KLOS – Klodian Kulla, nipi i Nehat Kullës është gjetur i pajetë në Fshatin Fshat në Klos, në rrugën e Arbrit. Policia thotë se 39-vjeçari dyshohet që të jetë hedhur nga ura, rreth 160 metra e lartë, gjatë mbrëmjes së të hënës, rreth orës 23:40.

Trupi i pajetë u nxorr nga humnera pas disa orësh kërkimi nga shërbimet e zjarrfikësve, forcave Shqiponja dhe policisë së Burrelit. Ende nuk dihen rrethanat e ngjarjes, ndërkohë që policia po bën ekspertizën  në Tiranë nëse ka kryer vetëvrasje apo është vrarë.

"Më datë 08.12.2025, rreth orës 23:40, tek ura e fshatit Fshat, bashkia Klos, shtetasi K.K., rreth 39 vjeç, dyshohet se është vetëhedhur nga ura dhe për pasojë, ka humbur jetën. Si pasojë e terrenit të vështirë, pas disa orësh kërkimi nga shërbimet e Policisë dhe të Zjarrfikësve, u bë e mundur gjetja dhe nxjerrja e trupit nga gremina. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes.", njoftoi policia. 

Klodian Kulla ishte emër i njohur për policinë. Ai u arrestua në prill të vitit 2021 pas një operacioni të SPAK për arsenal armësh bashkë me 8 të tjerë. Në kërkim u shpall edhe i vëllai Akil Kulla, ndaj të cilit, GJKKO dha në qershor të atij viti dënimin me 8.8 vite burg.

Klodian Kulla ishte nipi i Nehat Kullës, i cili njihej si “Gjenerali” dhe banda e tij veproi në Tufinë në vitet 1997-1998.

1765264998_klodiankulla.jpg

Foto: Klodian Kulla
Lajm në përditësim...