Një delegacion nga Komisioni i Venecias pritet të mbërrijë në Tiranë në datën 9 shtator. Burime bëjnë me dije për gazetaren Klesiana Omeri se ata do të qëndrojnë në vendin tonë për një vizitë dy ditore. Gjatë vizitës delegacioni do të organizojë takime me presidentin e Republikës Ilir Meta, kryetarin e Kuvendit Gramoz Ruçi, përfaqësues nga qeveria, KQZ Komisioni i Posaçëm Hetimor, përfaqësues të opozitës dhe anëtarë të shoqërisë civile.  

Vizita e tyre pas kërkesës me tetë pyetje që Kuvendi i Shqipërisë i dërgoi Komisionit të Venecias për t'i marrë opinion nëse Presidenti Ilir Meta e ka shkelur Kushtetutën me dekretin për anulimin e 30 Qershorit. 

Në letrën e firmosur nga kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi i kërkon Gianni Buquicchio që të sjellë sa më shpejt që të jetë e mundur opinionin nisur nga ndjeshmëria e çështjes në vendin tonë. 

Kreu i shtetit pak ditë para 30 Qershorit anuloi zgjedhjet me argumentin e situatës politike dhe bojkotit të opozitës, por KQZ dhe Kolegji Zgjedhor rrëzuan kreun e shtetit dhe shumica zhvilloi zgjedhjet, të cilat Meta dhe opozita nuk i njohin.