HIMARE- Policia e Himarës ka mundur të bjerë në gjurmët e një skafi ku ndodheshin 300 kilogram lëndë narkotike e llojit kanabis sativa. Mjeti lundrues po lëvizte nga ujërat territoriale Greke (Ishujt e Fanit) me drejtim për në ujërat territoriale shqiptare (Dhërmi).

Mjeti është mbikëqyrur për disa orë me radhë nga shërbimet e policisë derisa rrymat e forta ujore, (pasi lëvizshmëria e detit ishte 8 ballë), e kanë futur në territorin shqiptar.

 Më pas, policia ka arritur që ta nxjerrë në breg ku kanë konstatuar se ishte një skaf me mbishkrime dhe matrikullime Italiane. Brenda mjetit janë gjetur disa çanta të mbushura me lëndë narkotike e cila pas peshimit rezultoi të ishte rreth 300 kg. Nga hetimet rezulton se skafi ishte nisur nga Italia dhe në territorin grek për shkak të detit të trazuar dhe rrymave të forta detare është braktisur nga trafikantët dhe ka dalë në ujërat tona territoriale.

"Nga hetimet e deritanishme rezulton se Skafi ka ardhur nga territori Italian në territorin Grek (Ishujt e Fanit) dhe për shkak të detit të trazuar dhe rrymave të forta detare është braktisur nga trafikantët dhe ka dalë në ujërat tona territoriale."- informon policia e Vlorës.

Drejtoria Rajonale për Kufirin & Migracionin Vlorë dhe Drejtoria e Policisë Qarku Vlorë  po bashkëpunojnë me organet ligjzbatuese për hetimin e rastit dhe identifikimin e arrestimin e autorëve.

(sg/shqiptarja.com)