Hetuesit e Byrosë, do u verifikohen
udhëtimet jashtë në 6 vitet e fundit

Hetuesit e Byrosë, do u verifikohen<br />udhëtimet jashtë në 6 vitet e fundit
Kandidatët për hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit, për anëtarë të Gjykatës Speciale dhe Prokurorisë së Posaçme duhet të kalojnë në një filtër dhe skaner ekstrem. Kandidati, në një formular të posaçëm, duhet të deklarojnë të gjitha vendet në të cilat ka udhëtuar si dhe datat e përafërta të udhëtimit, që nga viti 2010 e në vijim. Po ashtu, sipas draftit për institucionet që do luftojnë krimin dhe korrupsionin, kandidati është i detyruar që të japë një listë të të gjitha takimeve, marrëdhënieve apo komunikimeve, me përjashtim të takimeve apo komunikimeve që kanë lidhje me pozicionin e tij si gjyqtar apo prokuror, me persona të cilët, në dijeninë e kandidatit, janë arrestuar, dënuar apo akuzuar publikisht për krim të organizuar. Po nga janari i vitit 2010, kandidati duhet të deklarojë të gjitha shtëpitë, apartamentet, shtëpitë e pushimit, automjetet, motorrët, mjetet lundruese apo aeroplanët të cilët kanë qenë nën pronësinë e kandidatit apo i janë dhënë në përdorim, përveçse për qëllime zyrtare të ushtrimit të profesionit. 

Kushërinjtë
Përpos familjarëve, kandidati duhet të shkruajë emrin, datëlindjen, vendlindjen dhe shtetësinë e nipërve, gjyshërve, xhaxhallarëve/dajave, tezeve/hallave, kushërinjve të parë dhe kushërinjve të dytë për kandidatin dhe bashkëshortin/en. Ai duhet të tregojë për çdo rekord kriminal të familjarëve dhe kushërinjve. Deklarata e kandidatit do të verifikohet nga Shërbimi Informativ Shtetëror dhe Byroja Kombëtare e Hetimit, institucione të cilat do të hartojnë një raport, të cilin do t’ua dorëzojnë Këshillit të Lartë Gjyqësor apo Këshillit të Lartë të Prokurorisë. 

Deklarata për privatësinë 
Kandidatët për hetues të Byrosë firmosin një deklaratë me shkrim për heqjen dorë nga e drejta e tyre për pritshmëri për privatësi (jetën private) në telekomunikimet e tyre dhe në të dhënat financiare. “Unë jam i informuar se do të caktohem me detyrë në një post që duhet të ketë besimin e posaçëm të publikut. Gjatë punësimit tim, jam i informuar dhe kuptoj se do të marr një telefon celular, një numër celulari dhe një adresë poste elektronike. Jam dakord të përdor vetëm këto mjete komunikimi elektronik. Nëse gjatë një emergjence do të më duhet të përdor një mjet tjetër komunikimi elektronik, do t’ia raportoj këtë  fakt Oficerit Përgjegjës të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Jam i informuar dhe dakord që ky numër telefoni dhe kjo adresë poste elektronike i nënshtrohen vëzhgimit nga Oficeri Përgjegjës i Byrosë Kombëtare e Hetimit, ku përfshihet leximi i e-maileve, mesazheve tekst si dhe dëgjimi i bisedave”, thuhet në deklaratë. 

Për llogaritë 
Kandidatët firmosin një deklaratë për mbikëqyrjen e llogarive financiare. “Jam i informuar dhe dakord për të deklaruar llogaritë e mia financiare dhe ato të familjarëve të mi të afërm, si dhe për të deklaruar çdo llogari të re që mund të krijojmë. Jam i informuar dhe dakord që këto llogari do të vëzhgohen nga Drejtoria e Përgjithshme për Parandalimin e Pastrimit të Parave. Jam i informuar dhe dakord që nëse nuk i respektoj këto kushte, mund të përballem me masa disiplinore, ndër të cilat mund të jetë ndërprerja e punësimit im. Jam i informuar gjithashtu se informacioni i përftuar nga ky vëzhgim mund të përdoret në ndjekje penale, nëse ka prova për një vepër penale”, thuhet në deklaratë. 

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    PD paralajmëron protesta, bllokim rrugësh e kaos në Kuvend, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Ndërpritet derbi i Madridit, Reali i shënon Atleticos! Tifozët hedhin sende të forta kundër Courtois

VIDEO/ Ndërpritet derbi i Madridit, Reali i shënon Atleticos! Tifozët hedhin sende të forta kundër Courtois