Policia rrugore nis vendosjen e radarëve pa polic në rrugët e vendit, radar të cilët do të jenë të pa ndikuar nga ndërhyrja e jashtme prej efektivëve të rrugores.

Këta radarë për herë të parë janë testuar këtë të mërkurë dhe kreu i sigurisë rrugore Ervin Dervishi u shpreh se akset me fluksin më të madh do të monitorohen në këtë mënyrë.

Më tej Dervishi sqaroi se për herë të parë policia do të shpërblej 20 shoferë që respektojnë rregullat e qarkullimit dhe përgjatë 72 orëve do të përzgjidhen nga radari.

Do të përzgjedhim drejtuesin e mjetit model, që respekton rregullat e qarkullimit, duke ecur brenda kufijve të limiteve të shpejtësisë. Për drejtuesit që qarkullojnë brenda normave, do të përzgjidhen më korrektët dhe të premten do të zhvillojmë një shorte live në mjediset e policisë dhe bashkë me TAP dhe një kompani sigurimesh, do dhurohen 20 polica sigurimesh për një vit për ata që përzgjidhen. Radarët janë të cilësisë së lartë dhe identifikojnë drejtuesit e mjeteve që nuk vendosin rripin e sigurimit dhe ata që përdorin celularët. Radarët do të qëndrojnë deri në fund të muajit për të përzgjedhur dhe për të pasur një histori të drejtuesit model dhe më pas do të operohet sipas njollave të reja ose sipas programit të Drejtorisë së Policisë Rrugore, shprehet Dervishi.

Por kjo teknologji e cila është në fazat e testimit sipas ekspertëve rrugorë rrezikon të dështojë për dy elemente kyç.

ReportTv ka mësuar se ky radar ka një memorie të konsiderueshme dhe të dhënat që grumbullon si shkelje për çdo 20 km mbi tabelën e shpejtësisë e konsideron shkelje dhe ruan automatikisht në server.

Këto shkelje përcillen automatikisht në sallën qëndrore të kontrollit të shkeljeve në policinë rrugore dhe më pas me identifikimin automatik nëpërmjet targës së pronarit dhe adresës pritet dhe gjoba që dërgohet me postë.

Jashtë kamerave drejtuesit e rrugore sqaruan për Report Tv se shkak i mosfunksionimit deri më tani të këtij sistemi është mungesa e adresave të sakta të shënuara në lejet e qarkullimit dhe mos marrja përsipër e shpërndarjes së këtyre gjobave nga posta.

Ndërsa pjesa tjetër është kosto ekonomike e zarfave që duhet ti paguhen postës dhe nëse kjo kosto prej 30-40 lekësh për çdo zarf paguhet nga policia nuk njihet si shpenzim dhe në bilancet financiare njihet si dëm ekonomik.

VIDEOErvin Dervishi për nismën më të re që do të ndërmarrë policia për të disiplinuar

Er. K/ s.k/Shqiptarja.com