A është e mundur që të gjithë turqit e Prizrenit, boshnjakët dhe romët, në këto zgjedhje lokale të preferojnë të votojnë për Partinë Demokratike të Kosovës? Athua të gjithë ata janë të pajtimit që Ramadan Muja, kryetar aktual i komunës, të jetë kandidat i kësaj partie edhe për një mandat, dhe askush prej tyre të mos ketë asnjë rezervë ndaj profilit të tij moral, ndonëse, deri sa po gjykohet me dyshim se ka abuzuar me pushtetin, nuk po do të zhvishet nga pushteti, që me drejtësinë të përballet si të gjithë qytetarët e tjerë?

E mundur a e pamundur, në emër të tyre kështu kanë vendosur udhëheqësit e gjashtë subjekteve politike të komuniteteve prizrenase – dy turke: Partia Demokratike Turke e Kosovës (KDTP) dhe Partia e Drejtësisë Turke e Kosovës (KTAP); tri boshnjake: koalicioni i partive boshnjake Vakat, Qendra e Unitetit Demokratik (CDU) dhe Partia e Re Demokratike (NDS); dhe një rome:Partia e Bashkuar e Romëve të Kosovës (PRBK) – të cilët me Hashim Thaçin, kryetar i PDK-së dhe aktualisht kryeministër i vendit, kanë arritur marrëveshje për ta mbështetur kandidatin Muja.

Hashim Thaçi, me retorikën e tij me fjalë bombastike, paralajmëroi “fitore bindëse dhe spektakulare” të Ramadan Mujës, pa e pasur idenë se me këtë marrëveshje po e bën copë e grimë imazhin e tolerancës ndëretnike të Prizrenit, dhe motos së kandidatit të tij “për Prizrenin evropian” po i jep tingëllimë ironike, duke ia mveshur qytetit multietnik një përgjasim aparteidi. Vetëm në një vend, në të cilin mbretëron segregacioni, pakicat, duke u ndjerë të rrezikuara në qoftë se e mbështesin shumicën e veçuar, e përkrahin pushtetin jopopullor.

Natyrisht, është vetëm “përgjasim”, sepse Kosova nuk është vend aparteidi dhe partitë e pakicave kanë të drejtë ta mbështesin kë të kenë dëshirë. Megjithatë, në qoftë se të gjitha ato, me listë, rreshtohen në anën e një pushteti, i cili nga një pjesë e mirë e popullatës shumicë konsiderohet si burim i shumë të këqijave në këtë vend, ato megjithatë do të nxisin antipatinë e partive tjera politike të shqiptarëve. Kjo tashmë, për fat të keq, edhe ka ndodhur.

Dy parti politike shqiptare, Lidhja Demokratike e Kosovës, dhe partia lokale Bashkimi Demokratik, me fjalë jo fort të zgjedhura kanë akuzuar partitë e pakicave së po bëhen vegla manipulimi të partisë në pushtet. I pakënaqur se nuk i është lejuar të ketë komisionarë në vendvotime, kryetari i Bashkimit Demokratik, Zafir Berisha, ka vërejtur se partia në pushtet qysh tash “po e orkestron vjedhjen e votave”, duke emëruar partizanë të saj si komisionarë në emër të minoriteteve, edhe në vendet ku minoritarë nuk ka. Edhe Hodaj i LDK-së ka po të njëjtin shqetësim: që militantët e partisë në pushtet, në emër të minoritarëve, të instalohen si komisionarë në vendvotime.

Nesër, anëtarë të këtyre dy partive mund të thonë: ranë turqit e boshnjakët dhe na e lanë Mujën në derë. Fajin, natyrisht nuk e kanë as turqit, as boshnjakët, pos se edhe ata, sipas shembullit të shumicës, kanë krijuar parti pa demokraci të brendshme, ndaj oligarkët e tyre vendosin në emër të tyre, sepse e shohin interesin personal në pushtetin e Thaçit. Po ashtu, boshnjakët, turqit e romët më së paku kanë faj pse në Kosovë tashmë është instaluar shteti partiak, ndaj Partia e Fortë – siç thotë “kryetari legjendar” Visar Arifaj, është parti ombrellë e të gjitha partive në Kosovë, pra të gjitha partitë janë nëndegë të Partisë së Fortë. Me të vetmin dallim, se parti vërtet “e fortë” është PDK-ja.

Marrë nga "Zëri"