Ashtu sikur edhe të tjerat më herët, Qeveria aktuale karakterizohet më të meta të mëdha në aspektin e të bërit politikë të drejtë dhe në linjën e njetë më popullin. Papërgjegjshmëria, injoranca, mosllogaridhënja, krimi i organizuar e korrupsioni janë ato që e karakterizojnë Qeverinë e Kosovës, kryeministrin Thaçi, ministrat dhe zyrtarët e tjerë të saj. Por, ajo që i veçon nga qeveritë e kaluara është se po e përdorin aq shumë hipokrizinë sa lirisht mund të themi se është tamam një shkollë e keqe, kuptohet për të interesuarit e këtij drejtimi. E sigurisht, profesori më i mirë që do të mund të ishte për këtë lënd, është Zv.Kryeministri Hajredin Kuçi, ndërsa për asistent nuk do ta kishte problem sepse ka mjaftueshëm në ndërtesën qeveritare.
E kishte nisur shumë më herët, por më 2007 e pati përforcuar edhe më shumë bindjen e të tjerëve se ose është një përson që ka njohuri të shumta dhe po bënë zbulime të kohë pas kohëshme, pra që është shumë i mençur, ose është thjeshtë një hipokrit. Ishte pikërisht Kuçi, i cili e kishte zbuluar termin “riformatizim” që në 2007, por që nuk ishte riformatizuar asgjë. Utopi të shumta dhe deklarime hipokrite kemi dëgjuar e po dëgjojmë gjithnjë e më tepër nga politikanë të ndryshëm të skenës politike në Kosovë, por që kampioni këtu padyshim mbetet Hajredin Kuçi.
Përndryshe, hipokrizia është ves i njeriut të keq që hiqet sikur është i mirë. I dashur e i virtytshëm por me qëllimin që t’i gënjejë të tjerët. Përsonat që kanë fjalë të mira, që mundohen disi të duken të sjellshëm, që në përgjithësi duken si të tillë, që nuk i përgjigjen asnjëherë të vërtetës dhe realitetit, por që për synim të vetëm e kanë t’i mashtrojnë të tjerët, nuk mund të kenë emër tjetër përveç hipokrit. Thjeshtë, hipokrizia është shtirja e një njeriu që pandehë se zotëron cilësi, virtyte, besime, parime, mendime të kthjellta, madje shtiren se edhe janë të moralshëm, por që nuk i kanë asnjëren nga këto. Pra, përsonat e tillë më të drejtë i definojmë dyftyrësha, edhe pse ky emërtim sigurisht është i butë për këta tipa njerëzish që në skenën politike në Kosovë nuk janë të paktë, madje tipat e tillë po shtohen përditë e më shumë. Njëri nga ta i cili tashmë e ka tepruar duke u shitur në popull si më i moralshmi i qeverisë dhe politikani më i vendosur në qëndrimet dhe deklarimet e tij, por që nuk i ka as njëren e as tjetrën, është zëvëndësi i Thaçit, Hajredin Kuçi. Këtë na e ka dëshmuar disa herë vet ai.
Ishte Kodi Penal, i cili me ato nenet famkeqe e kufizonte hapësirën e gazetarëve për ta raportuar krimin e organizuar dhe korrupsionin në institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës. Dhe për këtë fakt, pikërisht në stilin e një hipokriti tipik pajtohej edhe Hajredin Kuçi, ani pse ishte vet ai dhe ministria të cilën e drejton që e kishin hartuar dhe bashkë me ato nenet kontestuese e kishin sjellur për miratim në Kuvendin e Kosovë.
“Po dorëhiqem ngase edhe ashtu nuk jam njëri nga ata që kamë ambicie politike”. Kështu u kishte thënë gazetarëve Hajredini, i cili po harronte se ka disa vite që po merrej dhe vazhdon të merret aktivisht me politikë. Edhe këtu hipokrit ose deklarat hipokrite. Sigurisht të dyjat bashkë. Pra, nuk ishte aspak befasuese “dorëheqja” e Kuçit nga pozita e ministrit dhe e zëvendëskryeministrit, sepse e kishte dëshmuar deri këtu gjatë rrugëtimit të tij se i mungon morali për të qenë i vendosur në atë që në politikë e quajm “fjalë publike”, pra atë çfarë e thotë nuk e mban asnjëherë, së paku jo deri më sot.
Në fakt hipokrizia këtu ishte e trefishtë. E para, sepse ai vet e kishte hartuar atë projektligj që cënonte lirinë e medias, duke ua mbyllur gojën të shkruajnë e të flasin lirshëm për krimin e korrupsionin. E dyta, sepse nga “jashtë” u prononcua duke thënë se “nëse liberalizimi i vizave ndodhë mbrenda 3 viteve, dhe nëse Kosova antarësohet në BE para 2020 do të isha njeriu më i lumtur”, derisa kur ishte brenda këto procese i ofronte deri madje në dy vite. Dhe e treta, sepse u kthye sërish aty ku për pak ditë kinse nuk ishte. Me këto veprime, Kuçi ishte munduar të dukej i drejtë në raport me mediat dhe më opinionin në përgjithësi, por sikur po harronte se populli tashmë e ka kuptuar saktësisht që janë plotësisht të padrejtë, të pa denjë që ta mbrojnë interesin nacional, karrieristë, dyftyrësha, genjështarë dhe pa moral. Pra populli nuk i beson më as Hajredin Kuçit e as të tjerëve si ai. Nuk i beson një Qeverie që punën e vetme e ka ta genjej atë. Dokrrat politike dhe deklaratat hipokrite populli më nuk i degjon, sepse tashmë e dinë se çka thoni dhe çka bëni ju. Pra, e dinë se mund të flisni mirë, por e kanë të qartë se nuk bëni asgjë të mirë. Qytetarët po e përjetojnë papunësinë më të lartë dhe varfërinë e skajshme, derisa qeveritarët atë të luksit dhe pasurisë së pakufishme.
Thjeshtë, koha kur mundeshit ta mashtroni popullin duke deklaruar diçka tjetër e duke punuar për krejtë diçka tjetër tashmë ka ikur. E tillë ishte edhe deklarata e para pak ditësh e Hajredin Kuçit, i cili në emisionin “Oxygen” në KTV, në stilin e një hipokriti tipik dhe vështirë të zëvëndësueshëm deklarohet se “qenka për bashkim kombëtar” derisa integrimet evropiane i ka prioritetin kryesor. Por kjo nuk na bëri përshtypje e as nuk na befasoi, sepse përveç se është i njohur për deklarime kontraverze, edhe emisioni “Oxygen” i Besim Dinës është më shumë i karakterit humoristik. Pra, Hajredin Kuqi dha shenja se kur do të mbetet pa punë, paska për tu marrë me humor.