HIMARË- Të dielën qytetarët e Himarës do të votojnë për kryebashkiakun e ri. KQZ ka dërguar materialet zgjedhore në Himarë. Sot është dita e fundit e fushatës, ndërsa nesër dy kandidatët për kryebashkiak i lënë vendin heshtjes zgjedhore.
Në Bashkinë e Himarës do të kryhet vetëm identifikimi elektronik, ndërsa qendrat e votimit do të jenë të pajisura me kamera sigurie.
"Në Komisionin Zonal të Administrimit Zgjedhor, baza materiale për 36 qendrat e votimit u dërgua ditën e sotme nga KQZ Shqiperi në bashkëpunimin me Ministrinë e Brendshme. Së bashku me kutitë e votimit, fletët e votimit dhe dokumentacionin e punës për komisionet zgjedhore, u dërguan edhe pajisjet e identifikimit elektronik (PEI), kamerat monitoruese që vendosen në qendrat e votimit, kamerat regjistruese/monitoruese që vendosen në tavolinat e numërimit të votive (VNV). KQZ ka menduar edhe për zgjedhësit që nuk shikojnë, duke siguruar shabllonin e fletës së votimit me alfabetin Braille në çdo qendër votimi", shkruan KQZ në një postim në rrjetet sociale.
![]()
Materialet zgjedhore do të shpërndahen drejt 36 qendrave të votimit gjatë orëve të para të ditës së dielë, në mënyrë që të gjithë qendrat e votimit të jenë gati për qytetarët për të ushtruar të drejtën e votës në datën 4 gusht 2024.
23 mijë e 74 qytetarë të Himarës do t’i drejtohen të dielën kutive të votimit për të zgjedhur mes Vangjel Tavos dhe Petro Gjikurisë kryebashkiakun e Himarës duke i dhënë fund sagës së drejtimit të Bashkisë pas arrestimit të kryetarit të zgjedhur Fredi Belerit e disa muaj pas tij edhe kryetarit në detyrë Jorgo Goro.
Numri i zgjedhësve në zgjedhjet e vitit të kaluar ishte 22822, Himara ka 36 qendra votimi dhe në procesin e vitit të kaluar morën pjese në zgjedhje 7821.
Me vendim të Komisionit Rregullator pranë KQZ qendrat e votimit, ku do të zhvillohen zgjedhjet e pjesshme për Kryetar të Bashkisë Himarë, të datës 4 Gusht 2024, hapen në ora 07:00 dhe mbyllen në ora 19:00.
Komente
![](https://shqiptarja.com/template/img/antipiracynote.jpg)
![](https://www.shqiptarja.com/template/img/sh_logo1.png)