Sali Berisha u shfaq sërish nga foltorja e Kuvendit duke mbrojtur investimin në Zvërnec, por akuza hodhi ndaj mazhorancës se po ka organizuar antimiting në Vlorë.
“Denoncoj me forcën më të madhe qëndrimin stalinist të Edi Ramës për të organizuar kundërmiting në Vlorë, ka organizuar një akt të shëmtuar, kriminal. Merrni masa të anuloni kundërmitingun. Të garantoj, shërbëtorët e qeverisë se asnjë forcë në botë nuk mposht dot këtë opozitë o mjeranë. Opozita e opozitës është shërbëtorja e qeverisë, loja e ndyrë e Edi Ramës. Ta harrojë kush se ne do të pajtohemi me aktet e Edi Ramës, me epitete të tipit të Spirokolekës, Enver Hoxhës, xhelatit Rama, topat e ujit kundër nënave me fëmijë. Partia e krimit ju ka vënë një fashë përpara. S’ka asgjë që mund të devijojë këtë forcë politike, asgjë. Do të qëndrojë e palëkundur”, tha Berisha.
Përgjigjen e mori nga kreu i grupit të PS, Taulant Balla i cili me ironi i tha Berishës se s’mund të jetë i ftuar në festat e ditëlindjes së PS ndërsa shtoi se në zgjedhjet e ardhshme, opozita do të mposhtet sërish. Duke u ndalur tek Zvërneci, Balla tha se Shqipëria nuk e ka luksin ta humbasë një investim të kësaj përmase, ndërsa Berishës i kujtoi emrin e Artur Shehut. Një i fortë i Vlorës në vitet ’90, emrin e të cilit mediat në historinë e Zvërnecit e lidhin me Berishën, duke thënë se ka përfituar nga pushteti i PD-së, duke u bërë pronar tokash në jug.
“Insistoni me padurim të merrni pjesë në festat e PS. Kemi një kalendar të parashikuar të festave tona. Sigurisht që s’mund të jeni i ftuar në ditëlindjet e PS as në Vlorë, as në Tiranë, asgjëkundi. Ne ju kemi mundur 15 herë nga 20 beteja elektorale, me Edi Ramën ju kemi mundur 8 herë rresht. Do ju mundim pas një viti, edhe në 2029. Nesër në Vlorë kemi një festë ditëlindjeje dhe populli i Vlorës është kryeqyteti i PS. Me makinën e Artur Shehut ka shkuar në Vlorë ky, pyete! Merre me qetësi, siç ju kemi mundur, do të vazhdojmë t’ju mundim përsëri dhe bëni mirë që të vini mend se nuk po ju kupton askush. Zotëria del dhe thotë mbështesim investimin, të paktën tregon kulturë. Ai investim do të realizohet se Shqipëria nuk e ka luksin dhe as shansin ta humbë sepse do ta vendosim aty ku na takon, në ligën e vendeve të turizmit të zhvilluar. Ata që dalin kundër. Tregohuni me një qëndrim, dilni këtu dhe thoni, jeni pro apo kundër këtij investimi”, tha Balla.
Artur Shehu është një nga pronarët e tokave në Zvërnec ku pritet të ndërtohet resorti turistik. Në llogaritë e Shehut dhe të tjerëve i është vendosur sekuestro shifrës prej 195 milionë dollarësh, e cila sapo ishte transferuar nga vëllezërit nga Katari, llogaritë e të cilëve tashmë janë zhbllokuara nga SPAK.
Por, ndonëse Taulant Balla hodhi akuza se Berisha ka shkuar në Vlorë me makinën e Artur Shehut, kreu i PD heshti dhe nuk tha asnjë fjalë. Ai vijoi akuzat për antimitingun që pretendon se është thirrur nga PS nesër në Vlorë.
“Dekoratat e turpit në partinë e krimit në degën Vlorë u shpërndanë pardje. U dekorua famozi Mezan Malaj, tjetri me radhë dhe ky është mashtrim publik që bëni. Tani thoni se do të shkoj në fshat, bëni mbledhje 4 orë, s’flisni dot një fjalë. Nesër është antimiting dhe mos guxoni ta organizoni. Ku është Erioni? E dekoroi bashkë me Gramozin. Hiqni dorë nga antimitingu, dhuna ndaj protestuesve paqësorë, keqpërdorimi i opozitës së opozitës që është krijesë mjerane, shërbëtore mjerane e qeverisë”, tha Berisha.
Lajmi kryesor:
LIVE TV- Zvërneci/ Berisha akuza PS: Keni organizuar antimiting në Vlorë! Balla: Diversion, kemi datëlindjen e PS










