nga SPAK: Do ju sqaroj çdo gjë nga mbledhja e Këshillit bashkiak

1735218967_veliaj.jpg

Pas 5 orësh kryebashkiaku u Tiranës Erion Veliaj doli nga ambjentet e Prokurorisë së Posaçme ku ishte thirrur prej prokurorit Ols Dado për një hetim pasuror që po zhvillohet ndaj tij.

Për gazetarët aty jashtë Veliaj nuk preferoi të japë shpjegime, por tha se do sqarojë çdo gjë në mbledhjen e Këshillit Bashkiak live.

'Do t’ju shpjegoj nga mbledhja e këshillit bashkiak live, tha Veliaj.'