TIRANE -  Bien dyshimet e para për gjetjen e eshtrave të fëmijës Julian Çela. Grupi i hetimit konfirmoi për "A1Report!" se eshtrat e gjetura në një batanije nuk janë njerëzore e si rrjedhim, nuk kanë lidhje me trupin e Çelës.

Pas rreth 4 ditë kërkime pa asnjë gjurmë nga trupi i Julian Çelës, sot në vendgrumbullim e mbetjeve urbane në Sharrë janë gjetur dy batanije, në një hark kohor prej një ore. Në njërën prej tyre dyshohet se janë gjetur të mbështjella eshtra njerëzish. Prokurori i çështjes si dhe ekspertët kriminalistë kanë mbërritur në vendngjarje për të bërë ekzaminimet nëse kemi të bëjmë me eshtrat e Juliani, vogëlushit 11-vjeçar apo jo.

Të dielën e kaluar 45-vjeçari Ardian Prenjasi, i cilësuar si pedofili monstër i Laprakës, rrëfeu në polici se kishte vrarë Julian Çelën ditën e rrëmbimit më (30 nëntor 2012) dhe se trupin e tij e kishte hedhur në kazanin e plehrave pranë shtëpisë të mbështjellë në batanije të kuqe. Ndërsa të nesërmen, (1 dhjetor) kishte shkuar në vendgrumbullimin e mbetjeve në Sharrë për t' u sigurua nëse trupi i të miturit gjendej aty, apo ishte pikasur nga ndonjë njeri tjetër. Përveç pohimit të 45 vjeçarit nga Prrenjasi i Librazhdit, (bërë të dielën e 17 marsit 2013, pasi u arrestua për rrëmbim dhe abuzim të një tjetër fëmije 10 vjeçar ) policia nuk ka ende një provë shkencore që të kryqëzojë Prenjasin për vrasjen e Julian Çelës. Prandaj që prej të hënës së 18 marsit kishin nisur kërkimet në Sharrë, pasi ai tregoi dhe vendin ku mendonte se e kishte parë trupin për herë të fundit. Gjetja e trupit të Julianit, djali i zyrtarit të SHISH-it, Skënder Çela, apo eshtrave që mund t'i përkasin atij do të ishin provë materiale kryesore kundër pedofilit monstër.

Gjetja e batanijes së kuqërremtë dhe gjetja e batanijes tjetër me eshtra, ka bërë që në landfillin e Sharrës të ndërpriten për momentin kërkimet e ushtarëve të Forcave të Armatosura dhe punëtorëve të landfillit. Të gjithë hetuesit janë mbledhur në pikën e Sharrës ku është gjetur batanija e dytë me mbetje kockore në të.
 

*Në foto, batanija e kuqerremtë e cila u gjet e para (rreth orës 10:40) në Sharrë

Ora 20:18 GRUPI I HETIMIT:  ESHTRAT NUK JANE NJEREZORE
Pas ekzaminimeve laboratike, eshtrat e zbuluara sot në Sharrë rezultuan se nuk janë njerëzore. Këtë e konfirmoi grupi hetimor për "A1 Report!". Pas rreth 4 ditë kërkimesh pa asnjë gjurmë nga trupi i Julian Çelës, sot në vendgrumbullim e mbetjeve në Sharrë u gjetën dy batanije, njera prej të cilave me eshtra, e cila u analizua dhe arriti në këtë përfundim.

RINISIN KERKIMET
Ora 15:24 Rinisin kërkimet për gjetjen e trupit të fëmijës në fushën e mbetjeve.

DREJTUESIT ME TE LARTE TE POLICISE NE SHARRE
Ora 13:45 Drejtuesit më të lartë të policisë janë gjendur në vendgrumbullimin e mbetjeve të Sharrës për të ndjekur nga afër hetimet për gjetjen e trupit të Julian Çelës. Atje ndodhet zëvendësdrejtori i Drejtorisë së Policisë njëherësh drejtori i Departamentit të Hetimit. Më herët në vendgrumbullimin e mbetjeve në Sharrë ka shkuar edhe Tonin Vocaj, drejtor i Krimeve të Rënda të Departamentin e Hetimit të Krimit.

Prokurorë, ekspertë kriminalistikë, ligjorë dhe hetues të shumtë kanë qenë prezent në vendngjarje, të cilët së bashku kanë sekuestruar provat materiale të gjetura sot në Sharrë të cilat do të ekzaminohen pranë laboratorëve.

EKSPERTE BIOLOGE NE VENDGJARJE, ANALIZON ESHTRAT

Ora 13:10
Sipas informacioneve nga gazetari i A1 REPORT, Arsen Rusta i cili ndodhet në vendngjarje, ndryshe nga sa pritej, provat materiale nuk do të çohen në laborator për t’u ekzaminuar, pasi një eksperte biologe do t’i analizojë ato në Sharrë. Nga përfundimet e saj do të kuptohet nëse eshtrat i përkasin një njeriu apo nëse kemi të bëjmë me eshtra shtazore.

FAMILJARET E JULIANIT VEZHGOJNE ME DYLBI PROVAT
Ora 12:55 Në vendngjarje kanë mbërritur edhe të afërm të Julian Çelës të cilët presin me ankth përfundimet e ekzaminimit të provave materiale të gjetura. Ata me anë të një dylbie zmadhues janë duke parë nga afër gjithçka po ndodh me provat nga prokurorët dhe ekspertët deri në momentin që batanijet dhe mbetjet kockore të gjetura të shkojnë në laboratorët e ekzaminimit, nga ku në përfundim të tyre do të dalin edhe konkluzionet mbi ngjarjen.

KERKIMET E VAZHDUESHME NE LANDFILLIN E SHARRES

Gjatë ditës së djeshme, kërkimet e specializuara për gjetjen e trupit të të miturit, pas ndërprerjes dy ditë më parë për shkak të motit të pavaforshëm me shi, por edhe dje pas 4 orësh kërkime nga ushtria dhe ekspertët, gjithçka ka rezultuar pa sukses. Kërkimet shtrihen në parcela të ndryshme brenda perimetrit të vendgrumbullimit të plehrave në Sharrë.

Dje, prokurori i çështjes, Ervin Karaxha, bashkë me shefin e tij, Erjon Pano, nga Prokuroria e Tiranë kanë vëzhguar nga afër kërkimet në Sharrë. Ata vëzhguan teksa ekskavatori dhe mjetet e xhenios gërmonin, ndërsa tre ushtarë specialistë vëzhgonin me sy nëse mund të dilte ndonjë provë materiale për praninë e trupit të vogëlushit Julian Çela.

Ndërkohë tre ditë më parë, djali i tezes i pyetur nga gazetari i TV A1 REPORT Arsen Rusta informoi se shpresat e familjes për të gjetur trupin e Julianit kanë nisur të humben dhe duan leje të nisin vetë kërkimet.

“Për momentin nuk ka asnjë lloj kërkimi, asnjë lloj gërmimi. Janë ndërprerë, që dje në orën katër dhe vazhdon ende ndërprerja deri sot që është ora 11” – kështu është shprehur për gazetarët i afërmi i vogëlushit të vrarë Julian Çela. Ai pohoi se nëse shteti nuk do të bëjë gjë ata si familje do të nisin kërkimet

Interesimi i familjarëve  ka qënë shumë i madh, por nuk u gjend asnjë gjurmë e trupit apo veshjeve të fëmijës. Dy ditë më parë Ardjan Prrenjasi u dërgua sërish në Sharrë, menjëherë pasi gjykata dha ndaj tij masën e sigurisë “arrest me burg” për akuzën e përdhunimit të një të mituri.

Me të mbërritur në Sharrë, Ardian Prrenjasi ka dhënë një dëshmi tjetër se ku mund të ishte hedhur trupi i 11 vjeçarit, duke dhënë indikacione dhe për dy parcela të tjera. Pedofili Ardian Prrenjasi momentalisht akuzohet vetëm për marrëdhënie seksuale me dhunë me të miturin A.C. Ai ka dalë dje para togave të zeza ku mori “arrest me burg”, ndërkohë që nuk i është ngritur ende akuza për vrasjen e Julian Çelës, pasi ndonëse ai vetë e ka pranuar në dëshminë e tij në polici nuk ka ende prova shkencore për ta vërtetuar.

Redaksia online

(Gre.M/s.g/Shqiptarja.com)